fbpx
Lajme

Kryetarja e Speciales provokon shqiptarët, një ditë pas 28 Nëntorit vjen në Kosovë ndërsa shtyp krerët e UÇK-së

Herën e fundit synonte ta vizitonte Kosovën në shtator të vitit 2022. Por, takimin në Gjilan, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e kishte anuluar. Kjo për shkak të një proteste që ishte thirrur nga Partia Socialdemokrate.

Situatë pak a shumë e ngjashme është edhe për të mërkurën. E para e Speciales ka paralajmëruar vizitë për të mërkurën, ku pritet të takohet me organizata të shoqërisë civile e gazetarë. PSD-ja sërish është mobilizuar për protestë.

Megjithatë, deri më tash nuk dihet nëse kryetarja e Gjykatës Speciale do ta anulojë vizitën sikur herën e parë. Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Dhomave të Specializuara të Kosovës por deri më tash nuk ka pranuar përgjigje.

Në anën tjetër, ditë më parë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media prezantoi arsyet për protestë. Sipas tij, vendimi i fundit për ndalimin e vizitave është skandaloz dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Ai ka thënë se nuk do ta lejojnë zhvillimin e kësaj vizite në kohën kur Gjykata Speciale, sipas tij, po i persekuton ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Me datën 29 nëntor në ora 14:30 në hotel Sirius është paraparë të vie kryetarja e Gjykatës Speciale. Siç e dini çdo vizitë të saj PSD-ja e ka kundërshtuar duke u bazuar në parimin që kjo gjykatë është gjykatë e cila nuk respekton rendin kushtetuese e demokratik të Kosovës. Vepron jashtë tij, dhe simbolet e Kosovës nuk i ka fare. Ajo çka ne mundemi me thënë është që vizita e saj është vizitë për imazh, nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës të ftohen mediat e shoqëria civile pa mjete përcjellëse. Ju nuk mund t’i keni kamerat, diktafonat, dhe lajmin si transmetohet e ka vendosur kjo Dhomë. Nuk është fare demokratike, nuk ka të bëj fare me llogaridhënie, por ka të bëj me shtyrje të agjendave”, tha Molliqaj, raporton Nacionale.

Ai ka përmendur edhe ndalesën e vizitave dhe telefonatave për ish-krerët e UÇK-së.

“Në anën tjetër përveç persekutimit, është intensifikuar persekutimi i padrejtë e arbitrar prej konfiskimit të telefonave të qytetarëve që kanë qenë pjesë e luftës, deri te bastisjet në mënyrë të paligjshme. Ajo që mundemi me thënë e që bëjmë thirrje kjo vizitë është e papranueshme, e patolerueshme, dhe zonja në fjalë është jo e mirëpritur në Kosovë. Nuk besojmë që mund të sillemi normalisht karshi një gjykate që nuk është normale. Kjo gjykatë i ka ndalur të drejtat që janë të garantuara, e drejta për vizitë dhe për komunikim me familjarët. I ka izoluar. Po i ndjekin politikisht, i ka izoluar nga bota e familja. Nuk dihen as arsyet e as shkaqet. Në këtë rrethanë të persekutimit të secilit luftëtar, ne kemi vendosur ta presim me protestë dhe të pamundësojmë këtë takim që pretendohet të mbahet. Ne do të jemi në protestë të mërkurën në orën 14:00. Për të pamundësuar e treguar se ajo nuk është e mirëseardhur, bëj thirrje që me asnjë çmim ajo mos të vjen”, tha ai.

Kur e kishte anuluar vizitën muaj më parë, Gjykata Speciale në një komunikatë për media kishte theksuar se ata po punojnë në mënyrë transparente.

“Kryetarja Trendafilova deklaroi se ‘mandati i Dhomave të Specializuara është administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë, të pavarur, të sigurt dhe të paanshme’. Ajo theksoi se ndodhet në Kosovë për të biseduar me njerëz për punën e Dhomave të Specializuara në mënyrë transparente dhe të saktë, siç e ka bërë në disa raste më parë, dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë njerëzit”, thuhet në këtë njoftim.

Takimi i së mërkurës është planifikuar të mbahet në orën 14:30.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close