Kthimi në kohë: Lagja e Kamnikut i kishte trojet e urbanizuara
E kaluara gjithmonë na ndjek pas – kujtesa dhe dashuria nuk shuhen kurrë te njerëzit që e duan jetën, që i japin kuptim dhe jetë të re asaj!
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës
Edhe në çka Gjilani la emër që nuk shlyhet kurrë?
A kishte shtypshkronjë Gjilani? Kush ishte drejtor i saj? Cila ndërmarrje shoqërore ishte qytet në miniaturë, që kishte ambulancën mjekësore, radio stacionin, klubin e futbollit, grupin muzikor, artistik e dramatik…etj, etj…
Edhe kësaj radhe rrëfimi i ikonës së këtij qytetit, dr. shevqet mehmeti. lexoni në vazhdim…
Ah Gjilan, ah zaman! Ah gjilan, ah kohë! Kujtimet nga Kamniku
Isha fëmijë, 8 vjeç. Ne fëmijët, pas mësimit dhe të dielave shpesh vizitonim rrugët në drejtim të varreve. Atëkohë ishte shtypshkronja “Prosveta” ku punonte vajza e axhës, Vezirja. Para shtypshkronjës ishin tri objekte njëkatëshe me dy hyrje, ku jetonin 6 familje policësh. Ato ndërtesa janë ende aty, ndërsa para objektit kishin pak oborr të rrethuar me taraba (dërrsa të holla). Pas shtypshkronjës ishte depoja e mbeturinave, ku një kohë të gjatë ka punuar Shukri Sllaminku, pastaj edhe futbollisti Reshati me fqiun, Musin, djalin e Ahmetnepës. Ne, fëmijet, shpeshherë shkonim pas varrimeve, në rend të parë të krishterëve që përcilleshin me muzikë. Këeshtu kur vdiq Vllada, fqiu ynë shkuam në ceremoninë e varrimit të tij. Varre krishtere kishte në të dyja anët e rrugës.
Më vonë në shtypshkronjë drejtor u bë Ali KAJTAZI, ndërsa aty punonte Qemali, futbollisti gjilanas, si dhe Adnan Sllamniku.
Toka nuk ishte shumë pjellore, njerëzit kishin kulturë pune, kultivonin duhanin
Pjesa tjetër e Kamnikut ishte fushë. Kualiteti i tokës shumë i dobët, gurinë. Mbillej duhani që nuk rritej mbi 50 cm. Në fillim të rrugës të Kamnikut në drejtim të Tekstilit ishte një dardhë. Flitet se aty e kishin mbytur Ymer Fejzoviq-Mollën. Me 1960 ishte ndërtuar trikotazha, objekti i parë i tekstilit. Drejtor ishte Kataniqi, ndërsa babai im Ramushi kishte filluar të punojë si punëtor. Në bodrum ishte kuzhina e punëtorëve. Une si fëmijë që isha shkoja t’i vërtetoja librezat shëndetësore me plot dëshire te Xhemsi, vetëm e vetëm që të hy në fabrikë të shikoja si makinat lëviznin djathtas-majtas dhe punonin xhempera. Kombinati i tekstilit dita – ditës rritej.
Ah Gilan, aha zaman…!
Pronarët e tokave punonin pronat e tyre në Kamnik, por bereqeti ishte i dobët. Rrruga që çonte në Velekincë ishte me baltë deri me 1972, mezi kalohej, shpesh merrnin ndonjë copë llamarine për të gërryer qizmet. Në tokat pranë e tyre pranë shtypshkronjës filluan të ndërtohen shtëpite private, ato shtëpi në fillim ishin kryesisht serbe, e pas vitit 1974 edhe shtëpi shqiptare. Me 1974 filluan të ndërtojnë shtëpi: Shaban Velekinca, Ismail Livoçi, Puriqët që kishin lëshuar shtëpitë në Derëmëhallë, Lashticët me Isa Bajramin, Sllubicet, Dimiqët nga Koretishta, Vela qe kishte djalë të motrës Dragan Mlladenoviqin, protierin e reprezentacionit të Jugosllavisë në hendboll. Pastaj, u vendosën Përlepnicët, familjet serbe nga Llashtica dhe vëllau i Elez kovaqit që kishte punëtorinë e gomesterise (të gomave).
Lagjja e urbanizuar, Kombinati i Tekstilit me 2800 punëtorë – kishte bërë emër përtej shtetit
Lagja e Kamnikut i kishte trojet e urbanizuara, shtëpitë ishin të renditura. Kombinati i tekstilit ua konfiskoi (shtetëzoi) për interesa të klasës punëtore disa prona pronarëve të tokave, duke u premtuar ndonje vend pune. Xha Bajrami nga Cërnica, afër dardhës ndërtoi shtëpi dhe myezini nga Burdiga, xha Shaini, që kishte djalë, Naserin. Nëna ime shpesh vizitonte në vitet e 80 ‘inxhen’ Mirishahe nga Llashtica, e cila ishte e martuar për Bajramin e Cërnicës. Kombinati i tekstilit gjithnjë në zhvillim e sipër, fabrika e perdeve bëri emër në gjithë Jugosllavinë, oxhaku i fabrikës tregonte se Integji punonte në katër ndërrime. Taftisoni punonte tepihë që eksportoheshin jashtë Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Integi u bë gjigant industrial në nivel të shtetit. Me 1979, disa javë kam punuar si mjek në ambulancën e Kombinatit, ku punonte edhe stomatologia Lila. Kombinati kishte radiostacionin, klubin e futbolit, grupin dramatik dhe të artit. Aty punonin 2800 punëtorë. Ne orën 14:00, kur dilnin punëtorët, rruga në Derëmëhallë dhe qendra mbushej me punëtorë, ashtu që qyteti fitonte një sens që jeta në qytet është dinamike dhe plot kolorit. Kishte gjallëri.
Ah Gilan, ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
Kombinati i Duhanit, doktori që edhe në mesnatë afrohej te spitali kur vërente dritat e ndezura
Filluan në rrugën që shpiente në drejtim të Kombinatit, filluan të ndërtoheshin objektet montuese. Para tyre u ndërtua objekti me tulla që iu nda personave që punonin në polici dhe sigurim shtetëror. Aty banonte dr. Sharaci dhe Zharku, ky i dyti polic që punonte në komunikacion. Në ndërtesat e kaltërta banonte Rifati, profesori im i Edkuaktes fizike, Abdylhakimi, qe kishte qenë drejtor i organizatës së parë private ndërtimore dhe dr.Gordana Zafiroviq. Në katin e përdhesës të objektit, Kemali, kushëriri im, kishte shitoren e NTSH (Ndërmarrje Tregtare Shoqërore) “16 Nëntorit”.
Aty ku ka qenë tregu i kafshëve, u ndërtua ndërtesa ku u vendos qendra për Urbanizëm. Në katin e parë banoja unë.
Përballë kisha Kombinatin e Duhanit “Boris Kidriç”, ndërsa në orën 15 nga teraca shikoja punëtorët që dilnin nga puna. Nga dritarja e banesës shikoja dritat në orët e mbrëmjes në repartin e urologjise a janë ndezur pas orës 00:00 të natës. Kur ishin të ndezura më dukej se ka ndonjë të sëmurë rënndë, vishja patikat e shkoja në mes të natës vizitoja repartin.
Vitet fluturonin, dardhen e prenë, filluan përballe tekstilit të ndertonin ndërtesë qe me vie mbeti pa u ndertuar. Nga viti 1986 këtë lagje e vizitoja më shpesh,pasi bashkëshortja ime kishte shtëpine në këtë lagje.
Kështu ishte deri me 1999!
Vazhdojmë udhëtimin nëpër kohë…
/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
Kohapress