fbpx
Lajme

Lirim Mehmetaj me kritika për Jeta Xharrën: Organizatat e shoqërisë civile e përbëjnë llumin e shoqërisë

Lirim Mehmetaj

Jeta Xharra me BIRN-in dhe produktet e BIRN-it në Kosovë i ka ndihmuar ambientit mediatik në vend qaq sa balena mishngrënëse ORCA me Rron Gjinovcin i kanë ndihmuar cilësisë në arsim – zero.

BIRN-i sot kishte lëshuar një produkt, tip webi, që supozohet se do ta bëjë më transparente mënyrën se si financohen mediat dhe kush qëndron prapa tyre.

U futa për ta parë dhe ashtu siç prisja, një tjetër vjelje fondesh dhe asgjë më tepër.

Aty thjesht kishte emrat e pronarëve të mediave, diçka që fare lehtë mund ta gjeni në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, mjafton ta shkruani emrin e mediumit.

Megjithatë, pati diçka më paradoksale se kjo.

Kallxo, që është një produkt i BIRN, nuk kishte asnjë emër për pronësinë.

D.m.th në vetë platforma e BIRN-it nuk tregon se kush janë personat prapa Kallxo.

Aty ku duhet dhënë struktura e pronësisë shkruan “Internews Kosova dhe BIRN Kosova”. Por, nuk shkruan kush është personi që udhëheqë me Internews Kosova e as me BIRN Kosova.

Për shembull, siç ishte për mediumin “Nacionale”, ku thuhej se është produkt i “Media Group Publico L.L.C.”, por më pas tregohet edhe se “Media Group Publico është themeluar nga Berat Buzhala dhe Besnik Kallaba” dhe gjithashtu shpaloset se kush sa aksione ka.

Për Kallxo nuk ka të dhëna të tilla se kush janë personat prapa kompanive.

Derisa shkruan se dy kompanitë që janë pronare janë organizata jo fitimprurëse dhe funksionojnë me donacione, nëse futesh në faqe aty sheh se ka reklama të kompanive private.

Si mund të jesh kompani jo fitimprurëse e po sa ta hapësh faqen të del reklama sa krejt faqja e një banke private në Kosovë?

Si mund të marrësh para si donacion me qëllimin e vetëm që të jesh i paanshëm e më pas të marrësh para edhe nga kompanitë private për ta cenuar këtë paanshmëri?

A dini ju një tjetër organizatë që thotë se financohet nga fondet dhe më pas funksionon si biznes privat me reklama?

Paradokset me BIRN-in në Kosovë nuk përfundojnë këtu.

Duke pasur si mision fuqizimin e demokracisë në Kosovë, organizata përbën një nga institucionet më jo demokratike vetë.

Jeta Xharra, si ta kishte pronë private, prej themelimit e deri tash ka mbetur udhëheqësja e vetme e saj. Shtetet edhe nuk lejojnë kësi kohëgjatësie të individëve në pushtet, ama BIRN-i i blinduar me një udhëheqës që 20 vjet.

Çfarë bën për të qeshur shumë është se kur RTK-ja dihej ashiqare që është e kontrolluar nga politika, Jeta Xharra kishte emision politik në po atë RTK të kontrolluar, derisa merrte fonde për të mos qenë e kontrolluar. Me çka hahet kjo?

Në Serbi gazetarët e BIRN-it ndiqen nga qeveria për t’u vrarë. Në Kosovë gazetarët e BIRN-it janë miq të mirë të Qeverisë.

Për një kohë – nuk e di se a është akoma ashtu – vetë gazetarë që kanë punuar në BIRN më tregonin se si Haki Abazi shkon aty si të ishte pronari i kompanisë. Për shkak të mundësimeve që iu krijonte Abazi për të marrë fonde, ai i kishte siguruar vetës udhëheqjen faktike.

BIRN e ka themeluar edhe një platformë që quhet “Krypometër”. Medemek identifikon ‘lajmet e rrejshme’ nëpër media. Prej se e ka filluar këtë monitorim, nja tre herë e di unë që kanë rënë vetë n’të.

Normalisht, ato të vetat nuk i shfaqin.

Kallxo, një nga mediumet me kushtet më të mira të punës dhe personel sa të duash, pothuajse s’ka tekst në të që nuk gjen gabime elementare në drejtshkrim.

Asgjë s’i kanë bërë politikanët këtij vendi, çka i kanë shkaktuar dëm këta të organizatave “jo qeveritare” që kanë vjelë fonde.

Shumica e organizatave, të ashtuquajtura të shoqërisë civile, përbëjnë thelbin e llumit dhe ndotjes në shoqëri.

Shumica prej tyre janë jo demokratike, të padobishme, thellësisht të politizuara, në shërbim të partive të caktuara politike dhe përlyejnë imazhin e vendit më shumë se kushdo tjetër.

P.S

Për fund edhe një histori personale me BIRN në Kosovë, por pa shumë detaje meqë ishte një takim i mbyllur dhe s’e kam lejen e palës tjetër për ta treguar të plotë në publik.

Para disa vitesh shkuam për t’ia treguar Jeta Xharrës disa incizime që besonim se janë të vlefshme dhe me interes për publikun, ku implikoheshin zyrtarë të lartë në institucione të shtetit.

Meqë ishim media e vogël kërkuam ndihëm e BIRN-it për t’i bashkë-prodhuar materialet.

Xharra dhe një person tjetër që ishte me të, që nuk e di çfarë posti kishte, po nga qëndrimi dukej se përbënte dikë të rëndësishëm brenda zyrës, na refuzuan.

Ose u mungonte sensi gazetaresk për ta kuptuar sa të rëndësishme ishin ato incizime për të dal në publik, ose nuk donin të përfshiheshin për ndonjë arsye tjetër.

Incizimet i punuam dhe i nxorëm si lajme. Rezultuan me një super skandal dhe plotë shkarkime të personave shumë të korruptuar në pozita të larta të shtetit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close