fbpx
Lajme

LPK doli kundër Thaçit dhe delegacionit kosovar për Marrëveshjen e Rambujesë

Në vitin 2016 portali pashtriku dhe autori Sheradin Berisha kishin publikuar deklaratën e Kryetarit të LPK-së z. Bedri Islami i cili kishte kundërshtuar Marrëveshjen e Rambujesë. Njësoj kishte vepruar edhe LKÇK. Këtë e ka konfirmuar ish kryetari i LKÇK-së z. Avni Klinaku. Pavarësisht kësaj, lideri i delegacionit kosovar z. Hashim Thaçi nuk i ka dëgjuar dhe e ka nënshkruar marrëveshjen e cila i hapi rrugë intervenimit të NATO-s.

Ja komunikata e plotë:

KLARATË E LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS – DEGA JASHTË VENDIT MARREVESHJA NUK DUHET TË NËNSHKRUHET –

Lëvizja Popullore e Kosovës deklaron se asnjëri prej anëtarëve të saj, në çfardo strukturash të jetë, nuk është i autorizuar të nënshkruajë për autonominë e Kosovës. – Obligohen të gjithë anëtarët të cilët kanë tashmë detyra të rëndësishme në radhët e UҪK’së që të përcaktohen qartë në mbështetje të kësaj deklarate dhe të qëndrimit politik të Organizatës. Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Dega jashtë vendit, në mbledhjen e tij të datës 6 mars 1999, analizoi dhe diskutoi me ndjenjë të lartë përgjegjësie Dokumentin “Marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetadministrim në Kosovë”, paraqitur në Takimin e Rambujesë. Duke e shikuar në tërësi Dokumentin e paraqitur, lidhur ngusht me të sotmen dhe me aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë, me përcaktimin e tij për Pavarësi dhe prosperitet, dhe me të gjitha zhvillimet e tjera të mundshme, Këshilli i Përgjithshëm i LPK’së, duke u mbështetur edhe në mendimin e këshillave popullorë, në mënyrë unanime, vendosi të deklarojë, se kjo marrëveshje nuk duhet të nënshkruhet, pasi në Dokumentin e paraqitur nuk realizohet asnjëra prej aspiratave të popullit tonë. Lëvizja Popullore e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, krijuese e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, deklaron qartë se askush nuk mund të paragjykojë të ardhmen e Ushtrisë Ҫlirimtare – e cila ka qenë dhe mbetet shpresa e vetme reale për Pavarësinë e Kosovës. Lëvizja Popullore e Kosovës, deklarohet kundër nënshkrimit të “Marrëveshjes së përkohshme për paqe dhe vetadministrim në Kosovë”, sepse: – Populli shqiptar është përcaktuar me referendum për Pavarësinë e Kosovës. Ky përcaktim historik nuk është në Dokument. Pa një përcaktim të tillë, pa të drejtën e vetëvendosjes së popullit tonë për të ardhmen e tij, nuk mund të nënshkruhet asnjë lloj Dokumenti. Nënshkruesit e tij do të mbartin përgjegjësi historike. – Lëvizja Popullore e Kosovës, nuk pranon që të nënshkruhet një Dokument ku është përcaktuar ruajtja e integritetit të mbetjes jugosllave – sepse kjo do të ishte pranim i një shkalle të ulët autonomie, mbetje nën Serbi, dhe sepse ajo, LPK, ka luftuar e do të luftojë për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. – Lëvizja Popullore e Kosovës është dhe do të mbetet për fuqizimin, strukturimin dhe modernizimin e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Ajo përcaktohet prerë se është kundër çdo lloj paramendimi për shpërndarjen e saj, për transformimin në parti apo shoqatë politike. Ajo dënon çdo tentativë për nënshkrimin e çdo marrëveshje për çarmatosjen e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Ajo është krijuar jo për të kapitulluar, por për të mbrojtur popullin e saj nga vrasjet, mizoritë dhe dhuna serbe. – Lëvizja Popullore e Kosovës është për një Konferencë të re për Kosovën, në të cilën pa paragjykime dhe mbi bazën e të drejtës historike të popullit për të jetuar i lirë dhe i pavarur – të merren vendime historike për të ardhmen e Kosovës. – Lëvizja Popullore e Kosovës deklaron se asnjëri prej anëtarëve të saj, në çfarëdo strukturash të jetë, nuk është i autorizuar të nënshkruajë për autonominë e Kosovës. – Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Dega jashtë vendit, obligon të gjithë anëtarët e këtij forumi drejtues, të cilët kanë tashmë detyra të rëndësishme në radhët e UҪK’së që të përcaktohen qartë në mbështetje të kësaj deklarate dhe të qëndrimit politik të Organizatës. Ajo u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj, të cilët janë në radhët e UҪK’së apo në territoret e tjera të Kosovës që të përmbushin vendimin e Organizatës. Këshilli i Përgjithshëm i LPK’së, Dega jashtë vendit Kryetari: Bedri ISLAMI

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close