Kurti 2020: Nëse e zgjedhim një president partiak nuk do të kalojmë mirë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë të gjatë për KALLXO.com, ka deklaruar se nuk e përkrah kandidaturën e shpallur të Ramush Haradinajt për president të ardhshëm të Kosovës.
Kurti ka thënë se besojnë që duhet të zgjedhin një president ose presidente që është shprehje e unitetit.“Ne besojmë që duhet ta zgjedhim një president ose presidente që është shprehje e unitetit të popullit. D.m.th., zotëri Haradinaj është tëpër shumë partiak për t’u bërë president. Ne kemi pasur edhe më herët presidentë partiakë por nuk ia keni kaluar mirë”, ka thënë Kurti.Ish-kryeministri ka shtuar se Haradinaj është superpartiak.“Jo. Unë mendoj se Haradinaj nuk mund ta shprehë unitetin e popullit sepse është një kryetar partie.
Është superpartiak. Së pari është gabim në hapa; së pari zgjedhjet e mandej zgjedhja e presidentit dhe së dyti duhet unë mendoj që ta kemi një president apo presidente e cila i afrohet përshkrimit të unitetit të popullit”, ka thënë ai kur është pyetur nëse profili i Haradinaj nuk është i dëshirueshëm për të.Kurti ka theksuar se Vetëvendosje nuk e ka ndonjë kandidat për president.
“Jo. Ne nuk kemi një kandidat. Ne duam zgjedhje të reja dhe qeveri të re, e për president pajtohem se pas zgjedhjeve të reja. Duhet të ulemi e ta gjejmë dikën mbi palët. Pra, nuk bën presidenti të jetë palë”, theksoi kreu i LVV-së.Lideri i LVV-së e ka krahasuar Ramush Haradinajn me ish-presidentin Hashim Thaçi.“Kështu e kishim ish-presidentin që ishte palë dhe unë i bëja thirrje ish-presidentit, ‘Meqë je aq i zhytur në politikat ditore, lëre kolltukun e presidentit, jep dorëheqje e eja në zgjedhje se ju jeni shumë partiak, jeni shumë i njëanshëm’. Edhe Haradinaj është i tillë. Njeri i fushatave elektorale.
Nuk mund të kemi president të njëanshëm. Është e domosdoshme ta kemi një president të paanshëm e mbi palët”, shprehet Kurti në këtë intervistë.Në një intervistë të gjatë për KALLXO.com, Albin Kurti mes tjersh flet rreth aktakuzës së Gjykatës Speciale, pasojave politike, zgjedhjeve të reja dhe synimin e tij për t’u rikthyer në pushtet me 50 për qind të votave.Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, institucionet e Kosovës do të duhet të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit brenda gjashtë muajve, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.