Mytaher Haskuka shpërblen me tender 115 mijë euro mbështetësin e Vetëvendosjes në Prizren
Besim Dida, një përkrahës i Vetëvendosjes në Prizren, është shpërblyer me tender nga Mytaher Haskuka, njeriu i Albin Kurtit, i cili e udhëheqë komunën më në jug të vendit.
Njomza Salihi
Më 2 nëntor, komuna e Prizrenit e ka lansuar platformën digjitale për mësim në distancë eduprizren.net.
Nëpërmjet të njëjtës, drejtoria komunale e Arsimit – synon të jetë pranë nxënësve, mësimdhënësve, drejtorëve, dhe prindërve – duke lehtësuar qasjen në mësimdhënie dhe mësimnxënie gjatë periudhës së pandemisë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Kjo platformë posedon edhe hapësirën për plasimin dhe transmetimin e video-materialeve të realizuara për komunitetin boshnjak dhe turk, e cila deri më tani nuk është arritur të realizohet për shkak të kapaciteteve të limituara nga stafi dhe angazhimit të tyre në platformën e MASH-it”, kishte shkruar Mytaher Haskuka, në ditën kur ishte lansuar platforma.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fmhaskukaa%2Fposts%2F1084035908734585&show_text=true&width=552&height=823&appId
Kryetari i Prizrenit, Haskuka, tenderin për krijimin e kësaj platforme digjitale ia ka dhënë Besim Didës, një mbështetësi të tij, dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Dida këtë kontratë publike e cila e kap vlerën e mbi 116 mijë eurove, e ka fituar më 23 shtator 2020, shkruan Gazeta Insajderi.
Për të njëjtin tender, vlera e të cilit ishte parashikuar të jetë 120 mijë euro, kanë aplikuar tri kompani, sipas dokumentit publik të prokurimit.
Pavarësisht kësaj, tenderin e komunës së Prizrenit, në fund e ka marrë Dida, dhe atë me procedurë të negociuar.
Në ditën e lansimit të platformës, krijuesi i eduprizren.net është shprehur i lumtur për projektin.
“Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të kontribuoj me një projekt të rëndësishëm dhe shumë atraktiv për qytetin tim”, kishte shkruar Dida, kur e kishte shpërndarë njoftimin e Haskukës, e që shihej në fotografi së bashku me të, shkruan Gazeta Insajderi.
Lidhjet e Didës me Haskukën dhe Vetëvendosjen
Haskuka dhe Dida s’e kanë vetëm këtë shkrepje së bashku – kanë shumë, më shumë – ato datojnë që nga viti 2017.
Kohë kjo kur ishin zgjedhjet komunale në vend, dhe për kryetar të Prizrenit, konkurronte Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes.
Në njërin nga tubimet e fushatës së Haskukës, ku kishte marrë pjesë edhe kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i pranishëm ishte edhe Dida.
Kjo mbledhi e Vetëvendosjes – ishte dokumentuar me disa fotografi nga Dida – në të cilat shihej shumë i afërt me Kurtin dhe Haskukën.
Mbështetësi i Vetëvendosjes nga Prizrenit në vazhdimësi ka vepruar kështu, duke shpërndarë materiale që lidhen me punën e ish-kryeministrit Kurti, dhe kryetarit Haskuka.
Duket se krejt mbështetja e tij për Lëvizjen, tashmë i është shpërblyer me tenderin 116 mijë euro.
Megjithatë, Dida, nuk e ka pranuar se afria e tij me Haskukën ka ndikuar ai që ta merr tenderin.
“Personalisht nuk i përkas në struktura organizative partiake, asnjë subjekti politik. Pra nuk kam kurrfarë afërsie me Lëvizjen Vetëvendosje apo me Z.Mytaher Haskukën”, ka thënë Dida në një përgjigje për Insajderin.
I njëjti, siç edhe ka shkruar Gazeta Insajderi, e ka pranuar se e ka mbështetur Haskukën në zgjedhjet e fundit.
“Z.Haskukën e njoh si qytetar i Prizrenit. Në zgjedhjet e fundit kam mbështetur z.Haskukën njësoj si kanë bërë të gjithë qytetarët e Prizrenit pasi që mendoj se është më i miri për Prizrenin. Për këtë arsye nuk bëhet fjalë për ndikim në tenderin e fituar”, ka thënë Dida, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndërkohë tenderin e negociuar ka thënë se e ka fituar për shkak të përvojës 18 vjeçare në fushën e platformave digjitale.
Haskuka, dhe as shefi i prokurimit të kësaj komune nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Insajderi, lidhur me tenderin 116 mijë euro./Gazeta Insajderi/