Lushtaku: Me Thaçin e Abejën e 50 vetë u nisëm për Kosovë, na thanë Adem Jashari ka dalë nga rrethimi
Ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës z. Sami Lushtaku në një intervistë të mëhershme për emisionin “Pa Rrotlla” kishte treguar se ku ishte ai gjatë kohës së sulmeve ndaj familjes Jashari.
“Unë në Kosovë kam hy me Fehminë e Xhevë Lladrovcin, me Hashimin, Kadrinë, me Jakup Nurën, Abeja ka qenë, Fatmir Limaj, komandant Kumanova, e shumë shokë tjerë, me keqardhje që s’un po i përmendi të gjithë sepse ishte një numër prej 52 vetash. Ne jemi nisur për Kosovë pa e ditur se është vra Adem Jashari, jemi nis gjatë luftimeve që kanë ndodhë në Prekaz, dhe gjatë gjithë kohës jemi munduar të informohemi rreth gjendjes në Prekaz, çka po ndodhë me Komandantin legjendar Adem Jashari, ne asnjëherë deri kemi ardhur në Kosovë nuk kemi marr lajmin se Ademi është vra. Realisht të gjithë na kanë thanë që Ademi ka dalë prej rrethimit dhe Ademi është ka i komandon forcat e UÇK-së”, shtoi Sami Lushtaku.
Ai më tutje tregoi se “Unë e mbaj mend që kur kam folë me Fehmiun e Xhevën e shumë shokë të tjerë, ideja ka qenë që mos me e taku bacin Rifat, sepse e ki parasysh ndjenja që ishte, ishte tepër e randë sepse ne kishim disa informacione që nuk ishin krejt të sakta, megjithatë, ato informacione që i kishim për neve ishin tepër të randa, dhe në njëfar forme edhe të papranueshme edhe pse ishin reale”.
Sami Lushtaku tregon se “Fehmiu dhe Xheva dhe ne të gjithë që ishim bashkë, vendosëm që mos me taku bacin Rifat, dhe mbaj mend që Ramizin e kemi kthy me dhunë sepse ai tentojke me ardhë me çdo kusht, po realisht ne që ishim bashkë me Fehminë e me Xhevën dhe me shokë të tjerë, e kemi lutë shumë e sidomos unë e kam lutë shumë, që ai të jetë në Gjermani, dhe s’paku të kujdeset edhe për familjet tona edhe të kujdeset për logjistikë sepse ne e dishim që gjendja e ushtarëve të UÇK-së ishte tepër e randë, e mbaj mend atë kohë që vetëm anëtarët e Lëvizjes i ndihmonin pjesëtarët e UÇK-së”.