Kryetarja e Speciales: Kemi bërë sondazh, shumica mendojnë se Specialja është e drejtë
Për shkak të mënyrës se si u krijua Gjykata Speciale dhe më pas punës për gjatë viteve, në Kosovë ky institucion kritikohet gjerësisht, jo vetëm në studio televizive nga opinionistë e juristë të ndryshëm, por edhe nga vetë udhëheqësit institucionalë. I fundit, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Pas vizitës që pati në Hagë te krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai u shpreh i shqetësuar me procesin.
Por, sipas presidentes së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova, një gjyqtare e famshme bullgare, të dhënat e saj flasin ndryshe për përshtypjen e qytetarëve të Kosovës për gjykatën.
E pyetur nga Albanian Post, në këtë intervistë të saj të parë për një media online në Kosovë, rreth reputacionit jo të mirë të Speciales, ajo deklaron se e vërteta e numrave flet ndryshe.
“Në fakt, sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”.
Por, Trendafilova deklaron se përkundër që “Specialja nuk është krijuar të jetë popullore, ajo vetë dhe në përgjithësi struktura e kësaj Gjykate “mbetet e përkushtuar që të sigurojë se informacionet rreth punës dhe mandatit të saj të jenë të shpërndara në mënyrë transparente dhe në mënyrë efikase te publiku në Kosovës dhe më gjerë në rajon”.
Trendafilova, një nga gjykatëset më të njohura në Evropë, pohon për Albanian Post se “DHSK është e përqendruar në rend të parë të përmbushë mandatin e saj, që i është dhënë nga Parlamenti i Kosovës, duke siguruar që procedimet e saj të kryhen në mënyrë të pavarur, të drejtë, të paanshme, të sigurt”.
“Vendimet dhe gjykimet e DHSK-së do të flasin për veten e tyre, duke demonstruar që DHSK të ketë kryer mandatin e saj me legjitimitet dhe kredibilitet”, është e bindur ajo.
Por, si mund të besohet se Specialja do ta kryejë mandatin e saj me “kredibilitet dhe legjitimitet”, kur ende pa filluar gjykimi, ekspertë të shumtë kanë treguar se vetë gjykata e ka devijuar qëllimin e formimit?
Edhe avokati i njërit prej të akuzuarve, Kadri Veselit, kishte pohuar në një seancë se “kur lexon materialet që ata kanë ofruar, bëhet e qartë se Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët, që ata pretendojnë̈, është në vetvete Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Vetë ekzistimi i atij grupi”.
Gjithashtu, pika 35 e aktakuzës i portretizon të akuzuarit si anëtarë të “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët” të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së – nga Shtabi i Përgjithshëm, Komandantët dhe Zëvendëskomandantët e Zonave, të Brigadave, të Njësiteve, e deri te ushtarët më të thjeshtë dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së.
Përveç se pikë në aktakuzë, vetë Prokurori Special, Jack Smith, në një nga seancat kishte folur për “krimet e UÇK-së” dhe jo për krime të individëve.
E pyetur për këtë, Trendafilova thotë se “nuk e di se cilit moment po i referoheni”.
“Por, dua të jem e qartë se Dhomat e Specializuara të Kosovës do të mbajnë përgjegjësi vetëm individët për krimet që pretendohet se kanë kryer dhe nuk do të mbajnë përgjegjësi asnjë grup etnik, organizatë apo komunitet. Kjo pasqyrohet edhe në nenin 16 të ligjit, i cili trajton ‘përgjegjësinë penale individuale’”, thotë ajo për Albanian Post.
Duke vazhduar sqarimin se “të gjitha aktakuzat janë vërtetuar mbi këtë parim ndaj personave individualë. Asnjë grup apo subjekt nuk është akuzuar si i tillë nga DHSK-ja, pasi kjo ligjërisht nuk është e mundur”.
Vonesat e Gjykatës
Pas arrestimit të katër figurave të larta të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë ishte shprehur për fillimin e shpejtë të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke thënë se ajo do të ishte e gatshme më së largu në verën e vitit 2021.
Prokurori Jack Smith kishte thënë se ishin të gatshëm që gjykimi të fillonte më së voni në shtator të vitit 2021.
Por, tashmë ka kaluar një vit e gjysmë dhe gjykimi ende s’ka filluar.
Trendafilova s’ka shumë të thotë për këto vonesa, derisa nuk pajtohet me konstatimin që nuk po respektohen afatet.
“Afatet kohore për fillimit e gjykimit vendosen nga Gjykatësit”, thotë ajo, duke filluar të flas për gjykimin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, dhe respektimin e afateve në rastet e tyre.
“Afati për fillimin e gjykimit në rastet e Gucati, Haradinaj dhe z. Mustafa është respektuar dhe nuk është shkelur siç sugjerohet. Edhe në rastin kundër zotit Shala, Gjykatësi i paragjykimit ka treguar se ka për qëllim ta vendos në trup gjyqësor nga fundi i gushtit”.
Por, e pyetur nga Albanian Post, jo për raste të tjera, por për Thaçin dhe të tjerët, ajo shton se “rasti kundër zotit Thaçi dhe të tjerëve po procedohet në pajtim me kornizën ligjore të DHSK-së dhe Gjykatësi i procedurës paraprake do të nxjerrë çdo urdhër apo vendim që nevojitet për të siguruar përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim, siç ka bërë me çështjet e tjera”.
A bashkëpunon Specialja me shtetin serb? – Trendafilova: Ligji që vetë e keni miratuar parasheh bashkëpunim të gjykatës me shtete tjera
Gjykata Speciale edhe mund të shpërbehet me informacione të shtetit serb, sepse vetë ligji i miratuar për Gjykatën e lejon një gjë të tillë.
Ky ka qenë shpjegimi i Trendafilovës për akuzën se me qëllim dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, gjykata po bashkëpunon me prokurorë serbë.
“Ligji, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës, parasheh që Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar mund të hyjnë në marrëveshje me shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe subjektet e tjera me qëllim të përmbushjes së mandatit të tyre dhe në veçanti në lidhje me bashkëpunimin dhe çështjet gjyqësore”, thotë ajo për Albanian Post.
“Me kë është kërkuar bashkëpunimi dhe çfarë lloj provash do të dorëzohen është në përgjegjësinë e Prokurorit të Specializuar. KSC dhe SPO janë institucione të veçanta. Mbrojtja gjithashtu do të kërkojë që të pranohen provat. Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të caktuar në Kolegjet përkatëse më pas do të peshojnë dhe vlerësojnë me kujdes provat, në përputhje me kornizën ligjore të KSK-së dhe për qëllime të vërtetimit të së vërtetës dhe dhënies së drejtësisë”.
Pse u fshehën prova shfajësuese për Thaçin dhe të tjerët? – Trendafilova: S’mund të komentoj
Avokati amerikan Gregory Kehoe, i cili mbron ish Presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, u pa në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit – mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts.
Everts, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes tjerash, i kishte thënë Prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.
“Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument. Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto. Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”, ka deklaruar Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.
“Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan. U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai. Pse? Pse e lanë jashtë?”, është shprehur Kehoe.
Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit, e datës 4 maj 1999, në të cilën thuhet se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së.
I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.
Për të gjitha këto, presidentja nuk ka përgjigje direkte. Pohon se “nuk mund të komentoj për procedurat në vazhdim”.
Megjithatë, thotë se “e vetmja gjë që mund të them është se i takon gjyqtarit të procedurës paraprake të sigurojë që palët t’i përmbahen Rregullave dhe afateve dhe Rregullave që ai ka vendosur në lidhje me zbulimin e provave”.
“Siç u përmend më lart, korniza shumë e mirë ligjore e DHSK-së ofron disa garanci për të akuzuarit për të adresuar çdo mosmarrëveshje që ata mund të kenë”.
Pse s’u fillua hetim për rrjedhjen e dokumenteve nga Specialja?
Dy persona, dy ish-krerë lufte dhe dy ish-udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan nga Gjykata Speciale, meqë u shërbyen me dokumente që kishin rrjedhur në publik dhe ua ofruan ato gazetarëve.
Gucati e Haradinaj u dënuan, por Specialja asnjëherë s’filloi hetim për personelin brenda saj, që të kuptojë se si ndodhi që rrodhën dokumentet.
“Për sa i përket sugjerimit tuaj se nuk është nisur asnjë hetim për çështjen se si ka rrjedhur informacioni, nuk mund të flas në emër të Prokurorit të Specializuar që është përgjegjës për hetimet, por besoj se ka thënë në të paktën dy raste publikisht se po e shqyrton këtë çështje”, thotë Trendafilova.
Gjyqtarja bën lojë fjalësh duke shtuar se “Gucati dhe Haradinaj nuk u shpallën fajtorë për nxjerrjen e dokumenteve që i përkisnin Prokurorit të Specializuar. Por, trupi gjykues dënoi të akuzuarit për frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Këto janë krime sipas Kodit Penal të Kosovës”.
Si përfundim, Trendafilova është shprehur e kënaqur me punën e gjykatës. Tha se “nga shtatori i 2020’ës e deri në mars të 2021’ës, tetë të akuzuarit u arrestuan dhe katër procedime janë nisur në DHSK-së”.
“E tëra kjo ndodhi gjatë pandemisë, me shumicën e stafit duke punuar nga distanca. Mbi 130 seanca, të transmetuara në shqip, serbisht dhe anglisht, janë mbajtur që nga ajo kohë, dhe gjykatësit e paneleve të procedurës paraprake, gjyqësore, të apeleve dhe gjykatës kushtetuese kanë dhënë 1 mijë e 200 vendime dhe urdhra”.
Trendafilova pritet që në fillim të muajit korrik ta vizitojë Kosovën. /Albanianpost.com