Kurti: Nëse plani franko-gjerman ka defekte, fajet i kanë qeveritë e kaluara
Kanë kaluar tashmë dy vjet prejse ka marrë qeverisjen dhe plani franko-gjerman, siç është sqaruar në shumë raste, është një “kornizë e re” e dialogimit në Bruksel, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akoma nuk është çliruar nga nevoja për të hedhur faj në qeveritë e kaluara edhe kur bëhet fjalë për një marrëveshje potenciale të cilën e ka negociuar nga fillimi vetë.
“Nëse ka gjëra të cilat janë defektuoze në këtë nuk janë rezultat i negocimit tim po i trashëgimisë nga qeveritë e kaluara”, tha ai në Kuvendin e Kosovës, derisa argumentonte se si Marrëveshja e bazuar në propozimin franko-gjerman është e mirë, përkundër se nuk e ka njohjen në qendër.
Kurti e kishte bërë të qartë në disa raste se ai nuk nënshkruan dokument me Serbinë, i cili nuk parasheh njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithsesi, tani po thotë tjetër gjë.
“Njohja de jure e Serbisë është e qatë se nuk është në mënyrë eksplicite e thënë aty, por vetëm njohja de fakto ama është pjesë sekuenciale e planit, sepse aty parashihet që një marrëveshje finale do të arrihet ndërkohë si parakusht për avancimin e integrimit evropian të Serbisë”, deklaroi Kurti.
“Domethënë vetoja e Kosovës ndaj të ardhmes integruese të Serbisë përmes kësaj marrëveshje e merr edhe formën e një parimi juridik, sepse Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa një marrëveshje finale me Kosovën, gjë që nuk ishte juridikisht e obligueshme më përpara”, shtoi Kurti, por kjo dihet prej kohësh, sepse është bërë e qartë në shumë raste nga vetë Bashkimi Evropian që as Kosova dhe as Serbia nuk mund të anëtarësohen pa e zgjidhur problemin dhe pa normalizuar raportet.
Por, Kurti thotë se është kjo marrëveshje që saktëson se “Republika e Kosovës dhe Serbia do të ndër veprojnë si dy shtete të pavarura ndërkombëtarisht dhe të barabarta në çdo aspekt”.