“Naim Miftari dhe Nazim Bllaca janë zhvatës, asnjëri nuk ishte pjesë e SHIK-ut”
Deklarata e Kadri Veseli e dhënë para Gjykatës së Eulex-it në vitin 2012.
Kadri Veseli nuk ka dashur ta ngrejë zërin të mërkurën në gjykatë “për të mos i frikësuar të pranishmit”.
“Po frikohem me e leshu zanin, mos diçka, se ashtu-kështu më ka dal zani si…”, ka thënë burri më zë të hollë para një trupi gjykues të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kur i është kërkuar të flasë me zë të lartë.
Ish-Shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka dëshmuar të mërkurën në procesin gjyqësor të njohur si “Bllaca II” në të cilin po gjykohen pesë persona për vrasje e vrasje në tentativë të kryera në llogari të organizatës që ka drejtuar ai, shkruan “Koha Ditore”.
Ka mohuar se Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari, Shaban Syla e Bekim Syla kanë punuar ndonjëherë në SHIK. Ai ka mohuar se në këtë organizatë inteligjente të themeluar në vitin 1999, e cila zyrtarisht është thënë se ka pushuar veprimtarinë më 15 qershor 2008, kanë punuar Nazim Bllaca e Naim Miftari. Të dy i ka quajtur zhvatës e keqpërdorues të emrit të SHIK-ut.
Veseli ka dëshmuar për herë të parë në këtë proces gjyqësor në të cilin po gjykohen pesë persona për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe vrasjen në tentativë të Ismet Arifit e Adem Salihajt.
Ka qëndruar në këmbë për më shumë se pesë orë pa u ulur asnjë minutë duke folur e duke fshirë djersët. Ka qenë kategorik se asnjëri prej të akuzuarve nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut.
“Nuk ka punëtor të SHIK-ut që Kadri Veseli nuk e ka takuar. Të gjithë punëtorët një herë në vit i kam takuar nga një apo dy orë. I kam njohur të gjithë punëtorët, e kanë njohur njëri-tjetrin”, ka thënë ai. Në fillim të themelimit ka thënë se numri i punëtorëve nuk ka kaluar 30, derisa në fund ka qenë 92. /Telegrafi/