fbpx
Lajme

Letra e Surroit: Rugova ishte i detyruar të lozte rolin e kuislingut (tradhtarit), e njeriut që kërkon ndërprerjen e bombardimeve

Një letër e Veton Surroit e shkruar në shtator të vitit 2002 për Adem Demaçin hedhë dritë të madhe edhe në debatet aktuale që po zhvillohen pas nisjes së gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Çka thuhet në këtë letër?

Nuk ishte tamam letër. Ishte letër publike që vinte pas kritikave të përsëritura nga Adem Demaçi kundër ekipit negociator të Rambouillet-së dhe tekstit të asaj marrëveshjeje.

“Dëshira për ta thënë së pari fjalën e fundit,” – e titullonte këtë letër/shkrim z. Surroi të botuar në Koha Ditore më 1 shtator të vitit 2002.

Aty ai do të fliste në mënyrë më direkte se kurdoherë më parë për rolin e Demaçit në UÇK, dhe përpjekjen e tij ‘destruktive’ në negociata.

Demaçi prapa ‘puçit’ në UÇK

Ju ftojmë të lexoni me kujdes këta rreshta të shkrimit.

“Nuk të mjaftoi vetëm presioni mbi Hashimin, i cili u soll me veprime të pamatura e të cilat do t’i lënë vragë në kancelaritë perëndimore gjatë gjithë karrierës së tij të ardhshme politike. Brenda natës, organizove puç në radhët e UÇK-së, duke e emëruar komandant një njeri që do të të dëgjonte, ndërsa e autorizove veten të jesh zëri i vetëm i UÇK-së.”

Edhe në fjalët e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë thuhej se Demaçi kishte pasur rol shumë të rëndësishëm, por nuk thuhej se kishte organizuar puç. E megjithatë, e tha Veton Surroi.

Mbrojtja në mënyrë që të tregonte se UÇK-ja nuk e kishte pasur funksionale strukturën vertikale të organizimit të saj, kishte paraqitur edhe një deklaratë nga komandanti Rrustem Mustafa Remi ku ai thoshte se ekipin negociator të prirë nga Thaçi e kishin kërcënuar se nëse nënshkruanin do ta rrëzonin me raketahedhës aeroplanin e tyre.

Dhe, Surroi vazhdon akuzat ndaj Demaçit duke thënë se ishte shndërruar në faktorin që kishte kontrolluar pjesëtarët e UÇK-së në Rambouillet.

“Kështu, ti që kishe qenë kundër negociatave, u shndërrove në faktorin që do të kontrollojë pjesëtarët e UÇK-së në to…” – shkruan publicisti kosovar që kishte marrë pjesë në këto negociata.

“Nëpërmjet celularit, ti kishe kontroll brenda sallës. Dhe atë që ndërtonte ekipi ynë negociator me mund, ti e prishje me një thirrje celulari…” – vazhdon tutje ai.

Ai ilustron rëndësinë e Demaçit te delegacioni i UÇK-së edhe duke e përmendur takimin në Lublanë me Hashim Thaçin.

Surroi tutje thotë se e ka pasur për qëllim që Demaçit “t’i merrej prej dore e drejta” të cilën e kishte vetëshpallur “që të fliste në emër të UÇK-së.”

UÇK nuk kishte strukturë vertikale komanduese

Veton Surroi ka qëndruar i heshtur kur Prokuroria Speciale në Hagë shpalosi akuzat e saj se UÇK-ja kishte pasur “strukturë vertikale komanduese” për t’i mëshuar idesë se ish-krerët e saj kishin pasur përgjegjësi për vrasjet e bëra.

Por, ai në mënyrë të fjalëpërfjalshme kishte mohuar një gjë të tillë në këtë shkrim.

“E lindur si lidhmëri mes grupeve kryengritësish, ajo (UÇK-ja) nuk arriti të krijojë strukturë vertikale komanduese. Vetëm në Rambouillet, mes pëshpërimave arritëm të kuptojmë se njëri prej pjesëmarrësve të delegacionit (Azem Syla) mund të ishte komandant i përgjithshëm i kësaj ushtrie, gjë që nuk fliste shumë mirë për strukturimin e saj.” – thoshte ai.

Surroi në këtë shkrim fliste edhe për prospektin që UÇK-ja të shpallej organizatë terroriste, një përpjekje e gjatë e Serbisë.

Ai e bën një gjë të tillë derisa kundërargumenton për rëndësinë e negociatave të Rambouillet-së për t’i mëshuar fjalëve të z. Demaçi.

“Pas dëbimit të qindra mijë njerëzve nga shtëpitë e tyre, shkatërrimit të UÇK-së si faktor ushtarak dhe shndërrimit të tyre në organizatë terroriste, Kosova do të trajtohej brenda kornizave të një autonomie të cunguar dhe, eventualisht, brenda një territori të cunguar.” – shkruante ai.

Por, edhe në atë kohë (2002) po arrestoheshin çlirimtarët e Kosovës dhe Demaçi ishte vënë kundër një gjëje të tillë. Surroi këtë kundërshtim e paraqiste me këto fjalë:

““Me paraqitjet e tua të këtoditshme i ke hipur një vale të re, valë e cila të kuptuarit e jetës sonë e ka thjeshtësuar në një formulë: në Kosovë po arrestohen çlirimtarët, me urdhër të Beogradit, e ekzekutim të ndërkombëtarëve.”

Zi e terr për Rugovën
Për ata që mund të kenë harruar, Veton Surroi e kishte hapur një parti politike të quajtur “Ora” pikërisht në kohën kur në pushtet ishte LDK-ja. “Ora” e tij kishte qenë parti opozitare bashkë me PDK-në.

E kjo mund të vërehet edhe në këtë shkrim, ku fliten fjalë të rënda për presidentin e ndjerë.

“Rugova ishte i detyruar të lozte rolin e kuislingut (tradhtarit), e njeriut që kërkon ndërprerjen e bombardimeve dhe fillimin e negociatave interne me Millosheviqin. Ato ditë, kishte më shumë dinjitet çdo kosovar i ngujuar me ditë në baltën e Bllacës se sa njeriu i cili pretendonte të ishte lider i tyre për dhjetë vjet rresht…” – shkruan Surroi.

Ai shkruan edhe plot fjalë të tjera rënduese ndaj Rugovës, duke e akuzuar edhe se “e kishte paralizuar tërë jetën shoqërore”. /nacionale/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close