“Mujsh ti me bo najsen” – Deputeti Halil Thaçi shihet teksa flet me aplikues në konkursin e KEK-ut, i ankohet ministres Rizvanolli
Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, i është drejtuar me disa mesazhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit dhe anëtarit të Bordit në KEK, Arton Ahmeti. Nga ta ka kërkuar sqarime pse pyetjet e testit në konkursin e fundit kanë qenë aq të vështira. Nacionale ka siguruar fotografi dhe ka siguruar komunikimin e deputetit Thaçi me disa prej kandidatëve.
SHËNIM: Pas pak Nacionale publikon një tjetër bisedë, ku deputeti Thaçi i përfshin dy zyrtarë të lartë të KEK-ut, si fajtorë për arrestimin e kryeshefit Nagip Krasniqi.
Seancën e sotme ku po diskutohej buxheti i vitit 2024 në lexim të dytë, deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, e ka shfrytëzuar edhe për diçka tjetër. Ai është parë teksa komunikonte me disa kandidatë që kanë aplikuar në konkursin e KEK-ut për teknik të makinerisë. Një konkurs ku u kërkuan 130 punëtorë. Ai ankesat e tij ia drejton edhe ministres Artane Rizvanolli.
Në bisedat që i ka siguruar Nacionale nga pjesa e sipërme e Kuvendit, deputeti Thaçi shihet teksa komunikon me ministren Artane Rizvanolli. Asaj ia shpreh shqetësimin pse pyetjet e testit në këtë konkurs janë të nivelit master, e jo të shkollës e mesme siç kërkohet.
“Përshëndetje ministre! Është e pa drejt me çfar pytje jan tu i testu puntoret me kualifikim te mesëm ne kek sot, nuk eshte as për bahqelor, është master. Krejt këto pyetje…”, thuhet në mesazhin që deputeti Thaçi ia dërgon ministres Rizvanolli, në fotografinë që e ka siguruar Nacionale.
Pyetjen e njëjtë, deputeti i VV-së në një fotografi tjetër duket se ia ka dërguar edhe anëtarit të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arton Ahmeti.
Krejt ky shqetësim i Thaçit, erdhi pas disa komunikimeve që ai pati me disa persona. Njëri prej tyre është Bekim Merlaku. Këtë të fundit, deputeti i VV-së e pyet se sa pikë i ka marrë në test, ai ia kthen se ka dështuar, por shpreson që deputeti mund t’i ndihmojë.
“Bek qa bone”, ishte pyetja e Thaçit. “Sen hiq me te vjetra, ti a je mire. Mujsh ti me ba najsen se ktu smujti me kalu hiq”, ia ktheu qytetari Merlaku. “Sa pik i ke ba Bek”, e pyet deputeti sërish. “37” ia kthen ai.
Deputeti Thaçi është parë teksa komunikon me një tjetër aplikues në konkursin në KEK. Avni Bulliqi i ankohet deputetit se gjatë testimit nuk ia kanë lejuar telefonin. “Sja kena nis hala se spo ta lashin telin hiq. Qa bane Halil. Se di Halil qa kishin ba me test, krejt veq me figura testi. Se besoj si ka me kalu…test”
Pasi pranon këto mesazhe, Thaçi duket se më pas i shkruan ministres Rizvanolli dhe anëtarit të bordit Arton Ahmeti. Më pas, se iu ka shkruar këtyre personave, Thaçi ia konfirmon dikujt në telefon.
“Ju shkruva krejteve. Edhe Artanes edhe Milotit. Pyetje te masterit pozitave me shkoll të mesme”, i thotë Thaçi një tjetër personi në facebook.
“Poooo, valla. I destinum me i rrxu njerëzit. Qe edhe Behari ra”, ia ktheu ai. Për këtë temë, deputeti shihet të ketë komunikuar në WhatsApp me një qytetar me inicialet B.L.
Bisedat janë zhvilluar gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës. Nacionale për të gjitha këto mesazhe e ka kontaktuar direkt deputetin Halil Thaçi. Ai është arsyetuar se qytetarët po i shkruajnë për t’iu ankuar rreth konkursit.
“Ata qytetarët mu kanë drejtuar mu, që janë banorë të komunës së Obiliqit, dhe sipas tyre testi ka qenë shumë i vështirë. Kuptohet që ata më njohin si deputet, edhe qekjo pyetje ka qenë edhe për mua”, thotë fillimisht deputeti i VV-së.
Kur Nacionale e pyeti pse i është drejtuar me mesazhe ministres Artane Rizvanolli, deputeti fillimisht e mohon. Pasi Nacionale ia lexon komplet bisedën, ai thotë se “ka mundësi”.
“Nuk besoj që i jam drejtuar ministres, nashta kam folur me njerëz të ndryshëm, por jo ministres. Shiqo ti, qysh e pate emrin, se jam tu hangër bukë. Unë nuk po di, nuk besoj që e kam pyet ministren, kam shkruar me njerëz që e kishin hallin ata, edhe nuk iu kam drejtuar, nuk besoj që i jam drejtuar ministres, po e kontrolloj telefonin”, tha deputeti.
Korporata Energjetike e Kosovës në fillim të nëntorit kishte shpallur konkurs për 130 teknik të makinerisë.
Kujtojmë se ky konkurs është shpallur pasi u anulua konkursi i kaluar për të cilin Prokuroria kishte nisur hetime. Sërish i përfshirë në punësime familjare ishte deputeti Thaçi, për të cilin kishte raportuar Nacionale.