fbpx
Lajme

‘Kurti e ka pranuar Asociacionin, i modifikuar nga Catherine Ashton, e i cili ka ndryshuar vetëm simbolikisht’

Catherine Ashton ishte ajo që e kishte filluar procesin e dialogut Kosovë-Serbi para 10 vitesh, në kohën kur drejtonte politikën e jashtme dhe të sigurisë për BE’në. Kjo përvojë po i kryen punë. Ajo tani po punon në cilësinë e këshilltares së përfaqësuesit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, dhe po pretendohet se është ideatore e Asociacionit, por duke mos u quajtur një etnik, atë që kohëve të fundit po e përmend edhe kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti, kohëve të fundit shumë shpesh dhe hapur është deklaruar kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik. Por, kjo po vlerësohet se është vetëm një taktikë e Kurtit, dhe se ai e ka pranuar të njëjtin asociacion, i cili do të ndryshojë vetëm në simbolika. Pra ai nuk do të quhet Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, pasi në ato komuna jetojnë edhe komunitete të etnive tjera, por ku numri i tyre është pothuajse i papërfillshëm.

Ky variant i asociacionit, thuhet të jetë përgatitur nga Catherine Ashton, e cila ishte në krye të diplomacisë së BE’së në kohën kur kishin filluar negociatat Kosovë – Serbi, para 10 viteve.

Këtë e pretendon Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Social Demokrate në Kosovës. Ai në një intervistë për Euronews Albania, ka thënë se Kurti e ka pranuar Asociacionin, e përgatitur nga Catherine Ashton, e cila tash punon si këshilltare e ndërmjetësuesit të BE’së për negociatat Kosovë-Serbi, sllovakut Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne besojmë se Kurti tash e ka pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por ai po luan me terma fjalësh, për shkak se një kompani e cila udhëhiqet nga Katherine Ashton, ish’zyrtare e lartë e BE’së, që tani punon si këshilltare e Miroslav Lajçak, ka dorëzuar një dokument 16 faqesh sa i përket Asociacionit, dhe ka tentuar të shpjegojë se si duhet të implementohet i njëjti asociacion i vitit 2015, përveçse duhet të përdorur emërtime dhe terma të tjerë. Pra duhet të mos përdoren terma për kompetenca ekzekutive, por Asociacioni t’i ketë dhe t’i ushtrojë ato. Gjithashtu duhet të mos përdoret termi Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por një term tjetër, pasi nuk do të jetë asociacion një etnik, sepse në këto komuna ka edhe komunitete tjera, përveçse janë pakicë dhe e papërfillshme”, ka thënë Molliqaj.

Ndërsa deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, se Kosova duhet ta formojë Asociacionin, Molliqaj nuk e sheh si presion ndaj Kurtit, por vetëm si një strategji komunikimi në publik, për të ia ndihmuar kryeministrit kosovar që ta pranojë këtë marrëveshje.

“Ky presion ndërkombëtar nuk është presion ndaj Kurtit, është presion ndaj shoqërisë në Kosovë që është kundër për ta pranuar këtë. Prandaj kjo është dëshira e Kurtit, pasi e ka pranuar këtë proces të duket se po e ndryshon sado pak këtë dokument apo koncept të organizimit territorial. Në anën tjetër duket se ka njëfarë presioni ndërkombëtar, që ai në fund të thotë, se për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA’në dhe BE’në, ne u dashtë që ta pranojmë këtë. Nuk e di nëse janë marrë vesh për këtë, por se të dy palëve u shkon për shtati. Ata janë marrë vesh për rrugën dhe rezultatin e dialogut, e jo detyrimisht janë marrë vesh se çka të thonë njëri ose tjetri. Por çka thonë njëri ose tjetri t’i kontribuojë dakordimit të tyre që e kanë pranuar procesin e dialogut, dhe rrjedhimisht e kanë pranuar ndërmjetësuesin dhe kornizën e tij, është krejtësisht e qartë për ne”, ka thënë Molliqaj. /Reporteri.net

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close