Lutfi Haziri APEL: S’ka vizita familjare në këtë Fitër Bajram
Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, është mbajtur takimi i Komitetit për menaxhimin e emergjencave kundsër përhapjes së Covid-19, duke e vlerësuar gjendjen e përgjithshme në prag të Fitër Bajramit.
Haziri ka hënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet, sipas rekomandimeve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, për hapat dhe masat në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
“E falënderoj KBI-në që këtë muaj ka organizuar aksionin e solidaritetit, duke qenë pranë familjeve në nevojë dhe duke begatuar sofrën e tyre në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit. Unë i uroj të gjithë qytetarët e Gjilanit për festën e Fitër Bajramit, por bëhuni gati për festë në kohë pandemie, pa vizita familjare dhe pa vizita tradicionale në kohë të Bajramit”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri ka njoftuar se nuk ka pasur raste të reja me Covid-19, duke shtuar se janë 32 persona në vetizolim dhe me simptoma të lehta.
“Ju lutem përmbajuni rregullave të pandemisë, për ta larguar burimin e katër të infeksionit. Ka ardhur koha që të hapet shoqëria jonë, të hapet sektori i shërbimeve dhe gastronomia, por edhe të hapen kufijtë. Ka ardhur koha që bashkatdhetarët tanë, prindërit, familjet tona ta kenë mundësinë që të kthehen në vendin e tyre, për të shuar mallin për vendlindjen. Besoj që me edukatë kemi arritur të mbrohemi. Edhe ne kemi mësuar si shtet se si mbrohemi por edhe qytetarët janë edukuar për këto masa mbrojtëse në kohë pandemie”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Ndërsa në fjalën e tij, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, për kulturën dhe disiplinën që kanë treguar gjatë kësaj kohe, e në vecanti gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit.
“Ekspertët shëndetësor kanë vlerësuar se ende nuk janë plotësuar kushtet që ne të kthehemi nëpër xhamitë tonë. Është vendim i kryesisë dhe institucioneve tona që xhamitë të mos hapen dhe edhe këtë festë ta kalojmë vetëm me familjet tona. Janë anuluar edhe të gjitha organizimet e Bashkësisë Islame në Gjilan për pritjen e vizitave uruese”, tha ai.
Ai ka njoftuar se KBI, përmes shoqatës Bereqeti, ka shpërndarq 1180 pako ushqimore, për familjet në nevojë.
“Do t’i mbështesim të gjithë ata që nuk i kanë kushtet e mira që këtë festë, që ta kalojnë së bashku dhe të barabartë me të gjithë ne. E lusim Zotin që të jetë i kënaqur me veprimet dhe punët tona gjatë këtij muaji”, theksoi Aliu.