Më shumë se 30 vërejtje nga Venecia – A duhet të kthehet në pikën zero konfiskimi i pasurisë?
Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin në lidhje me ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Ligj ky i proklamuar me shumë pompozitet e eufori nga pushteti.
Euforinë e qeverisë duket se e zbehi ky opinion, i cili gjeti shkelje e vërejtje pothuajse në secilin nen të draft-ligjit.
Shkelje e të drejtave të njeriut, rrezik për politizim të byrosë, mos-garancë për luftim të korrupsionit, këto janë vetëm disa nga gjetjet e komisionit për ligjin e hartuar nga ministria e drejtësisë, e që po konsiderohet “shuplakë” e fortë për hartuesit.
Vetë ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, në një debat në KTV e pranoi se kanë evidentuar mbi 30 vërejtje, që Venecia ka gjetur në këtë ligj. Haxhiu tha se, 6 nga to janë të rëndësishme. Kështu duke sinjalizuar se vetëm 6 vërejtje do të merren parasysh, e pjesa tjetër do të interpretohet sipas mënyrës së tyre.
Shoqëria civile me vërejtje të mëdha – ligji të kthehet në pikën zero?
Vërejtje të mëdha, e vlerësim tepër negativ nga Venecia për këtë ligj, e kanë komentuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të cilët e kanë përcjellë nga fillimi këtë proces.
“Vlerësimi i Komisionit të Venecias për këtë Projektligj, në Opinionin e tyre, të datës 20 qershor 2022, është tejet negativ. Sipas Komisionit, në çështje të caktuara, Projektligji dështon të respektojë edhe standardet minimale të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Për Komisionin e Venecias është esenciale që, pa marr parasysh qëllimin legjitim të kësaj mase, e njëjta të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e vendit dhe standardet evropiane, në veçanti në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Në këtë drejtim, Komisioni gjen probleme serioze të Projektligjit” thuhet në vlerësimin e IKD-së.
Madje sipas tyre, ky opinion i Komisionit të Venecias lë hapsirë për dyshim, nëse një Byro e tillë duhet të themelohet.
“Pothuajse nuk ka element të rëndësishëm të Projektligjit që Komisioni i Venecias nuk i bën të paktën një vërejtje. Komisioni vë në dyshim edhe vetë nevojën për krijimin e një institucioni të veçantë siç është Byroja”.
Tutje IKD, kërkon që ky projektligj të tërhiqet nga Kuvendi e të bëhet një rishikim i thellë. Sipas këtij instituti deri të këto anomali, ministria erdhi pasi nuk u konsultuan mjaftueshëm me shoqërinë civile.
“Komisioni i Venecias jep vërejtje të mëdha për shumë aspekte të këtij Projektligji. Marrë parasysh problemet e shumta të tij, do të nevojitet që të tërhiqet Projektligji nga Kuvendi dhe të bëhet një rishikim i thellë i tij, për ta sjellë atë në linjë me Kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare, konform Opinionit të Komisionit të Venecias. Në fund, duhet theksuar që ky Projektligj i mangët është miratuar në Qeveri dhe dërguar në Kuvend pa një konsultim adekuat publik. Në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, Ministria e Drejtësisë shkurtoi afatin e konsultimeve për këtë Projektligj në vetëm gjashtë ditë pune, duke pamundësuar dërgimin e komenteve cilësore për një Projektligj kaq të detajuar”, thuhet në opinion.
Kurse, sipas Albert Krasniqit nga Demokracia Plus, opinioni i Venecias vë në dyshim nevojën për themelimin e këtij organi, pasi sipas tij një ligj i tillë veç që nuk garanton luftimin e korrupsionit, rrezikon edhe shkeljen e të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutë.
“Komisioni i Venecias ka konstatuar të meta serioze në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilat i kishim ngritur me kohë. Në raportin e publikuar bëhet thirrje që të rishqyrtohet në tërësi nevoja për themelimin e këtij organi. Vihen dyshime që më shumë do të ndërlikonte të gjithë sistemin, sesa që do të mundësonte luftimin efektiv të korrupsionit. Nëse do të miratohej ky projektligj, do të përbënte rrezik për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e vendit”, ka shkruar Krasniqi në facebook.
Tutje Krasniqi kërkon që ky projektligj të tërhiqet me urgjencë prej kuvendit, e të angazhohen ekspertë të mirëfilltë për ta ri-hartuar nga fillimi ligjin, pasi sipas tij lufta kundër korrupsionit nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të ulëta.
“Byroja nuk do të kishte as pavarësi në punën e saj dhe do të ishte tejet e ekspozuar ndaj ndikimeve të politikës. Me fjalë të tjera, do të ishte një mekanizëm i rrezikshëm në duart e partive në pushtet për të shantazhuar dhe linçuar kundërshtarët politik. Qeveria duhet ta tërheq menjëherë këtë projektligj nga Kuvendi, për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ministria e Drejtësisë duhet të angazhojë ekspertët më të mirë, jo të atillë që mendjen e kanë tek “pitja”, e cilësinë e ligjeve e krahasojnë me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të ulëta politike. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë qëllim në vete”, thotë më tutje Krasniqi.
Ende nuk dihet nëse ministria e Drejtësisë do t’i marë seriozisht rekomandimet e komisionit si dhe vërejtjet e shoqërisë civile në lidhje me perpilimin e këtij ligji. Po të mos ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, atëherë ky Ligj me gjasë do të miratohej në Kuvend, pasi vetëm ishte futur në rend të ditës.