Në kohën e Thaçit, Greqia dhe Kina njohën pasaportën e Kosovës, Thaçi nuk i konsideronte arritje
Që nga koha kur presidente u bë Vjosa Osmani, kryeministër Albin Kurti e kryediplomate Donika Gërvalla, politika e jashtme e Kosovës ka stagnuar në kuptimin e plotë të fjalës.
Asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare nuk ka ndodhur që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, shkruan Demokracia.com.
Për Republikën e Kosovës, lexuesi ndërkombëtar dhe jo vetëm vendor, mund të lexojë e dëgjojë deklaratat e drejtuesve të shtetit, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, si një vatër e rrezikshme që mund të përfundojë në një luftë me Serbinë.
E gjithë vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën është përqendruar në dialogun e saj me Serbinë, në qendër të të cilit qëndron themelimi i Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në mungesë të sukseseve reale në politikën e jashtme, kryeministri Albin Kurti e ka prezantuar si triumf të madh njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja, e cila ndonëse nuk njeh pavarësinë e Kosovës, e ka ndërmarrë këtë akt me rastin e liberalizimit të vizave për qytetarët në Zonën Shengen të BE-së. Ai nuk e ka fshehur ekzaltimin e tij me vendimin e Spanjës.
“Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja i është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar!”, ka shkruar Kurti më 6 janar 2024 në Instagramin e tij.
KUR KINA DHE GREQIA NJOHËN PASAPORTAT E KOSOVËS
Në vitin 2008, para 15 vitesh dhe vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte pritur në takim shefin e zyrës greke në Prishtinë, Dmitris Moschopoulos, nga i cili kishte marrë një lajm me rëndësi nga Greqia. Ky shtet, ndonëse nuk njeh ende pavarësinë e Kosovës, kishte vendosur t’i njoh pasaportat e Republikës së Kosovës.
Në reagimin e asaj kohe, kryeministri Thaçi, i cili vetëm brenda pak muajve nga shpallja e pavarësisë kishte pranuar me dhjetëra njohje të Republikës së Kosovës, e kishte prezantuar si sukses të radhës vendimin e shtetit grek, duke shprehur falënderime për rolin konstruktiv të Greqisë në raport me Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe bashkëpunimin rajonal, një mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në këtë tranzicion demokratik.
“Presim ditë më të mira, në mënyrë që kapaciteti ynë edhe në Athinë të jetë i plotë, si në vendet më të rëndësishme të botës, prandaj raportet mes Kosovës dhe Greqisë do të thellohen në kuptimin diplomatik, politik, ekonomik dhe në atë arsimor”, kishte deklaruar pas takimit ish-kryeministri Thaçi, duke shtuar se me ftesë të ministres së Jashtme të Greqisë, Bokajanis, Kosova tash mund të hapë zyrë diplomatike në Athinë.
Katër vite më vonë, më 12 maj 2014, edhe Kina si anëtare e përhershme e KS të OKB-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kishte vendosur të njoh pasaportat e Republikës së Kosovës, duke ua mundësuar shtetasve të Kosovës të hyjnë në territorin e saj dhe duke u dhënë viza sikurse vepronin deri më tani disa shtete evropiane.
Në atë kohë, lajmi për vendimin e Kinës ishte bërë përmes një njoftimi të zakonshëm dhe pa shumë pompozitet. /Demokracia.com/