Ministria shpërblen me 8.6 milionë euro tender kompaninë ku drejtor ishte zv. ministri Durmishi
Kompania ‘Bageri’, miqësinë me të cilën nuk e fsheh publikisht, Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës është shpërblyer nga ky dikaster qeveritar me një tender prej më shumë se 8.6 milionë eurosh. Në po këtë tender, mbi 8.4 milionë euro të tjera i ka marrë firma “A2 group” një tenderues i madh i kohës së PAN-it.
Gazeta Insajderi
“Nuk e mohoj se e njoh. Unë jam inxhinier dhe i njoh inxhinieret që janë pronarë firmash. Të ju them të drejtën kompania Bageri ka konkurruar për tenderin 5 milion euro. Për një lot të mirëmbajtjes se autostradës. E ka humbur”, pati deklaruar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi afro një vit më parë.
Ato ditë kur kompania ‘Bageri’, i humbte tenderët kanë kaluar. Ka hyrë në listën e fituesve.
Në janar të këtij viti kjo ministri, që shef kryesor e ka Liburn Aliun, kishte nisur një tender për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Afro katër muaj procedura, dhe më në fund ata kanë ardhur në një listë se kë ta shpërblejnë në këtë tender që është parashikuar ta ketë vlerën mbi 38 milionë euro.
Në njoftimin që ka bërë kjo ministri, i nënshkruar më 30 maj, 2023, bëhet me dije se për këtë rrugë që është ndarë në disa pjesë, mbi 8.6 milionë euro shkojnë tek ‘Bageri’.
Ministria e Infrastrukturës ka listuar si grup të kompanive të suksesshme për “Lotin 2” grupin e përbërë nga “Bujar Shabani B.I”, “Kosova Asphalt”, “Bageri-1 shp.k” dhe “El-Bau Shpk”.
Në po këtë tender, mbi 8.4 milionë euro të tjera i ka marrë firma “A2 group” një tenderues i madh i kohës së PAN-it.
Në listën e këtij tenderi mbi 38 milionësh, bëhet me dije se 8.4 milionë i merr grupi i kompamive “A2 group” dhe “Vega shpk”. E para është pronë e biznesmenit Valon Ademi.
Telashet e “Bagerit” me ligjin
Kjo ministri e ka shpërblyer kompaninë “Bujar Shabani B.I. dhe “Bageri” ani pse pronari i saj tashmë po përballet me një proces gjyqësor, nën akuzën që ka falsifikuar dokumente dhe ka bërë deklarim të rremë nën betim për një tender në komunën e Lipjanit.
Siç ka raportuar Insajderi, bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove.
Sipas të gjeturave të AVONET, kompania Bageri në këtë prokurim publik ka aplikuar me dokumente të falsifikuara, shkruan Gazeta Insajderi. Prokuroria vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër biznesmenit Bujar Berisha për mashtrime në tenderët publikë.
Detaje të aktakuzës kundër shokut multimilioner të Hysen Durmishit
Në aktakuzë janë përfshirë dy tenderë publikë në të cilat mori pjesë biznesmeni Shabani me kompaninë e tij Bageri.
Bëhet fjalë për tenderin 4.7 milionësh të Komunës së Ferizajt për asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc, por Bageri dyshohet se ka mashtruar edhe kur ka konkurruar në tenderin tjetër: Zgjerimi i rrugës së fshatit Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi. Ky tender peshonte 3 milionë e 798 mijë e 623 euro.
Milioneri Shabani dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet këtyre mashtrimeve me kontratat publike.
Në një postim në faqen në facebook të kësaj kompanie, të vitit 2016, Durmishit i referoheshin si Drejtori, Hysen Durmishi.
/Gazeta Insajderi