fbpx
Lajme

Skandalizon gjyqtari i Speciales: Krimet serbe s’janë të diskutueshme, s’kemi nevojë të dëgjojmë për to

Gjykata Speciale po çuditë dita-ditës me veprimet e veta kundrejt ish-luftëtarëve të UÇK-së. Pas dënimit me 26 vjet burg të Salih Mustafës, një situatë mjaftë kontraverse dhe skandaloze u pa edhe në seancën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u mbajt sot.

Protagonist i ditës së sotme në seancën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një gjyqtar jo pak i njohur për publikun. Bëhet fjalë për Charles Smith II, i përmendur për skandale në EULEX nga ish-kryegjyqtari i këtij misioni, Malcolm Simmons, shkruan lajmi.net.

Sot, gjithçka nisi me një relativizim të skajshëm të krimeve serbe. Ky relativizim, erdhi nga mendja e goja e gjyqtarit Smith, në një seancë publike.

Ky i fundit, me një ton autoritativ, në një formë i konsideroi të kota parashtrimet e mbrojtjes për krimet e kryera nga serbët. Ai tha se këto çështje nuk ndërlidhen me rastin kundër krerëve.

“Zoti Prokuror a është kjo çështje e diskutueshme? (Prokurori: Jemi dakord me qëndrimin tuaj). Atëherë me këtë që kemi sqaruar tani, pra krimet serbe nuk janë çështje që tani janë…të diskutueshme, kështu që tani s’kemi nevojë që të dëgjojme mbi këtë çështje”, tha Smith.

Por nuk u ndal me kaq. Gjyqtari që dukej se kishte mllef për parashtrimet e mbrojtjes që përmendnin krimet serbe dhe i ndërlidhnin ato me operacionet dhe strukturën e UÇK-së, tha se s’do të lejojë që gjyqi, sipas tij të kthehet në një “leksion historie”.

“Ne s’jemi shoqatë historike. Do të merremi vetëm me çështjet që lidhen me të akuzuarit. Dhe s’do të lejojmë që këtë gjyq ta shndërrojmë në një leksion historie”, tha Smith tutje.

“Tani po i kthehem sugjerimeve që parashtrojnë se forcat serbe kanë bërë një numër të madh krimesh serioze kundër shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve gjatë periudhës kohore në fjalë. Pala mbrojtëse thotë se këto operacione kanë ndikuar në operacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në formën se si e ka strukturuar ajo veten e saj. Sa i përket sugjerimit të krimeve serbe të asaj kohe, a mund ta kuptojmë këtë se kjo nuk është e diskutueshme nga ana e ZPS-së. Dhe po t’jetë e vërtetë një gjë e tillë, atëherë s’ka nevojë që të ketë parashtrime”, tha Smith.

“Për sa i përket çështjeve që do të ngremë dhe sa të drejta janë ato. Ky Trup Gjykues nuk do të lejojë pyetje apo prova materiale të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë çështje. Trupi Gjykues vëren se nuk do t’i lejojë palët që të bëjnë rrëfime historike të cilat nuk lidhen drejtpërdrejtë me përfundimin e kësaj çështjeje gjyqësore. Trupi Gjykyes vëren po ashtu se ndryshe nga ajo që është thënë, UÇK nuk është në gjyq këtu. Në qoftë se kështu e kupton pala mbrojtëse argumentin e ZPS-së, kjo nuk është përfundimi i Trupit Gjykues, këtu janë katër të akuzuar që gjykohen dhe askush tjetër. Edhe sugjerimi se krijimi i një Kosove të pavarur është si rezultat i një plani kriminal, nuk është kuptimi jonë dhe nuk është kjo çështje e paraqitur në aktakuzë”, tha gjyqtari.

Kush është Charles Smith?:

Nga e kaluara e gjyqtarit të lartëpërmendur, shumëkush mund të konkludojë se prania e tij në panelin e Trupit Gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së, nuk është e rastësishme.

Smith, kishte punuar edhe në EULEX, dhe madje nuk ishte përmendur fort për të mirë.

Charles Smith ka qenë një nga personat që Malcolm Simmons, ish-shefi i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, e kishte ndërlidhur me disa skandale që kishin ndodhur në misionin e BE-së për sundim të ligjit. Madje, Simmons kishte bërë publike një Email ku Smith kërkon që Fatmir Limaj të dënohet në rastin Kleçka, për arsye politike.

“Doja që ta dini se Misioni dëshiron që ky rast të caktohet për gjykim sa më shpejt. Një sërë arsyesh…shumica janë politike, por ekziston edhe situata me Limajn që gjendet në paraburgim. Shpresoj që këtë çështje ta vini në punë shpejt. E di që jeni të zënë në Pejë, por iu sugjeroj që së shpejti të mblidhni një konferencë me avokatët, dhe t’ua bëni të qartë se datat duhet të caktohen dhe çështja do të vazhdojë me 2-3 seanca në javë, dhe se duhet të bëjnë plane për përfaqësim alternative nëse është e nevojshme. E di që do ta bësh më të mirën, dhe jam mirënjohës që jeni në krye të kësaj çështje”, thuhet më Emailin që Smith ia kishte dërguar Simmonsit, sa të dy punonin në EULEX. Kjo letër ka datën 29 janar 2013.

Për këtë çështje, Malcolm Simmons i ishte adresuar kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti me një letër, para se të ftohej për dëshmi në Kuvendin e Kosovës. Në këtë letër, ai ia rikujton Kurtit faktin se Smith sot është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Rëndësia politike e këtij rasti për misionin mu theksua përsëri në një email me 29 janar 2013 nga kryetari i atëhershëm i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Charles Smith, në të cilin më kërkoi që ta fus në listë rastin sa më shpejt që të jetë e mundur për atë që ai e përshkruajti si “…një numër të arsyeve, shumica prej tyre politike”. Nëse EULEX-i është mision për sundimin e ligjit, përse përpiqet ta çojë përpara rastin për “arsye politike”? Cilat ishin ato “arsye politike”?”, thuhej në letrën që Simmons ia kishte përcjellur Kurtit.

Kleçka nuk ishte rasti i vetëm ku Smith tentoi të ndërhynte gjatë kohës sa ishte në EULEX. Gjithmonë, sipas raportimeve të sinjalizuesit Malcolm Simmons.

“Kleçka nuk ishte rasti i vetëm kur Charles Smith kishte bërë përpjekje të ndërhynte në rezultatin e rastit. Unë e ndaja zyrën me një gjyqtare tjetër të EULEX-it. Me 18 korrik 2013 kolegia ime gjyqtare e EULEX-it mori një email nga Charles Smith, në të cilin ai e udhëzonte atë lidhur me mënyrën si të vazhdojë në një rast penal të profilit të lartë, në të cilin rast ajo ishte kryesuese. Isha po ashtu i pranishëm me 11 dhe 15 korrik 2013 kur ajo pranoi thirrje telefonike nga Charles Smith, të cilat i lëshoi në altoparlant, gjatë të cilave Charles Smith u përpoq të ndërhyjë në rastin e njëjtë duke sugjeruar që ajo ta shqiptonte një dënim me burgim. Unë i përmenda këto biseda në një email të menjëhershëm që ia dërgova asaj”, thuhet në letër.

Gjitha këto skandale në të cilat ishte përfshirë Smith, Simmons i kishte adresuar në ambasadën e Britanisë në Kosovë. Por, pa sukses.. /Lajmi.net/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close