Mero Baze publikon stenogramin e takimit Berisha – Clintonit: Veç autonomi për Kosovën
Publicisti shqiptar Mero Baze kaq publikuar një bisedë në mes ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe ish-presidentit nga Shqipëria Sali Berusha, të realizuar në vitin 1995.
Si pjesë nga libri i tij “Republika e parë”, Baze ka nxjerrë bisedën e plotë mes dy ish-presidentëve.
“Kur Berisha u lutej Presidentit Clinton të mos i jepte më shumë se autonomi Kosovës pasi një gjë e tillë do të ishte luftë. Presidenti Clinton nuk shprehet për dëshirën e Berishës”, ka shkruar baze në postimin e tij të Facebook të cilit ia ka bashkëngjitur bisedën e plote të vitit 1995, nxjerr nga dokumentet e desekretura të Bibliotekës Clinton.
“Megjithatë, situata në rajon është mjaft shqetësuese. Kosova është nën pushtim të plotë. Për këtë gjë kam folur edhe me Sekretarin e Shtetit dhe i kam kërkuar nëse SHBA-ja mund të merrte rolin e ndërmjetësit në negociatat për rikthimin e autonomisë atje. Sigurisht, shqiptarët do të më pyesin nëse duhet të kërkojmë më shumë, por unë them që jo, sepse të kërkosh më shumë do të thotë luftë.”
PROCESVERBALI I TAKIMIT
TEMA: Takimi me Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha
PJESËMARRËSIT: SHBA
Presidenti
Zv. Presidenti
Uoren Kristofer, Sekretar i Shtetit
Antoni Lejk, Asistent i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
Xhozef Lejk, Ambasador i SHBA-së në Shqipëri
Xhorxh Stefanopulos, Këshilltar i Presidentit për Çështjet Politike dhe Strategjike
Kristofer Hill, Drejtor për Evropën Jugore dhe Qendrore, Departamenti i Shtetit
Daniel Frid, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Lindore
Shqipëria
Presidenti Sali Berisha
Dylber Vrioni, Zv. kryeministër dhe Ministër i Financave
Alfred Serreqi, Ministër i Punëve të Jashtme
Lulblin Dilja, ambasador
Fatos Beja, Këshilltar i Presidentit për Çështje Diplomatike
DATA, ORA 12 shtator 1995, 11:45-12:15
DHE VENDI Zyra Ovale
Presidenti: Mirë se erdhët! Është një kënaqësi e veçantë.
Presidenti Berisha: Faleminderit për këtë takim, z. President! Unë dhe populli shqiptar jemi mjaft mirënjohës ndaj jush, Shteteve të Bashkuara dhe taksapaguesit amerikan për asistencën që i keni dhënë Shqipërisë në këtë moment kaq të rëndësishëm të historisë tonë. Që prej fillimit të betejës sonë për demokraci, SHBA i ka dhënë një ndihmesë të vyer Shqipërisë, vendit më të harruar në Evropë. Asistenca e dhënë nga ana juaj na ka ndihmuar për të përballuar një nga krizat më të këqija në Evropë. Ndihma juaj e vyer po shkon edhe drejt konsolidimit të sundimit të ligjit dhe ndërtimit të një ekonomie tregu. Ndjenjat miqësore të popullit shqiptar ndaj SHBA-së janë mjaft të forta dhe mua kjo gjë më bën mjaft krenar.
Kur (ish Sekretari i Shtetit Xhejms) Bejkër vizitoi Shqipërinë, lindi një ndjenjë e madhe miqësie ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këto ndjenja po aq të forta sa ç‘ishin edhe asokohe.
Presidenti: Unë e vlerësoj së tepërmi përparimin që keni bërë, veçanërisht punën tuaj në drejtim të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe për transformimin e ekonomisë. E vlerësoj edhe rolin tuaj në politikat që ndjek Shqipëria ndaj Kosovës dhe mbështetjen tuaj për ashpërsimin e sanksioneve ndaj ish Jugoslavisë. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të krijojnë një bazë të fortë për paqe në ish Jugosllavi, por ne nuk do ta harrojmë Kosovën. Marrëdhëniet tona me Serbinë nuk do të jenë plotësisht të normalizuara pa u rivendosur plotësisht autonomia për popullin e Kosovës.
Presidenti Berisha: Unë kam qenë gjithmonë i bindur për rolin thelbësor dhe mjaft të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe në Ballkan. Shtetet e Bashkuara nuk po luajnë rolin e xhandarit të botës, por ato janë përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit në botë. Dëshiroj t’ju përgëzoj për zhvillimet e fundit në Bosnjë. Tani, falë jush, ekziston shpresë e vërtetë për paqe. Planet tuaja duhen mbështetur dhe kjo përfshin edhe sulmet ajrore, të cilat unë i konsideroj si të rëndësishme dhe plotësisht të justifikuara. Në njëfarë mënyre, sulmet ajrore kanë kompensuar embargon e armëve, e cila nuk ishte e justifikuar. Shqipëria është e gatshme të punojë nga afër dhe të ofrojë më shumë mbështetje për pilotët dhe avionët tuaj.
Vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore nuk i kanë nisur proceset demokratike aq keq sa ç‘i nisi Shqipëria. Por falë dëshirës së zjarrtë për liri dhe ndihmës suaj, në tri vitet e fundit Shqipëria ka përmbushur dy qëllime dhe ka bërë mjaft përparime. Pikë së pari, ne kemi krijuar një atmosferë demokratike për popullin shqiptar: kemi konsoliduar sundimin e ligjit dhe kemi ndërtuar një ekonomi tregu. Pikë së dyti, kemi mundësuar një rritje të shpejtë ekonomike. Kjo është arritje mbresëlënëse duke marrë parasysh 50 vitet e humbura. Tani, ne po ecim përpara.
Në të gjitha përpjekjet tona ne kemi pasur gjithmonë mbështetjen tuaj. Ne jemi një komb i ndarë në tre shtete. Ne jemi kundër ndryshimeve të kufijve me forcë dhe do të synojmë gjithmonë të mbështesim demokracinë dhe tregjet e lira për shqiptarët që jetojnë në këto shtete të tjera. Të tilla arritje kanë si synim që t’i kënaqin shqiptarët në masën 90%.
Presidenti: 90% është një nivel mjaft i kënaqshëm.
Presidenti Berisha: Ne po luftojmë fort për përparim. Kemi ndryshuar ligjet dhe kemi miratuar ligje që bazohen në modelin evropian. Kemi ndryshuar 40% të administratës dhe në disa raste, këto ndryshime shkojnë në masën 60-90 përqind. Unë jam përpjekur që mandatin tim politik ta shfrytëzoj për përshpejtimin e reformave ekonomike. Kemi liberalizuar çmimet dhe filluam procesin e privatizimit. Këto nisma kanë çuar në një ulje të inflacionit dhe në trefishim të të ardhurave për frymë nga $200 në $700. Kemi arritur stabilitet mako-ekonomik dhe besoj se sot mund të konsiderohemi si një ekonomi e varfër, por e shëndetshme. Tani, ne jemi të angazhuar për një privatizim të gjerë dhe po bëjmë mjaft progres.
Qëllimi ynë kryesor është integrimi në strukturat Euroatlantike. Partneriteti për Paqe ishte një nismë dhe ide e shkëlqyer, e cila i hapi dyert vendeve të rajonit me një të kaluar jo të mirë. Ne ishim i pari vend që kërkuam aderimin në NATO. Kemi filluar një bashkëpunim mjaft të mirë ushtarak me vendet e NATO-s dhe një ditë kjo gjë do të na ndihmojë që t’i bashkohemi aleancës.
Ne kemi bërë përparime të mëdha në aspektin e të drejtave të njeriut dhe të të drejtave kombëtare dhe po ashtu edhe në themelimin e institucioneve demokratike. Më parë, Shqipëria ishte një vend ku besimi fetar ishte i ndaluar dhe të drejtat e njeriut shkeleshin me të dyja këmbët. Tani, ne po promovojmë lirinë dhe tolerancën. Liria e informacionit është mjaft e rëndësishme dhe në Shqipëri kemi programe dhe stacione të ndryshme televizive. Kemi miratuar ligje të mira, ndonëse referendumi për miratimin e një kushtetute të re dështoi.
Megjithatë, situata në rajon është mjaft shqetësuese. Kosova është nën pushtim të plotë. Për këtë gjë kam folur edhe me Sekretarin e Shtetit dhe i kam kërkuar nëse SHBA-ja mund të merrte rolin e ndërmjetësit në negociatat për rikthimin e autonomisë atje. Sigurisht, shqiptarët do të më pyesin nëse duhet të kërkojmë më shumë, por unë them që jo, sepse të kërkosh më shumë do të thotë luftë. Paralajmërimet e Administratës Bush (paralajmërimet e Krishtlindjes në lidhje me Kosovën) dhe prania e trupave amerikane në Maqedoni kanë luajtur një rol kyç për të mos lejuar që konflikti të zhvendosej në jug.
Marrëdhëniet tona me Greqinë kanë kaluar një fazë mjaft të vështirë, por tani ato po përmirësohem. Cila është historia e vërtetë? Në vitin 1990 dhe 1991, gjatë kohës që Shqipëria po kalonte një periudhë mjaft të vështirë, me mijëra shqiptarë vendosën të linin vendin duke kaluar kufirin jugor. Greqia i priti të gjithë dhe unë jam mirënjohës për këtë. Por disa grekë menduan se Shqipëria po vdiste dhe filluan të çonin ndër mend idenë e aneksimit dhe “Epirin e Veriut”. Unë jam mirënjohës për deklaratat tuaja ku Greqia inkurajohet për të negociuar dhe për të hequr bllokadën në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Misioni Hollbruk ishte i suksesshëm. Ai e kuptoi situatën. Ne duam të punojmë me Greqinë për përmirësimin e marrëdhënieve. Çështjet aktuale mund të zgjidhen dhe do të zgjidhen. Kjo është mjaft e rëndësishme për ne. Nëse qeveria e Greqisë tregon vullnetin e mirë, atëherë ne mund të punojmë për këtë qëllim.
Presidenti: Kjo që thatë ju është mjaft e rëndësishme. Grekët po punojnë me qeverinë e IRJM-së dhe nëse ne arrijmë progresin e shpresuar, atëherë edhe progresi në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jetë më i lehtë. Ne morëm vendimin e duhur për të çuar trupa në IRJM. Presidenti Bush i bëri një paralajmërim serbëve për Kosovën dhe duke qenë se kjo gjë ndodhi në dhjetor, pas zgjedhjeve, serbët m’u drejtuan mua. Unë u thashë që ky ishte vendimi i duhur. Ne po bëjmë çmos që t’i japim fund luftës dhe do t’i vazhdojmë përpjekjet tona. E vlerësoj atë që më thatë për Greqinë. Ata po tregojnë një vullnet të ri për të punuar me fqinjët e tyre dhe kjo është mjaft e rëndësishme. Megjithatë, qeveria e Greqisë ka rezervat e saj në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri për sa i përket aspekteve të tilla si shkollimi, diskriminimi fetar dhe diskriminimi në punësim, përfshi këtu fusha si administrata dhe agjencitë ligjzbatuese. Ne shpresojmë që ju të bëni progres me këto çështje.
Ju përmendët progresin e bërë në themelimin e institucioneve demokratike. Unë shpresoj që ju të bëni më shumë për sa i përket pavarësisë së gjyqësorit. Disa nga fonde tonat të buxhetit të asistencës mund t’ju vijnë në ndihmë për të zbatuar një program për trajnimin e prokurorëve dhe policisë dhe kam besim të plotë që do të kemi mundësi t’ju ndihmojmë.
Deri tani, asistenca që kemi ofruar ne për Shqipërinë shkon në 140 milionë dollarë dhe shpresojmë që në vitin 1996 të ofrojmë edhe 45 milionë dollarë të tjera. Shpresojmë që kjo t’i shërbejë përpjekjeve tuaja. Ne jemi mjaft të kënaqur me rritjen ekonomike që ka pasur vendi dhe përpjekjet tuaja për të zgjidhur çështje që lidhen me të drejtat e njeriut dhe minoritetet. Ka disa që besojnë se konfliktet etnike do ta shkatërrojnë botën gjatë 20 viteve të ardhshme, por ju mund të vërtetoni që ata gabohen. Nëse ju ia dilni mbanë, atëherë nuk do të kemi më Bosnje, Ruanda dhe Burundi, një botë ku njerëzit vriten mes njëri-tjetrit për shkak të këtyre arsyeve. Kështu që Shqipëria nuk mund të konsiderohet si një vend i vogël i vetmuar dhe i harruar.
Presidenti Berisha: Roli i Shteteve të Bashkuara është primar dhe ne e vlerësojmë këtë gjë. Ju siguroj që do të vazhdojmë të ecim përpara. Çështja më e rëndësishme është konsolidimi i institucioneve demokratike dhe institucioneve të tjera. Shqipëria duhet të tregojë rezultate më të mira sesa në të shkuarën. Liria ofron një potencial të madh dhe liria mund të garantohet duke konsoliduar institucionet. Për këtë, unë i kam kërkuar ndihmë edhe Sekretarit Kristofer dhe Sekretarit Rubin. Ju falënderoj për ofertën në lidhje me asistencën në fushën e gjyqësorit dhe jam besimplotë se duke punuar me ambasadorin Lejk, ne mund ta shfrytëzojmë sa më mirë atë. Do t’ju lutesha që të vazhdonit ta nxisnit qeverinë tuaj që të vazhdojë të ofrojë të tillë asistencë edhe në të ardhmen.
Ne kemi po ashtu nevojë për mbështetje për institucionet tona që po bëjnë më të mirën e mundshme për të nxitur rritjen ekonomike. Kemi nevojë për investime të huaja dhe OPIC mund të luajë një rol mjaft të rëndësishëm. Ndoshta OPIC mund ta trajtojë Shqipërinë si një rast të veçantë.
Presidenti Klinton: Si po ecën Fondi i Ndërmarrjeve Shqiptaro-Amerikane?
Z. Frid: Është mjaft aktiv.
Presidenti Berisha: Po ecën mjaft mirë dhe z. Domenik Skaljone po e drejton mjaft mirë. Ai synon të krijojë një bankë tregtare dhe ne e konsiderojmë si ide mjaft të mirë. Vendimi juaj për emërimin e tij ishte një vendim i shkëlqyer.
President Klinton: Ndoshta mund të bëjmë më shumë edhe me OPIC-un. Dua t’ju falënderoj për bazën ajrore që na keni vënë në dispozicion për avionin pa pilot “Predator”. Ju falënderoj po ashtu për pjesëmarrjen tuaj aktive në Partneritetin për Paqe. Unë dëshiroj ta vazhdoj bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes dhe ta zgjeroj atë.
Në shënimet e mia të këtij takimi përmendej edhe një projekt pyllëzimi me vlerë 7 milionë dollarë. Është një projekt mjaft i rëndësishëm. Ne po punojmë fort për të mbështetur demokracinë në Haiti, që ndodhet pranë vendit tonë, dhe kemi konstatuar që erozioni dhe problemet mjedisore kanë një ndikim mjaft negativ në ekonomi dhe në jetën e njerëzve. Në Haiti, shtresa e sipërme e tokës ka qenë nën ndikimin e erozionit për shkak të mungesës së pyjeve. Kështu që ne nuk e nënvlerësojmë rëndësinë e projekteve të tilla.
Presidenti Berisha: Është një projekt mjaft i rëndësishëm dhe duhet ta vazhdojmë. Edhe bashkëpunimi ushtarak është mjaft i rëndësishëm. Jam shumë mirënjohës për mbështetjen që keni dhënë për projektet e infrastrukturës ushtarake. Ne kemi nevojë vetëm për gjëra bazike dhe jo për elemente të teknologjisë së lartë. Më parë, ushtria jonë ishte e shpërndarë në mënyrë kaotike në të gjithë vendin. Ne duhet ta sistemojmë atë në mënyrë të tillë që të ketë kuptim. Kemi po ashtu nevojë për ndihmë për të kontrolluar ujërat territoriale dhe hapësirën ajrore. Kemi presion nga lindja, nga ku mund të lindin probleme dhe kemi mungesë aftësie për të kontrolluar ujërat dhe hapësirën tonë ajrore. Do t’ju isha mjaft mirënjohës po të na ndihmonit në këtë fushë.
Zv. presidenti: Është një kënaqësi që ju kemi këtu mes nesh. Unë kam shumë miq në komunitetin shqiptaro-amerikan, përfshi këtu edhe Bill Kovakun. Unë e di se sa të gëzuar janë ata për transformimin e Shqipërisë. Kjo gjë ka sjellë mjaft entuziazëm. Teksa ju dëgjoja duke folur, m’u krijua bindja se vendi është në prag të një rritjeje të madhe ekonomike dhe rritjeje investimesh.
Pritshmëritë për vendet, që kanë pasur sukses në fushën e demokracisë, janë të larta. Nëse ka probleme në këtë fushë, atëherë kjo do të përbënte shqetësim për miqtë tuaj. Ndaj, ne do të ishim të gatshëm t’ju ndihmonim nëse ju luftoni çdo prirje autoritare apo çdo element tjetër që mund të dëmtonte investimet. Por një gjë është e sigurt, që në SHBA ekziston një entuziazëm mjaft i madh për Shqipërinë.
Presidenti: Ne mund të bëjmë më shumë për sa i përket bashkëpunimit tonë ushtarak. Për shembull, mund të mbështesim në pajisjen me mjete të një kompanie paqeruajtëse shqiptare. Ju kuptoj shumë mirë në lidhje me atë që thatë për kontrollin e hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale dhe do ta ndjekim këtë çështje.
Presidenti Berisha: Faleminderit! Kjo do të na ndihmonte për të kontrolluar territorin tonë. E kuptoj shumë mirë atë që nxori në pah zv. presidenti. Ju siguroj që do të bëjmë çmos për të konsoliduar demokracinë tonë. Na është dashur të marrim vendime të mëdha, si për shembull shkurtimi i administratës shtetërore dhe e bëmë. Rezultatet e dhëna i kanë justifikuar këto hapa të ndërmarra. Sigurisht që gabime kemi bërë dhe shumë madje. Po i nënshtrohemi një procesi të madh dhe të fuqishëm tranzicioni.
Zv. presidenti: Edhe ne përpiqemi ende që ta përsosim demokracinë tonë.
Presidenti: Jam shumë i lumtur që keni bërë një rrugëtim kaq të gjatë për të ardhur këtu.
Sekretari Kristofer: Dëshiroj të nënvizoj faktin se në Shqipëri është hapur dhe një spital i ri ushtarak për të nderuar kujtimin e Xho Kruzelit.
Presidenti: Faleminderit shumë.
Presidenti Berisha: Lajmi për vdekjen e tij më tronditi shumë. Kisha pasur dy takime me të dhe e dija që z. Kruzel ishte një mik i Shqipërisë dhe një mbështetës i madh i Partneritetit për Paqe. Kam takuar po ashtu edhe Bob Frejzurin dhe kam pasur një bisedë të gjatë me të, gjë që më la mbresa të shumta. Besoj se zhvillimet e fundit në Bosnjë nxjerrin në pah sakrificën e madhe të bëra nga ana e tyre. Përkushtimi i Amerikës në Ballkan na sjell shpresë. Sulmet ajrore të NATO-s janë një hap i madh për NATO-n dhe për vendet mike.
Mendoj se reagimi i fundit i Jelsinit ndaj kësaj tregoi që ai është vërtet një anëtar i Politburo-së. Ishte një reagim tipik i stilit të Brezhnjevit.
Presidenti: Ne jemi të vendosur për ta zgjidhur situatën në Bosnjë. Nuk mund ta lëmë më ashtu të pazgjidhur sepse do të ishte si një kancer në botë.
Presidenti Berisha: Si mendoni ta riorganizoni Ushtrinë Boshnjake? Kjo është një pyetje mjaft e rëndësishme.
Zv. presidenti: Keni ndonjë sugjerim për sa i përket çështjes së Gjeneral Mladiçit?
Presidenti: Faleminderit.