fbpx
Lajme

Kurti: Statovci kishte një detyrë titanike, ta mbronte Universitetin nga Serbia dhe nga LDK-ja

Lëvizja Vetëvendosje me ardhjen në pushtet ka vendosur t’i fshijë arkivat e saj, përfshirë; prononcimet dhe intervistat e Kryeministrit aktual z. Albin Kurti.

Pavarësisht që tani e nderon, në një shkrim të ruajtur në redaksinë pashtriku, Albin Kurti e kishte akuzuar rëndë presidentin e ndjerë Ibrahim Rugovën.

Ja shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Në përkujtim të protestave të 1 tetorit 1997

Ejup Statovci kishte një detyrë titanike, ta mbronte Universitetin nga Serbia por edhe nga LDK-ja ·

Pothuajse kushdo tjetër që do ta merrte drejtimin e Universitetit përveç Prof.Statovcit, do të përfundonte si shërbëtor i klikës së Ibrahim Rugovës. · Ejup Statovci i kishte caktuar vetes një detyrë titanike: ta mbronte Universitetin nga Serbia por edhe ta mbronte Universitetin nga LDK-ja. Gjatë përgatitjeve për protestën e 1 Tetorit i gjithë Universiteti ndodhej në një trysni të hatashme nga brenda e nga jashtë që t’i nënshtrohej Ibrahim Rugovës.

Shkruan: Albin Kurti – Prishtinë, 01. 10. 2008

Kur është shkruar ose folur publikisht për 1 Tetorin e vitit 1997, zakonisht janë afirmuar studentët, Universiteti, thyerja e status quo-së politike etj. Në rastin më të mirë, vetëm kah gjysma e tekstit apo fjalimit, ndodhen aty edhe një fjali a dy në të cilat përmendet rektori i atëherëshëm Prof.Ejup Statovci. · Foto: Arrestimi i Propf.E.Statovcit, Albinit etj. Sigurisht që kjo gjë nuk është aspak korrekte. Roli dhe rëndësia e Prof.Statovcit ishin shumë më të mëdha se kaq. Prof.Ejup Statovci e ka rimëkëmbur Universitetin e Prishtinës pas dëbimit masiv të të gjithë studentëve dhe profesorëve shqiptarë nga objektet universitare në qershor të vitit 1991.

Ka qenë vështirë që të gjendet në atë kohë ndonjë profesor tjetër i cili do ta kishte guximin për t’u ballafaquar, aftësinë për të planifikuar e koordinuar dhe ndërgjegjen për të marrur përgjegjësi. Rifillimi i Universitetit të Prishtinës mbase ka qenë më i vështirë edhe se vetë fillimi i Universitetit. Pothuajse kushdo tjetër që do ta merrte drejtimin e Universitetit përveç Prof.Statovcit, do të përfundonte si shërbëtor i klikës së Ibrahim Rugovës. Pothuajse askush tjetër nuk do të mund ta mbronte autonominë e Universitetit të Prishtinës nga LDK-ja. LDK-ja nuk i bënte kurrfarë rezistence okupimit të Serbisë – e gjithë rezistenca i ishte lënë sistemit arsimor me në krye Universitetin e Prishtinës.

E gjithë politika e LDK-së ishte politikë për kontroll sa më të madh mbi shqiptarët – që shqiptarët, siç thuhej, të mos binin në provokime të Serbisë (sic.). LDK-ja interesohej për Universitetin vetëm aq sa i nevojitej për ta shfrytëzuar atë si mjet për kontroll politik. Universiteti i Prishtinës me procesin mësimor nëpër shtëpitë shkolla ishte e vetmja rezistencë asokohe. Në vitin 1997, LDK-ja ende shpresonte në Marrëveshjen e Arsimit midis Rugovës dhe Milosheviqit e cila që prej një viti s’po realizohej kurse Prof.Statovci atëbotë vihej në ballë të studentëve në protestën kundër regjimit serb! ·

Foto: Takimi i Rugovës me barbarin Millosheviq · Dokumenti: Marrëveshja (Dogovori) Millosheviq-Rugova, për arsim!

Prof.Ejup Statovci u arrestua shumë herë përgjatë viteve të ’90-ta nga policia e Serbisë, iu bastis disa herë banesa modeste dhe zyra e Universitetit që udhëhiqte. Kurrfarë trysnie apo kërcënimi nuk e zbrapsi. Ejup Statovci i kishte caktuar vetes një detyrë titanike: ta mbronte Universitetin nga Serbia por edhe ta mbronte Universitetin nga LDK-ja. Gjatë përgatitjeve për protestën e 1 Tetorit i gjithë Universiteti ndodhej në një trysni të hatashme nga brenda e nga jashtë që t’i nënshtrohej Ibrahim Rugovës. Studentë e profesorë të ndryshëm të UP-së e deri te diplomatët e zyrtarët ndërkombëtarë bënin presion që të hiqej dorë nga protestat sepse (edhe) Kryetari ashtu po kërkonte.

Madje, disa ditë para 1 Tetorit 1997, një grup studentësh të instrumentalizuar nga Ibrahim Rugova dhe kreu i LDK-së patën dalur kundër protestës me tendecë që t’i përçajnë studentët dhe ta pamundësojnë protestën.

Përkrahja e parezervë e Rektorit Statovci për UPSUP-në ishte garancioni i unitetit në Universitet. I unitetit në protestë; i unitetit në rezistencë. 1 Tetori i vitit 1997 kurrsesi nuk do të ishte i mundur pa një Universitet të tillë të pavarur politikisht. Ne të UPSUP-së nuk do të mund t’i organizonim protestat pa një Universitet i cili ishte sikurse një bërthamë e ruajtur mirë nga lëvozhga e fortë. Autoriteti njerëzor dhe kapaciteti intelektual i Rektorit Statovci për gjashtë vjet me radhë e kishin mbrojtur Universitetin nga politika. Në Tetorin e 1997-shes, UPSUP-ja ishte e gatshme për organizimin dhe mobilizimin e masës dhe potencialit të ruajtur e të kultivuar në Universitet.

Ne ishim të gatshëm për atë që e gjetëm të gatshme. Përgjatë historisë, ngjarjet mundësohen nga masat e njerëzve dhe institucionet kurse prodhimi i ngjarjes përfundon i identifikuar me një apo fare pak njerëz. Për 1 Tetorin 1997 mund të thuhet e kundërta. Nëse ngjarjen e 1 Tetorit e prodhuam të gjithë ne studentët dhe profesorët e Universitetit, atë ngjarje e mundësoi kryesisht vetëm një njeri – Ejup Statovci.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close