Mehmet Kraja në librin e tij “Vite të humbura” e përshkruan veten si spiun i KOS-it
Mehmet Kraja, aktualisht kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili që nga vitet e 90-ta ishte përfolur si bashkëpunëtor i Shërbimit Kundërzbulim të Ushtrisë Jugosllave (KOS), në një prej librave të tij kishte shkruar edhe vetë për këtë.
Në librin e tij publicistik “Vite të humbura”, ku shkruan për biografinë e themeluesve të LDK-së, Kraja e kishte përshkruar edhe biografinë e tij publike.
“Por, vërtet, cilët ishim ne dhe a kishim njolla në biografitë tona? Përse të mos shtrohet publikisht edhe kjo çështje, për ne që ishim, për të tjerët që erdhën pastaj dhe për ata që janë sot? Disa mendojnë se hapja e çështjes së biografive është shumë kontraproduktive për rrethanat në të cilat gjendet Kosova, se organizimi politik në Kosovë duhet të përfshijë „të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë“. Në rregull, por ne duhet gjithashtu të kemi para sysh se rrethanat ishin dhe vazhdojnë të jenë tepër të ndieshme dhe nuk e konsideroj aspak punë pa mend, nëse për një grup njerëzish, për ata që janë „në krye“, të thuhet publikisht ajo që dihet ose që është për t’u thënë, pa insinuata, pa mëri personale etj. Parimisht do të duhej të ishte kështu. Mirëpo, unë e di gjithashtu se kjo, pra, puna e biografive është rruga më e shkurtër për të krijuar përçarje të rënda dhe të pandreqshme ndër shqiptarët. Tashi që dihet se këto përçarje ekzistojnë, për mua ende mbetet dilemë e pasqaruar: mos do të ishte më mirë që edhe këtë punë ta bënim publikisht, sesa që e bëjmë fshehurazi dhe me prapaskena? Sido që të jetë, për biografitë e atyre që themeluan LDK-në një herë u pëshpëritën dhe pastaj u thanë publikisht disa gjëra, kryesisht negative. Ç’është e vërteta, shumica nga themeluesit i takonin kategorisë së njerëzve me biografi publike. Por kjo, si zakonisht, do të jetë ana më e parëndësishme e medaljes. Përveç kësaj, që të gjithë kishim qenë anëtarë të Lidhjes së Komunistëve. As kjo nuk mund të mohohet. Vetëm një gjë duhet ditur: Lidhja e Komunistëve të Kosovës kishte diku mbi njëqind mijë anëtarë, kurse, bie fjala, në „Rilindje“ mbi 90% e gazetarëve ishin anëtarë të LK-së. E tillë duhej të ishte përqindja edhe nëpër institucione të tjera, përfshirë edhe Universitetin, edhe Institutin Albanologjik, edhe Akademinë. Pra, sipas kësaj logjike, ne nuk ishim kundërshtarë të hapur të sistemit të mëparshëm dhe asnjëri prej nesh nuk kishte qenë as i dënuar politikisht dhe pjesëtar i ndonjë grupi ilegal të Kosovës. E, megjithatë, biografitë tona ishin publike, kurse dosjet, njësoj si për të gjithë të tjerët, i ka policia e Serbisë dhe ajo, në ndonjë çast të përshtatshëm, do t’i përdorë”, shkruan Kraja në librin e tij publicistik, përcjell Demokracia.com.
Ndërkaq, sa u përket biografive publike, Kraja shkruan se Rugova, ta zëmë, ishte një kritik letrar i avancuar, me një dyzinë librash të botuar, me shumë kompromise „altruiste“ në fushën e letërsisë dhe që gjatë punës së vet në Institutin Albanologjik nuk ishte shquar as për bashkëpunim intensiv me pushtetin e as për kundërvënie të hapur ndaj tij. Megjithatë, puna e tij publike ishte thellësisht kombëtare.
“Nëpër koluare do të flitet se ai kishte bërë një shkrim për Titon me rastin e një simpoziumi, ku Titon e quan figurë në të cilën janë mishëruar idealet e shqiptarëve të Kosovës dhe të Jugosllavisë. Unë nuk e kam lexuar atë shkrim dhe nuk e di ku është botuar”, shkruan ai.
Sipas radhës, Buxhovi. Kraja për Buxhovin thotë se ishte gjithashtu shkrimtar me një dyzinë librash të botuar, romane, novela, drama, recensione dhe shumë shkrime nga publicistika të botuara në „Rilindje“.
“Në kohën e lulëzimit të autonomisë, katër vjet kishte qëndruar si korrespodent i „Rilindjes“ në Gjermani. Privilegj i madh për atë kohë. Në shkrimet e tij, të çfarëdo natyre qofshin, nuk kam lexuar ndonjëherë të angazhohet për diçka tjetër, përveç për çështjen kombëtare. Për të do të pëshpëritet se, gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani, kishte bashkëpunuar me organet e pushtetit dhe të sigurimit jugosllav. Çdo gjë në nivel të hipotezave dhe spekulimeve, pavarësisht se do të jetë personi që do të na nxjerrë më së shumti andralla me biografinë e tij.
Më pas Kraja e kishte përshkruar edhe biografinë publikë të profesorëve Fehmi Agani e Ali Aliu, por edhe të ish-kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshit. Ndërsa, për Nekibe Kelmendi kishte thënë se ishte një grua pa biografi publike.
E si “desert”, me një qasje relativizuese dhe ironike, Mehmet Kraja e kishte përshkruar veten edhe si spiun të KOS-it, porse duke thënë se nuk do t’i kundërvihet këtyre insinuatave.
“Mehmet Kraja, gazetar në „Rilindje“, autor i afro dhjetë librave dhe i shkrimeve publicistike, kryesisht nga fusha e kulturës dhe e letërsisë. Për angazhimet e tij publike – asnjë vërejtje, por gjatë kohës së shërbimit ushtarak disa muaj kishte qenë gazetar i ushtrisë dhe – si pasojë – spiun i KOS-it. (Nuk do ta shfrytëzoj privilegjin e autorit, që me këtë rast t’u kundërvihem këtyre insinuatave.)”, e kishte përshkruar vetë Kraja biografinë e tij publike në librin e tij, përcjell Demokracia.com.
Ky është përshkrimi i saktë i biografive publike, që Kraja ua bën themeluesve të LDK-së në librin publicistikë “Vite të humbura”, ku jashtëzakonisht shumë i përshkruan “spiunllëqet” e kohës: