Ish kryeministri rus: Ndryshe nga UÇK-ja, pozicioni i Rugovës përputhej me interesat e Rusisë
Në librin ”Prapaskenat e Kapitullimit të Millosheviçit”, kujtime nga Çërnomërdin – Talbott, dy negociatorët kryesorë të Marrëveshjes së Kumanovës nga Rusia dhe SHBA, ishte përmendur takimi i negociatorit rus me Presidentin e ndjerë z. Ibrahim Rugova.
Në këtë libër, negociatori rus Viktor Çërnomërdin në titullin ”Takim i paplanifikuar me I. Rugovën: Çështja shqiptare” shkruan se;
Duke qenë akoma në Bon, mora vesh, se ka mundësi të takohem me liderin e shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Pozicionin e shqiptarëve, pikëpamjet dhe kërkesat e tyre unë i njihja mirë dhe zor se do të dëgjoja ndonjë gjë të re. Megjithatë, vendosa ta dëgjoja përfaqësuesin e tyre. Rugova, i cili, siç ishte e njohur, i përkiste krahut të moderuar të lëvizjes separatiste, kishte shkruar negociatori rus.
Më tutje ai theksoi se ”Në atë moment në lëvizjen separatiste kosovare ekzistonin tri rryma kryesore. E para, ekstremiste, e përfaqësuar ”Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK-ja). Ajo përfaqësonte në vetvete një grup banditësh, që kryenin terror të vërtetë… nuk kishte asnjë kuptim të zhvilloje bisedime me ta. Rryma e dytë, ishte e lidhur me të ashtuquajturën ”Qeveri e Kosovës në mërgim” me në krye Bujar Bukoshin. Kjo ”qeveri” ishte instaluar në Gjermani (Ulm) dhe kishte influencë të madhe në komunitetet e shqiptarëve jashtë atdheut. Dhe, në fund, rryma e tretë, ajo politike. Përkrahësit e saj ishin bashkuar rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës me në krye I. Rugovën”.
Negociatori rus kishte vazhduar rrëfimin duke treguar se ”Në këtë kohë, unë kisha krijuar mendimin tim, që u vërtetua edhe nga takimi. Ai kishte lidhje me faktin se shqiptarët kosovarë, nuk po e kuptonin se ç’po ndodhte në të vërtetë. Ata i drejtonin, por ku është kufiri – ata nuk e dinin. Në këtë situatë, si më i arsyeshmi paraqitej pozicioni i I. Rugovës. Në ndryshim me ekstremistët e armatosur, ky pozicion përputhej me interesat e Rusisë”.