MMPHI shpërblen me tender kompaninë ku më herët punonte zv/ministri Hysen Durmishi
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës -MMPHI ka realizuar tenderin e parë.
Udhëheqja e re e MMPHI deri më tani ka marrë tri vendime sa i përket realizmit të punëve me tender. Dy tenderë i ka anuluar dhe një e ka realizuar.
Tenderi i parë i realizuar nga kjo ministri është ai për aprovimin e punëve shtesë për projektin “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale R115, Gërlic e Epërme –Shtërpcë –Brezovicë dhe Rruga 210 Brezovicë –Qendra e Skijimit, lot 1 “. Këtë projekt është duke e realizuar kompania “Bageri Company”, pjesën e parë, ndërsa pjesën e dytë kompania “ABC”, shkruan lajmi.net.
MMPHI ka dy zv. ministra, për çështjet e infrastrukturës është caktuar përgjegjës, zv. ministri Hysen Durmishi, ndërsa për çështjet e mjedisit, zv. ministrja. Linda Çavdarbasha.
Lajmi.net ka mësuar se zëvendësministri, Hysen Durmishi deri para pak kohësh ka qenë i punësuar në kompaninë “Bageri”, si kundër ka qenë nëpunës te kjo kompani e cila e kishte fituar kontratën e parë nga kjo ministri për punët në Brezovicë që ka të bëjë edhe kontrata e dytë për punët shtesë.
Lajmi.net ka mësuar se janë rreth 20 kompani për kaq projekte që po presin që t’u lidhen ankesë kontratat për punët shtesë, por ministria zgjodhi të parën që të lidhë ankesë kontratë kompaninë ku kishte punuar Durmishi.
Aprovimi i punëve shtesë është 10.1 për qind e kontratës së parë bazë, apo pak më shumë se sa ia lejon ligji i Prokurimit Publik në vlerë minimumi deri në 10 për qind.
Zyra për informim e kësaj ministrie nuk ka dashur të përgjigjet për lajmi.net lidhur më atë se sa ka qenë periudha e kohës që zëvendësministri ka punuar te kjo kompani, sikundër nuk kanë dhënë përgjigje në interesimin e redaksisë në asnjë pyetje për këtë projekt.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka rekomanduar për kontratë “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale R115, Gërlic e Eperme –Shtërpcë –Brezovicë dhe Rruga 210 Brezovicë –Qendra e Skijimit, lot 1 “ OE “Bageri Company”. Kështu thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës, i publikuar para dy ditëve në KRPP. Vlera totale e ofertës është 126, 606.79.
Në mars të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës kishte shpërblyer kompaninë “Bageri: më kontratë për lot 1 për këtë projekt në vlerë prej 1. 284. 268,88 euro. Punimet patën filluar në fillim të prillit 2019 dhe sipas kontratës data e kryerjes së tyre ka qenë 180 ditë.
Menaxher i kontratës ishte caktuar zyrtari, Skender Canolli.
Sipas paramasës bëhet fjalë për punët shtesë, pozicioni 1: “Rehabilitimi i sipërfaqeve ekzistuese të asfaltit ekzistues të dëmtuar në pjesë me të imëta (në çmim të kalkulohet prerja me makinë, largimi i materialit, spërkatja me emulsion si dhe asfaltimi me BA 0-11 t: 1-4 cm. (nivelimi shtesë) në sasi pre 37, 801.39 m2” dhe pozicioni 2: “Ngritja e pusetave kontrolluese të kanalizimit ekzistues së bashku me kapakun metalik ekzistues deri në nivelet e projektuara duke përfshirë sasi të betonit 0. 30 m2 për pusetes në sasi prej 29.00”.