fbpx
Lajme

“Kurti duket i gatshëm që i pari nga e gjithë bota ta shpallë të nisur Luftën e Tretë Botërore”

Për ta bindur veten dhe votuesin e tij, Kurti duket i gatshëm që i pari nga e gjithë bota ta shpallë të nisur Luftën e Tretë Botërore, vetëm e vetëm që të thotë “jemi në luftë, sepse e gjithë bota është në luftë”. Perëndimi po kërkon, po dëshiron, që në cdo cep të kontinentit të ruhet qetësia. Është Rusia ajo që po kërkon që lufta e Ukrainës të replikohet kudo në botë, e posaçërisht në Ballkan.

Berat Buzhala

Kur Amerika u godit nga virusi, para dy viteve në këtë muaj, Presidenti Amerikan Donald Trump, i etur për të qenë president i jashtëzakonshëm, ani pse disa ditë më herët e kishte quajtur virusin një flamë, tash po deklaronte “unë jam President i luftës”. Në Amerikë presidentët e luftës janë si një titull i veçantë. Prej një flame, në luftë, brenda dy-tri ditësh.

Shumë burra shtetesh veten e shohin me hije të mëngjesit. Disa udhëheqin shtete të fuqishme, në kohë normale, e kjo nuk u pëlqen, sepse nuk e shohin veten në histori. Kurse disa të tjera, sikur kryeministri i Kosovës, udhëheqin shtete të vogla dhe të brishta, sikur ky i joni, por duan që problemet e jashtme, bukur të largëta, t’i përvetësojnë e t’i bëjnë probleme tona.

Çfarë është edhe më keq, e imitojnë me gjuhën e tyre një politikan budalla si Vulin, që tash e kushedi sa vite flet për luftë, për konflikt, për dhunë, për eskalim, me shpresën që një ditë ndoshta edhe do të ndodhë.

Tash, duket që në Prishtinë është një qeveri që dëshiron t’i bëjë eho atyre deklaratave. Kosova është e ruajtur nga NATO. Ne nuk jemi as pjesë e NATO’s, por mandati i forcave të NATO’s në Kosovë është edhe më i qartë, ndoshta, se sa vetë mandati që forcat e NATO’s, e kanë bie fjala në Estoni, ose Letoni, që janë pjesë e kësaj force.

Për të mos i mjaftuar këto fakte, për të mos i mjaftuar kampi Bondstill në vendin tonë, për të mos i mjaftuar prezenca e forcave amerikane në veri, Kurti krekoset nëpër intervista si gjeli në maje të plehut, qysh për të luftuar nuk qenka me rëndësi armatimi, por morali qytetar, sepse po e sheh veten si kryeministër të luftës.

Për ta bindur veten dhe votuesin e tij, Kurti duket i gatshëm që i pari nga e gjithë bota ta shpallë të nisur Luftën e Tretë Botërore, vetëm e vetëm që të thotë “jemi në luftë, sepse e gjithë bota është në luftë”.

Albin Kurti e vuan mungesën e luftës. Atëherë kur ka qënë momenti për luftë, kur ka qënë momenti për “moral të lartë qytetar” ai nuk e kishte atë. Nuk po them që ishte frikësuar, se ndoshta “rrethanat” nuk kanë qënë të tilla. E tash, duke e parë Zelenskin se si është shndërruar diçka në mes të Liderit Global, Sex Simbolit e Rock Starit, Albinit kjo i duket tepër tërheqëse dhe e bëshme. Thjesht duhet ta nisim diku.

Kryeministri ka shkuar aq larg, sa ashtu në maje të plehut, të deklarojë që Kosova dhe NATO në mënyrë të barabartë po ia shohin hajrin njëra-tjetrës. Ka harruar si duket kur para nja dy viteve e kishte zbuluar atë tradhtinë e madhe të Thaçit, një letër në mes tij dhe NATO’s për forcat e KFOR’it në veri të Kosovës.

Ka harruar si duket edhe shkrimet e tij të para një dekade, kur fliste për prezencën e forcave të NATO’s në Kosovë, si për do forca joçlirimtare, por për do forca kolonizatore, që qëllim nuk e kishin lirinë e popullit të Kosovës.

Në këto kushte të reja, kur fuqitë e mëdha po i dridhin muskujt, edhe Kurti në kaçikun e tij po e bën të njëjtën gjë. Sigurisht prej studiove të ngrohta televizive, kur përballë nuk e ka tankun e armikut, por një gazetar të armatosur me një laps, madje kur edhe pyetjet janë të buta dhe të qeta.

Që një vit që është bërë kryeministër, Kurti nuk e ka pasur guximin të shkojë as në panele të forta televizive, ku i bëhen pyetje e jo përkëdhelje, e këndej e paska guximin për një luftë, sepse sipas tij askush nuk besonte as për luftën në Ukrainë, por ia që ndodhi. Në anën tjetër, po i njëjti kryeministër i fton qytetarët të mos bëjnë panik, të mos blejnë mallra nëpër shitore. Pra, ka mundësi që të bëhet luftë, bre i raftë mbi kokën e tij, por askush nuk duhet të frikësohet.

Populli i Kosovës, si askush tjetër në rajon e di çka është lufta, çka është morali qytetar dhe mungesa e armëve. Në Ukrainë, i gjithë Perëndimi po çon armë që nga viti 2014, kurrë pa u ndalur, kurse rezistenca ishte dhe vazhdon të jetë spartane. Rreth 40 milionë njerëz, në territorin e tyre, të armatosur deri në dhëmbë, e mëgjithatë e patën të pamundur që ta ndalin armikun që të mos futet në 1/3 e territorit të tyre. Mos të harrojmë, përveç armëve, i gjithë Perëndimi është duke e mbajtur të informuar ushtrinë e Ukrainës, me çdo gjë që forcat ruse po bëjnë.

I njëjti Perëndim po kërkon, po dëshiron, që në çdo cep tjetër të kontinentit, mundësisht të planetit, të ruhet qetësia. Është Rusia ajo që po kërkon që lufta e Ukrainës të replikohet kudo në botë, e posaçërisht në Ballkan.

Prandaj, pse ne duhet të nxitohemi? Pse ne duhet ta imitojmë Vulinin e Vuçiçin a Daçiçin? Cili është zori i Kosovës që të bëhet pjesë e ngritjes së tensioneve?

Kosova dhe i gjithë rajoni duhet të jenë të kënaqur me dobësimin e Rusisë, e cila është kroi ku Serbia pi ujë. Në rast se Rusia pëson disfatë në Ukrainë, e gjasat janë që po, zgjidhja e telasheve tona me Serbinë do të jenë si ta hash një copë tortë.

Prandaj, nxitimi i Kurtit për t’u bërë pjesë e një luftë botërore, është një nxitim i një kalamai që e sheh një natë Supermenin duke fluturuar në film, e të nesërmen edhe ai dëshiron ta provojë nga ballkoni i shtëpisë, por që këtë trimëri të tij, e paguan me ndonjë krah të thyer.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close