Marrëveshja e Washingtonit po zbatohet: Qeveria Kurti tërhiqet nga aplikimi në Interpol
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka konfirmuar se këtë vit Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në Interpol.
Kjo besohet se ka ndodhur pasi që Kosova ka nënshkruar një moratorium për mos-aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare në këmbim të ndaljes së fushatës së çnjohjeve nga Serbia.
Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte premtuar publikisht se nuk do ta respektonte Marrëveshjen e 4 shtatorit të arritur në Washington, dhe me këtë mos-respektim Kosova nuk do të kishte obligim që t’i përmbahej marrëveshjes e kësisoj të aplikonte edhe për anëtarësim në Interpol por edhe në Unesco.
Kurti kishte deklaruar se “nuk ka asgjë të mirë në të [marrëveshjen e 4 shtatorit] dhe se do të rishqyrtohet.
Megjithatë, deklarata e sotme e Xhelal Sveçlës jep indikacione se Qeveria Kurti do ta respektojë këtë marrëveshje përkundër premtimit gjatë fushatës elektorale.
Ky do të jetë vetëm premtimi i fundit i shkelur nga Kurti, pasi dje ministrja e tij Rozeta Hajdari shfaqi mos-besimin edhe për masën e Reciprocitetit ndaj Serbisë.
Nuk dihet nëse Kurti do të vazhdojë të ndryshojë qëndrimet, por deri më tani dihet se Reciprociteti, Marrëveshja e Washingtonit, Ambasada në Jerusalem, konflikti izraelito-palestinez, pagesa e energjisë për serbët në veri janë disa nga çështjet për të cilat qëndrimi i është ndërruar. /Periskopi /