Kush e kishte paralajmëruar vrasjen e Azem Hajdarit, cili ishte roli i Ali Ahmetit; FARK dhe PD synonin përmysjen
Në një intervistë të gjatë për gazetën DITA, Jaho Salihi, i dënuar me 101 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit pretendoi pafajësinë e tij, duke insistuar në manipulimin e hetimit dhe pavlefshmërinë e provave të mbledhura nga prokurorët dhe të pranuara nga gjykata më pas në këtë çështje.
Salihi, që pozicionohet si i pafajshëm, cek një tjetër valencë: paralajmërimin e vrasjes. Në këtë pistë thekson se vlen shumë ajo që quhet “linja kosovare” ose më saktë: linja e UÇK-së. Sipas tij, sskush nuk është investuar në verifikimin e disa të dhënave dhe zhvillimeve në muajt gusht-shtator të vitit 1998, që flasin për “dijeninë dhe pritshmërinë e rangjeve të larta të UÇK-së mbi vrasjen e një personi të rëndësishëm në Tiranë”.
Pas atentatit ku mbeti i vrarë Azem Hajdari dhe truproja e tij Besim Çera, një tjetër truprojë i Hajdarit qëlloi fatlum. Ai është Zenel Neza. Për këtë dëshmitar, Jaho Salihi në intervistë shprehet se ka ofruar për hetuesit dhe gjyqtarët të dhëna kontradiktore, duke theksuar se Neza në asnjë moment nuk ka lëshuar një deklaratë dhe dëshmi me shkrim, të firmosur.
Neza bëri një video-konferencë gjatë gjyqit dhe në finale rezulton se ai është shprehur se ishte dëmtuar rëndë nga plagosja me armë zjarri dhe se “me aq sa i kujtohej, Jaho Salihi edhe mundet të ishte vrasësi dhe personi që qëlloi mbi Hajdarin”. Pra, edhe mundet, një përgjigje që mund ta japë kushdo mbi këtë pyetje.
Përtej dëshmisë në gjyq të Nezës, ai rezulton të ketë dhënë një tjetër dëshmi, të incizuar, fill pasi kishte dalë nga reanimacioni. Këtë dëshmi e ka dhënë as më shumë e as më pak për vetë Sali Berishën. Në disa pamje, të transmetuara në emisionin “Xhungël” të Artan Hoxhës, duket Berisha në spital që i rri tek koka Zenel Nezës dhe komunikon me të. Ky kontakt është bërë pak orë pas vrasjes dhe mund të ndahet në dy episode. Episodi i parë është komunikimi mes Berishës dhe Nezës në prezencë të botuesit Ylli Rakipi, i cili duket qartë në pamje se mban një diktafon. Episodi i dytë është vetëm Berisha me Nezën, pa praninë e askujt tjetër.
Kaseta me incizimin e Nezës nuk dihet çfarë fati ka pasur. Por, nuk ka asnjë diskutim se ajo kasetë ka pasur një vlerë të padiskutueshme dhe asnjëherë nuk është kërkuar të administrohej nga organi i akuzës.
Neza ka qenë i sapodalë nga reanimacioni, në një gjendje të rënduar dhe të tronditur dhe pikërisht tek kjo gjendje e rënduar e tij qëndron dhe vlera e kasetës dhe incizimit. Zenel Neza ka folur në konfidencë dhe shumë pak kohë pas ngjarjes, duke mos ditur se si do të ishte fati i shëndetit të tij apo duke mos ditur se si do t’i shkonte halli kësaj çështjeje. Në këto rrethana psikike, ai ka rrëfyer në mënyrë të dokumentuar ngjarjen për “sido të shkonte puna”. Ai ishte i mbijetuari i artë, ishte asi nën mëngë i zbardhjes së asaj ngjarjeje, për çdo hetues. Por, çfarë ndodhi? Kaseta nuk dihet ku është apo nëse ekziston më.
Neza në deklarimet zyrtare ka thënë vetëm një “edhe mundet”, ndërsa Berisha, personi që i mori rrëfimin e rëndësishëm dhe që më pas disponoi incizimin, nuk u paraqit kurrë në gjykatë.
Berisha nuk shkonte në gjyq pasi i konsideronte “politike” prokurorinë dhe gjykatat. Berisha e kishte goditur politikisht procesin. Më pas, prokuroria tentoi në vitin 2001 me një lëvizje që ta impononte Berishën. Çoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të interpretuar nëse një deputet si Berisha mund të merrej forcërisht për të dëshmuar ose jo. Gjykata Kushtetuese nuk dha kurrë një përgjigje për këtë çështje. Por, ca vite më vonë, Berisha ka nisur një tjetër alibi që justifikonte refuzimin e tij për të dëshmuar.
Kur Jaho Salihi aplikoi në Gjykatën e Strasburgut dhe e pretendoi si shkelje të procesit refuzimin e “personit kyç” Berisha, shteti shqiptar, në vitin 2006 (Berisha ishte në pushtet), e justifikoi këtë mungesë me një arsye tjetër. Sipas Avokatit të Shtetit, Berisha nuk u paraqit asnjëherë në gjyq sepse “i rrezikohej jeta nga ndonjë atentat”.
Nga ana tjetër, nëse lexon me vëmendje aplikimin që Jaho Salihi ka bërë në Strasburg, gjen referenca për një numër dëshmitarësh që Prokuroria i ka marrë për bazë dhe i ka cilësuar si të rëndësishëm, ndërkohë që këta dëshmitarë në raste të përsëritura kanë kundërshtuar veten e tyre me detajet e dëshmive, për më tepër që dy prej tyre e jepnin dëshminë nga burgu. Ishin të dënuar për vepra të tjera edhe jashtë vendit.
Detaji i tretë pikant në hetimin e dosjes Hajdari është mungesa e autopsisë. Azem Hajdarit nuk i është bërë kurrë një autopsi zyrtare mjeko-ligjore. Pse?
I vetmi detaj është një deklarim “vullnetar” i një mjeku-ligjor për prokurorët. Sipas dosjes, për prokurorinë u vetë-ofrua mjeku-ligjor B. Y. që të jepte disa të dhëna. Sipas mjekut, ai natën e vrasjes kishte bërë një “këqyrje private”, me iniciativë personale të kufomave të Hajdarit dhe truprojës së tij dhe ofroi ato detaje që “mbante mend”. Menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet në vitin 2005, B. Y. u emërua drejtues i Institutit Mjeko-Ligjor në Tiranë.
Në aplikimin dhe dosjen që ka dorëzuar Jaho Salihi në Strasburg, i dënuari me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e Azem Hajdarit, rrëfen një bisedë tepër interesante dhe të panjohur më parë të bërë mes tij dhe Fatmir Haklajt pas vrasjes:
“Disa ditë pas vrasjes, aplikanti Salihi vijoi punën në komisariatin e policisë në Tropojë. Atje ai mësoi se z. Berisha e kishte cilësuar atë si vrasësin e Hajdarit. Të njëjtën ditë që mëson këtë fakt, ai takoi Fatmir Haklajn, nga ana e tij. Haklaj i tha Salihit se z. Berisha i kishte ofruar atij (Fatmir Haklajt), 200 milionë dollarë amerikanë, me qëllim që të mos rrëfehej mbi përfshirjen e tij (Haklajt) në vrasje. Pas një muaji, babai i Salihit dhe Fatmir Haklaj u vranë nga persona të panjohur dhe Salihi shkoi në Kosovë për t’u fshehur nga frika e ekzekutimit të tij. Ai i ka kërkuar zotit Berisha të paraqitej në gjyq dhe të shpjegonte marrëveshjen e tij prej 200 milionë dollarësh me Fatmir Haklajn”, shkruhet në aplikimin e Salihit në Gjykatën e Strasburgut.
Vrasja e Azem Hajdarit prek dhe një aspekt më të gjerë se thjesht akti i ekzekutimit të tij. Prek sidomos ekuilibrin e forcave dhe nëntokën e lojës së shërbimeve inteligjente me atë që po ndodhte në Kosovë. UÇK-ja nga një anë dhe FARK-u nga ana tjetër ishin dy organizime ushtarake që po operonin në atë kohë. Të dyja kishin lidhjet dhe ndikimet relative nga Tirana, si në konjukturë shërbimesh, por edhe në marrëdhënien e tregtisë së armëve. Hajdari dhe Berisha ishin të lidhur fort me linjën Bukoshi. E, brenda radhëve të FARK-ut ekzistonte një ushtarak i lartë që bënte lojë të dyfishtë.
Sot në arkivin e UÇK-së gjenden dokumente mirëfilli që flasin për paralajmërimet e kësaj strukture ushtarake për vrasjen që do të ndodhte në Tiranë.
B. H. ishte një ushtarak karriere që i shkoi në vitin 1997 Ali Ahmetit (drejtues i Zonës së Dytë Operative të UÇK-së) dhe iu ofrua për t’iu bashkuar lëvizjes. Por, Ali Ahmeti ishte “dhelpër” dhe i caktoi ushtarakut B.H një detyrë tepër interesante.
“Na duhesh më tepër në radhët e FARK-ut të Bukoshit, që t’i kemi nën kontroll ata. Do shkosh atje të ofrohesh dhe do të jesh lidhja jonë atje brenda në Shtabin e tyre”, e instruktoi Ahmeti. Këtë rol, ushtaraku B. H. e mori zyrtarisht, duke firmosur madje dhe dokumentin e infiltrimit në prani të krerëve më të lartë të UÇK-së asokohe. Sido që të shkonte puna, diku ekzistonte një dokument që vërtetonte përkatësinë e tij me UÇK-në, ndonëse shërbente formalisht pranë FARK-ut të Bukoshit.
Është pikërisht ushtaraku kosovar B. H. që informoi dhe dha alarmin në Gushtin e vitit 1998, një muaj para vrasjes së Azem Hajdarit, për atë që në fakt ndodhi më 12 shtator.
“Pranë shtabit të FARK-ut të Bukoshit, erdhi një informacion që opozita në Shqipëri, PD, së bashku me disa struktura të FARK-ut, po përgatitnin ngjarje të pazakonta në Shqipëri, që mund të sillnin edhe përmbysjen e situatës. Ishte periudha pik e sulmit të forcave serbe, sidomos në zonën operative të Dukagjinit, dhe një situatë e tillë, e jashtëzakonshme në Shqipëri, do të ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. Prandaj, ishte i natyrshëm interesimi i mëtejshëm. Informacioni i ardhur në të njëjtën rrugë sillte të dhëna konkrete për ngjarje të rënda që mund të ndodhnin në shtator 1998, sidomos për një lëvizje që mund të sillte përmbysjen e pushtetit, që drejtohej nga socialistët. Ky informacion, së bashku me të dhënën se po organizohej një skenar i ngjashëm me atë që kishte ndodhur disa dekada më parë në Shqipëri, me vrasjen e Avni Rustemit, ishte shumë tronditës, dhe për këtë, përmes ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli, personalitet i lidhur ngushtë me lëvizjen çlirimtare, iu dërgua edhe strukturave të larta të shtetit shqiptar. Fakt është se lëvizja për përmbysjen e pushtetit do të kishte një drejtim të kundërt me atë të ndodhur disa dekada më parë. Ajo do të vinte nga veriu dhe kjo ishte dyfish e rrezikshme, pasi atje ndodheshin edhe portat e dërgimit të logjistikës për UÇK-në. Ngjarjet e më pasme, vrasja e Azem hajdarit dhe dhuna e 14 shtatorit, dëshmoi se gjithçka kishte qenë e saktë”, dëshmon për DITA një nga krerët e organizatës politike të UÇK-së që disponon të gjithë dokumentacionin arkivor që vërteton këtë fabul. /Dita/