MARJAN DEMA NËNSHKRUAN DIPLOMËN E STUDENTES QË DYSHOHET SE ËSHTË FALS
Rektori Marjan Dema dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Ethem Çeku nënshkruan diplomën e një studenteje që dyshohet se e kreu në mënyrë të jashtëligjshme Fakultetin e Edukimit. Profesoresha Valbona Berisha ka ngritur kallëzim penal ndaj Demës, Çekut dhe dy zyrtarëve të tjerë të Universitetit të Prishtinës. Ajo i implikon Demën e Çekun në veprime të kundërligjshme që dyshohet se i kanë kryer me qëllim “shpërblimin” e studentes.
Në nëntorin e vitit 2016, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme Fakulteti i Edukimit (FE) i lëshoi diplomën studentes me inicialet G.G, edhe pse sipas pretendimeve të profesoreshës së FE-së Valbona Berishës, studentja në fjalë kreu fakultetin në mënyrë të kundërligjshme.
Në një kallëzim penal që profesoresha e lëndës MNjNM në Fakultetin e Edukimit Valbona Berisha ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit, ajo ka akuzuar rektorin e Universitetit të Prishtinës Marjan Demën dhe dekanin e FE-së Ethem Çekun, për nënshkrimin e diplomës së studentës G.G..
Profesoresha Berisha pretendon se zyrtarë të Fakultetit të Edukimit kanë ndërhyrë në llogarinë e saj, në sistemin SEMS (sistemi elektronik i njoftimit në UP), me qëllim që të fshihet nga lista e studentëve të notuar në muajt janar, prill dhe qershor të vitit 2016 studentja G.G., e cila kishte marrë notë jo kaluese në të gjitha këto provime.
“Çështja e studentes në fjalë ka qenë në procedurë disiplinore për shkak të falsifikimit në SEMS (sistemi elektronik i notimit i UP-së)”, thuhet në kallëzimin penal që profesoresha Valbona Berisha ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit, të cilin e ka siguruar Gazeta Online Insajderi.
Profesoresha pretendon se këto veprime janë realizuar për ta “shpërblyer” studenten G.G..
Përveç kësaj, profesoresha pretendon se gjatë kësaj procedure studentja e njëjtë, përsëri kundërligjshëm është transferuar në degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë. Ajo thotë se kjo është bërë me një qëllim të caktuar, raporton Gazeta Online Insajderi.
“Me qëllim që në provimin për të cilin është bërë falsifikimi, të nënshtrohet te një profesor tjetër”, ka thënë profesoresha Berisha, në kallëzimin penal që ka deponuar në prokurori.
Berisha ka thënë se zyrtarët e Fakultetit të Edukimit kanë tentuar ta manipulojnë me një vendim të nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Edukimit Ethem Çeku, mbi transferimin e studentes në fjalë në “degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë”.
Madje, në kohën kur është kryer transferimi i studentes G.G. në degën e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë, ajo degë ka qenë e mbyllur.
Sipas profesoreshës, zyrtarë të Fakultetit të Edukimit kanë kryer edhe një ndërhyrje të dytë në llogarinë e saj të SEMS-it.
“Me datën 7.10.2016, derisa procedura ishte ende në ‘shqyrtim’, me një kontrollim rutinor të llogarisë sime së SEMS-it, e vërejta se ka ndodhur edhe ndërhyrja e dytë retroaktive, ku tani po e njëjta studente është rikthyer në listat e të tri afateve (janar, prill dhe qershor)”, thuhet në kallëzimin penal, teksa bëhet e ditur se edhe për këtë ndërhyrje është njoftuar me e-mail rektori Marjan Dema.
Profesoresha e lëndës MNjNM shprehet se kjo ndërhyrje në sistemin e saj të SEMS-it është bërë me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe manipulimit të rastit.
“SEMS-i është program elektronik në të cilin udhëhiqen gjitha të dhënat e studentëve të UP-së. Secili profesor ka llogarinë e vet personale, nëpërmjet të cilës noton studentët. Pra, mirëmbajtësit e SEMS-it kanë ndërhyrë jashtëligjshëm në llogarinë time të SEMS-it, ndërsa dekani, sekretari i Fakultetit të Edukimit, rektori dhe sekretari i përgjithshëm nuk kanë kthyer përgjigje për rastin”, ka thënë Berisha.