Mehmet Shehu, raport Stalinit: Si po i identifikojmë dhe dënojmë agjentët e UDB-së në Shqipëri
Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(12)
Arkivat sekrete ruse
Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Raporti ‘Tepër sekret’ i 3 prillit 1950 i Mehmet Shehut për Stalinin lidhur me infiltrimin e agjentëve të UDB-së në Shqipëri. Kush ishin agjentët e UDB-së që u arrestuan e dënuan në Shqipëri dhe aktiviteti i tyre kriminal. Pritja dhe sistemimi i emigrantëve që largoheshin nga Jugosllavia që vinin në Shqipëri
Mehmet Shehu: Ndër agjentët e UDB-së, krerë të grupeve me aktivitet krinminal që u ndaluan e u dënuan janë Velisha Lekoviç nënkolonel, Milun Janusheviç Spiro Lekiç, Idriz Xheladini, Ilia Stamatoviçi, Mehmet Bozoniku, Xhivoj Grazhanoviç, Arif Duka, Miodrag Vuzhosheviç dhe disa të tjerë.
(Vijon nga numri i kaluar)
Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë është shoqëruar me një fushatë arrestimesh të shumë emigrantëve jugosllavë në Shqipëri(përfshi ish-ushtarakë), të identifikuar si agjentë të UDB-së në dëm të interesave shqiptare. Kjo e ka vështirësuar më tej situatën në vend. Për këtë shkak, më datë 3 prill 1950, Mehmet Shehu i dërgon Moskës një raport me shkrim… Sipas dokumenteve origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), kjo letër përfshin raportim të detajuar të Shehut, emrat e agjentëve kryesor të UDB-së në Shqipëri dhe aktivitetin e tyre kriminal…
(Shkresë përcjellës e Mehmet Shehut për Kishinjevskin
mbi disa materiale që i dërgohen këtij të fundit)
Tiranë, më 3 prill 1950
Përkthim nga frëngjishtja
SHOKU KISHINJEVSKI!
Sipas kërkesës tuaj po ju dërgoj materialet e bashkangjitura më poshtë:
1. Raport mbi gjendjen politike dhe ekonomike në Jugosllavi
2. Raport mbi gjendjen e emigracionit jugosllav në Shqipëri
3. Lista e karakteristikave të emigrantëve jugosllavë në Shqipëri
4. Njohuri mbi përhapjen e materialit propagandistik në territorin jugosllav gjatë vitit 1949
Ju lutem të konfirmoni marrjen e këtij materiali dhe të më falni për vonesën.
Të fala komuniste
Sekretari i Partisë së Punës të Shqipërisë
Mehmet Shehu
(Burimi:RGASPI, F. 575, Op.1, D. 131, l. 89).
RAPORTIMET
Një nga raportet dërguar Kishinjevskit lidhur me gjendjen
e emigracionit jugosllav në Shqipëri
Tiranë, 3 prill 1950
Tepër sekret
Numri i përgjithshëm i emigrantëve jugosllavë në Shqipëri arrin në 255 vetë. Ata janë shpërndarë si më poshtë:
a. Shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, 153 vetë
b. Malazezë, 87 vetë
c. Maqedonas, 11 vetë
d. Serbë, 2 vetë
e. Boshnjakë, 2 vetë
Gjithsej 255 vetë
Midis emigrantëve që ndodhen në Shqipëri, janë:
-anëtarë të Partisë Komuniste Jugosllave – 131 vetë, nga të cilët: 52 shqiptarë, 70 malazezë, 7 maqedonas dhe dy serbë;
-oficerë të ushtrisë dhe UDB 29 vetë, nga të cilët: 21 malazezë, 5 shqiptarë dhe 2 serbë;
-nëpunës shteti 78 vetë, nga të cilët: 38 malazezë, 33 shqiptarë, 4 maqedonas, 2 serbë dhe një boshnjak;
-persona që ishin shprehur pro rezolutës së Informbyrosë 161 vetë: shqiptarë 88, malazezë 72, maqedonas 7, serbë 2 dhe një boshnjak;
-86 të tjerët kishin emigruar për shkak të bindjeve nacionaliste me qëllim që t’i shpëtonin hakmarrjes si dhe ndjekjes nga qeveritarët jugosllavë për krimet e ndryshme penale që kishin kryer. Nga ata: 65 shqiptarë, 16 malazezë, 4 maqedonas dhe 1 boshnjak.
Gjendja politike e emigracionit
Sipas shifrave të mësipërme duket se emigracioni jugosllav në Shqipëri përbëhet nga shqiptarë të Kosovës, maqedonas dhe malazezë. Gjatë vitit 1949 këto grupe emigrantësh u përçanë. Gjendja politike në secilin grup ishte si më poshtë:
Emigracioni malazez. Gjatë gjithë vitit 1949 në radhët e emigracionit malazez vërehej një mungesë e unitetit politik, bëheshin gabime politike, shfaqeshin të meta të tjera serioze si egoizmi, karrierizmi, mania e madhështisë, etj. Disa anëtarë të këtij grupi e vlerësonin jo drejt tradhtinë e Titos dhe luftën që duhej bërë kundër tij. Për këtë ka luajtur rol ndikimi i agjentëve të UDB-së dhe edukimi trockist i marrë në radhët e Partisë Komuniste Jugosllave.
Në nëntorin e vitit 1948 ne i lejuam emigrantët malazezë të krijonin organizatën e partisë nga radhët e komunistëve për të bërë punë partie, për të organizuar jetën e partisë dhe për të ndikuar kështu në edukimin e pjesës tjetër të emigrantëve, të cilët nuk ishin komunistë. Por që në fillim në kolektiv u vendos një atmosferë jo e shëndoshë dhe nuk u arrit uniteti politik. U bënë 14 mbledhje për zgjedhjen e sekretariatit të organizatës, por pa kurrfarë rezultati. Secili nga emigrantët synonte të bëhej funksionar i rëndësishëm në organizatë dhe nuk pranonte kandidaturat e të tjerëve. Më në fund u krijuan 2 grupe. Njëri grup, me në krye Pero Ivanoviçin – ish-kryetar i Gjykatës Supreme të Malit të Zi, tjetri, i kryesuar nga nënkoloneli i UDB-së Velisha Lekoviç dhe kapiteni i ushtrisë jugosllave Radosh Zhivkoviç. Grupi i Pero Ivanoviçit, i cili përbënte numrin më të madh të emigrantëve malazezë, kishte pikëpamje të drejtë për luftën kundër Titos, në një kohë që grupi tjetër e vlerësonte jo drejt tradhtinë e klikës së Titos, qëllimet e kritikës së Informbyrosë dhe forcën e regjimit titist. Rezistenca dhe veprimtaria e armikut në këtë grup na dhanë të kuptonim se kemi të bëjmë me një fraksion të udhëhequr nga agjentët e UDB-së, që kishin zënë vend në krye të emigracionit. Pasi u bindëm për këtë, u detyruam të izolonim grupin e Velisha Lekoviçit dhe më pas e arrestuam atë. Në këtë mënyrë, ndërpremë veprimtarinë e organizatës së partisë, e cila ishte bërë qendër e rrezikshme.
Pas ndërhyrjes tonë, situata u bë më e qartë, filloi përmirësimi i gjendjes midis emigracionit, u krijuan kushte për organizimin dhe bashkimin e elementëve më të mirë për luftën kundër Titos. Kjo ndodhi në marsin e vitit 1949.
Më vonë me kërkesën e tyre dhamë pëlqimin tonë që organizatat e partisë të krijoheshin përsëri. U zgjodh byroja politike me në krye Pero Ivanoviçin. Por, pas një farë kohe midis tyre filluan sërish të shfaqeshin mosmarrëveshje. Më vonë, vumë re se në radhët e emigracionit malazez filloi të vepronte një grup i ri, i udhëhequr nga oficerët e ushtrisë jugosllave Giono Markoviç, Ljuba Millaçiç dhe punonjësit e partisë Andro Kukiç dhe Milluno Asanoviç. Ky grup kishte për detyrë të shkaktonte përçarje në radhët e emigracionit, të luftonte kundër drejtuesve dhe të fuste mendimin për arratisje. Si rezultat i kësaj veprimtarie një pjesë e emigrantëve refuzoi të punonte në bujqësi.
Në gushtin e vitit 1949 ne demaskuam përsëri elementët armiq dhe morëm disa masa sigurie. Ne bëmë një seleksionim të hollësishëm të emigrantëve dhe një pjesë e tyre u dërguan në punë fizike në ferma.
Pas kësaj turbullire, të shkaktuar nga veprimtaria armiqësore, në radhët e emigracionit malazez, ishte e pamundur të bëje për vete të gjithë emigrantët për punë aktive dhe për luftë kundër Titos. Puna politike bëhej në nivelin e duhur dhe rezultatet e saj ishin mesatare.
Tashmë gjendja është përmirësuar, por midis emigrantëve vihet re një kuptim i gabuar i ngjarjeve, mania e madhështisë, egoizmi dhe karrierizmi. Kjo kërkon zhvillimin e një pune politike sistematike për ngritjen e nivelit politik të emigracionit, për ndreqjen e bindjeve të tyre jo të drejta. Midis emigrantëve ka persona, të cilët fajësojnë partinë tonë që nuk ka vlera të plota, se ajo nuk ka eksperiencë, etj. Ata ankohen për kushtet materiale në të cilat ndodhen. Ky është edhe shkaku që midis tyre nganjëherë lind dëshira për të emigruar në vende të tjera të Demokracive Popullore.
Emigracioni i shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë.
Në radhët e kësaj pjese të emigracionit gjendja është më e favorshme. Shumica e emigrantëve kanë një përgatitje të dobët dhe një të kaluar jo krejtësisht të mirë. Qysh në fillim ne u morëm me këtë grup, seleksionuam dhe larguam të gjithë elementët e dyshimtë dhe armiqësorë. Shqiptarët e urrejnë klikën e Titos dhe janë të gatshëm për luftën kundër saj, por jo për shkaqe politike, por për shkak të shovinizmit.
Çështja që preokupon masën e paorganizuar të emigracionit shqiptar në Jugosllavi është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por për shkak se ata nuk kuptonin siç duhet këtë çështje, një pjesë e shqiptarëve që kishin emigruar tek ne, mban një qëndrim armiqësor ndaj emigracionit malazez dhe shpreh një pikëpamje të papërcaktuar lidhur me problemin e bashkëpunimit në luftën kundër Titos, me përjashtim të shqiptarëve nga Mali i Zi, të cilët janë më shumë të lidhur me emigrantët malazezë.
Në vitin 1949 emigracioni shqiptar punonte shumë mirë dhe kishte arritur rezultate të kënaqshme në organizimin e veprimeve kundër Titos. Emigrantët u treguan trima, luftëtarë të bindur dhe nga radhët e tyre u zhdukën mosmarrëveshjet serioze.
Drejtuesit e emigracionit
Nga sa del më sipër, në radhët e emigracionit nuk gjendeshin elementë të aftë për të drejtuar veprimet kundër Titos. E njëjta gjë ndodhte edhe tek ata që punonin në fermat shtetërore. Në të dyja rastet, veprimtarinë e tyre e drejtonim ne. Nga ana jonë, bëmë të gjitha përpjekjet për të formuar udhëheqjen e emigracionit me elementë të aftë, por ato mbetën pa rezultate, për shkak të mungesës së njerëzve me autoritet dhe ndikim të veprimtarisë armiqësore të elementëve përçarës në radhët e tij.
Për shkak të mungesës së drejtuesve të emigracionit nuk kishte një organizim të mirë politik dhe nuk u arritën rezultate të kënaqshme në luftën kundër Titos. Puna jonë në radhët e emigracionit dhe veçanërisht midis malazezëve, kishte rezultate të vogla. Së pari, për arsye të shkaqeve teknike dhe së dyti, për shkak të prirjeve të emigrantëve malazezë, të cilët në fillim nuk kishin besim tek Partia jonë.
Personat që gëzonin autoritet dhe ndikim në radhët e emigrantëve ishin si më poshtë: në emigracionin shqiptar – shokët: Xhafer Vokshi dhe Shaban Haxhija; në emigracionin malazez – shokët: Krsto Shoshkia, Dimitrie Joiç, Jovan Tekoviç dhe Jole Markoviç. Të gjithë shokët e përmendur zënë një pozicion politik konsekuent të drejtë në luftën kundër klikës së Titos, por asnjëri prej tyre nuk gëzon autoritetin dhe ndikimin e duhur për udhëheqjen e emigracionit. Në këtë mënyrë, për ne mbetet i pazgjidhur problemi i formimit të udhëheqjes së emigracionit.
Veprimtaria armiqësore e emigracionit
Gjatë viti 1949 midis emigrantëve arrestuam 18 vetë, nga të cilët 15 u arrestuan për veprimtari armiqësore si agjentë të UDB-së dhe për kryerje të krimeve penale në të kaluarën.
U arrestuan personat e mëposhtëm:
1. Velisha Lekoviç – nënkolonel i UDB-së, Milun Janusheviç dhe Spiro Lekiç. Këta të tre zhvillonin bashkërisht veprimtari armiqësore në radhët e emigracionit malazez. Ata mbronin pikëpamjen sipas të cilës, Titua gjoja nuk kishte kryer me ndërgjegje tradhti, por vetëm kishte bërë gabime dhe se kritika e Informbyrosë nuk ishte objektive. Për sa i përket luftës kundër Titoizmit deklaronin se, Tito gëzon besimin e masave dhe se ishte e pamundur të luftohej kundër tij, pa ndërhyrje ushtarake të jashtme. Kështu, me punën e tyre përçarëse që ata zhvilluan deri në ditën e arrestimit, krijuan prirje pasive në radhët e emigracionit.
2. Hamdi Qamili dhe Mehdi Milaini u dërguan nga UDB-ja, duke krijuar për ta një legjendë, sipas së cilës gjoja ata, së bashku me Xhavit Lazimin kishin vrarë një agjent të UDB-s dhe se donin të vazhdonin luftën kundër Titos. Sapo mbërritën në Shqipëri, njëri prej tyre – Xhavit Lazimi – u dërgua në territorin jugosllav me dy emigrantë të tjerë, me qëllim që të vërtetonin deklarimet e tyre, por rezultoi që Xhaviti i vrau të dy emigrantët dhe u dorëzua në organet e UDB-së. Dy emigrantët e tjerë që mbërritën në Shqipëri së bashku me Xhavitin, u arrestuan si të dyshuar si agjentë të UDB-së.
3. Jole Markoviç, Ljubo Miloçiç dhe Milan Asanoviç kishin si detyrë që të zhvillonin propagandë dhe veprimtari përçarëse në radhët e emigracionit, për të dobësuar luftën kundër klikës trockiste. Kur u dërguan në territorin jugosllav, ata nuk vepruan sipas urdhrave që kishin marrë. Për shembull, ata nuk e shpërndanë materialin propagandistik por e groposën atë në tokë. Ata ndihmonin personat që donin të largoheshin dhe t’ju dorëzoheshin organeve të UDB-së. Ata donin të ndiznin shovinizmin dhe të shkaktonin anarki midis emigrantëve. Në raportet e veprimtarisë së tyre, që i dërgonin Komitetit Qendror, kishte vetëm gënjeshtra. Gjon Markoviçi ishte kryesori dhe propagandisti më i egër i kësaj veprimtarie.
4. Idriz Xheladini, Ilia Stamatoviçi, Mehmet Bozoniku dhe Xhivoj Grazhanoviç u arrestuan në përpjekje për t’u arratisur në Greqi dhe për spiunazh në favor të UDB-së, në radhët e ushtrisë demokratike greke. Ata u kapën afër kufirit.
5. Arif Duka dhe Miodrag Vuzhosheviçi, ishin dërguar nga UDB-ja për marrjen e të dhënave mbi sasinë, organizimin dhe gjendjen e emigrantëve jugosllavë në Shqipëri dhe për marrjen e të dhënave me karakter politik dhe ekonomik.
6. Qazim Vula u arrestua për pjesëmarrje në organizimin e vrasjes së Miladin Popoviç-it. Ajet Sabriu dhe Ziber Qazimi janë kriminelë ushtarakë.
Ismet Fejzullai u arrestua në përpjekje për t’u arratisur në Greqi.
Veprimtaria armiqësore kishte rezultate, veçanërisht në radhët e emigrantëve malazezë. Kjo ishte punë e grupit të Velisha Lekoviçit dhe Gjon Markoviçit.
Nga ana jonë u demaskuan këto intriga armiqësore dhe i neutralizuam ato.
Ndërkaq, pasojat e punës së armiqve, domethënë organizimi i përçarjes në radhët e emigracionit, demobilizimi dhe përpjekjet për të ngjallur mosbesim ndaj partisë dhe qeverisë sonë, u shprehën me faktin që 5 emigrantë: Jovan Pano, Naum Kokoviti, Kurtish Sejdini, Xhavit Lazimi dhe Ramadan Baftjari u arratisën në Jugosllavi.
Veprimtaria dhe rezultatet e arritura nga emigrantët në luftën kundër Titos.
Ndonëse, siç përmendëm më sipër, në radhët e emigracionit dhe veçanërisht të malazezëve zhvillohej veprimtari armiqësore, gjë e cila shkaktoi lindjen e çrregullimeve gjithfarëshe, dolën edhe elementë të aftë për të marrë pjesë në luftën kundër Titos. Nga i gjithë numri i emigrantëve kishte 45 persona të tillë, nga të cilët 23 ishin malazezë dhe 32 shqiptarë. Të organizuar në 14 grupe ata veprojnë në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Maqedoni.
Gjatë vitit 1949, ata kanë kaluar disa herë në territorin jugosllav, duke shpërndarë material propagandistik dhe duke ngritur gjendjen morale të popullit. Veprimtaria e tyre u zhvillua deri në 100 kilometra në thellësi të territorit jugosllav, ku ata kanë krijuar bazat e veta. Kjo punë pati rezultate pozitive sidomos tek shqiptarët, të cilët ishin veçanërisht të suksesshëm, ndërsa malazezët i pengonin divergjencat e brendshme, për shkak të të cilave rezultatet e tyre ishin mesatare.
Gjatë dimrit të vitit 1949-1950, ne organizuam kurse për përgatitje politike e speciale, me qëllim që të ndihmonim shokët që të kuptonin siç duhet politikën dhe t’ju jepnim shprehitë dhe njohuritë e nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre. Rezultatet ishin të kënaqshme.
Këtë vit ne mendojmë të forcojmë dhe zgjerojmë veprimtarinë e emigracionit kundër Titos, duke shtuar numrin e njerëzve, por nuk kemi besim në arritjen e rezultateve në këtë punë, gjersa të gjejmë drejtues, sidomos për malazezët.
Sistemimi i emigrantëve
Me përjashtim të personave që marrin pjesë në luftën kundër Titos, të gjithë emigrantët e tjerë, janë të zënë me punë fizike dhe punojnë në fermat shtetërore. Për një numër të vogël emigrantësh, veçanërisht për shqiptarët, që kishin ardhur së bashku me familjet, u krijuan kushte të veçanta duke u dhënë tokë.
Shkaku kryesor që emigrantët nuk u sistemuan në punë sipas specialitetit të tyre, ishte fakti se nuk i njihnim mirë dhe se malazezët që janë më të kualifikuar se të tjerët, nuk e dinin gjuhën shqipe. Pas seleksionimit tonë, aty nga gjysma e vitit 1949, ata filluan të punonin dhe të sistemoheshin gradualisht dhe njëri pas tjetrit. Në fillim, midis tyre u vërejtën pakënaqësi. Ata thoshin se në Shqipëri nuk kishin ardhur për të ndërtuar socializmin, por një tendencë e tillë nuk zgjati shumë.
Emigrantët që punojnë shpërblehen sipas punës dhe udhëzimeve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. Në qendrat ku punojnë, ata kanë një përgjegjës që e kanë zgjedhur vetë. Ne, nga ana jonë, po bëjmë gjithçka të mundshme për t’i ndihmuar dhe për të përmirësuar gjendjen e tyre.
Asnjë nga emigrantët nuk u bë as nënshtetas shqiptar, as anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në qendrat ku gjenden emigrantët, ne ende nuk kemi organizuar si duhet jetën e tyre politike e kulturore. Tashmë ne u çojmë atyre rregullisht shtypin dhe gazetën e Informbyrosë “Lufta e re”, si dhe materiale të tjera të nevojshme për edukimin politik.
Nga të gjithë emigrantët, vetëm dy prej tyre ikën nga Shqipëria (në Çekosllovaki) Pero Ivanoviç – ish kryetar i Gjykatës Supreme të Malit të Zi dhe profesori Radule Markoviç. I pari, u dërgua sepse kishte humbur çdo ndikim në radhët e emigracionit, për shkak të sulmeve të elementëve reaksionarë në vitin 1949; i dyti, iku sepse ishte më mirë të punonte si pedagog në Çekosllovaki. Ata ikën nga Shqipëria sipas kërkesës së tyre dhe pasi morën miratimin tonë.
Përktheu: Eremenko
(Burimi: RGASPI, F. 575, Op. 1, D. 131, L. 89, 16-22).