Nga i akuzuar në dëshimtar – shefi i stafit të Kurtit e kaloi ditën në gjykatë, “përmendën tenderët”
Ditën e hënë, Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, nuk doli në punë si zakonisht edhe pse ai ka një detyrë tjetër të rëndësishme mbi supe e të cilën si duket nuk po arrin që nuk po arrin ta kryejë: përgatitjen e udhëtimit të kryeministrit tonë për në SHBA. Arsye për këtë ishte fakti që Dalipi ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Madje, në një rast për të cilin vetë Dalipi në janar të vitit 2017 ishte edhe i akuzuar.
Prokuroria Speciale e Kosovës në janarin e vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Xhemajl Syla, dhe pronarit të atëhershëm të kompanisë “Menagment Development Association” (MDA), Luan Dalipi. Të dy dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare rreth një projekti dymilionësh të financuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2013.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë konsulente MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit të projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit” kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me këtë tender, duke ia përshtatur kushtet dhe kriteret e tenderit interesave të kompanisë së të pandehurit Dalipi.
Megjithatë, në gushtin e vitit 2017 Gjykata e Apelit e kishte liruar nga akuza Luan Dalipin, me arsyetimin se nuk kishte ndonjë argument, se tashmë këshilltari i Kurtit, kishte kryer ndonjë parregullsi që mund të kishte ndikuar mbi interesat e financiare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, Apeli akuzën nuk e kishte rrëzuar edhe për Xhemajl Sylën, zyrtarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ky i fundit po vazhdon të ballafaqohet me drejtësinë, përderisa ditën e hënë në rastin ndaj tij dëshmoi pikërisht Dalipi.
Shefi i kabinetit të Kurtit u mor në pyetje përgjatë gjithë ditës nga anëtarët e trupit gjykues, prokuroria por edhe avokat i Sylës. Ai u paraqit si dëshmitar në këtë seancë, procesverbalin e së cilës e ka siguruar gazeta Nacionale.
Dëshmia e Dalipit
Në seancën e djeshme, Dalipi ka treguar për tenderin për të cilin akuzohet Syla, raportet që ka me këtë të fundit si zyrtar në MTI dhe rolin e tij në kompaninë “Menagment Development Association” (MDA). Dalipi në dëshminë e tij e ka pranur që ka komunikuar me Xhemajl Sylën për tenderin rreth një projekti të BE-së, por që sipas tij kjo ka qenë një gjë krejtësisht normale. Të gjitha komunikimet me të akuzuarin, Dalipi ka shtuar se ia ka ofruar policëve hetues.
“Po, unë vetë këto emaile në formën e PDF ia kam ofruar policit hetues. Këto emaile janë fajla PDF që na janë dërguar në kompani ashtu grumbull, të njëjtat ia kam dhënë policit hetues. Ato na janë dhënë nga një partner potencial gjerman me të cilin ishim në një diskutim për një partneritet për një projekt krejt tjetër, dhe brenga e këtij partneri ishte a janë këto të vërteta. Sepse këto partnerit gjerman u janë dërguar nga një burim anonim dhe ai partner na ka thënë që të njëjtat i janë dërguar zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë dhe supozimi ynë ka qenë se të njëjtat u janë dërguar edhe kompanive tjera me të vetmin qëllim për ta dëmtuar reputacionin e kompanisë MDA”, ka thënë në dëshminë e tij shefi i kabinetit të Kurtit.
Dalipi e ka konfirmuar se ishte ftuar për intervistim edhe nga zyra OLAF në kuadër të BE-së, e cila heton mashtrimin, korrupsionin dhe kepqërdorimet brenda institucioneve evropiane.
“Herën e parë vlerësimi i tenderit ka dështuar për shkak të mospajtimit në lidhje me vlerësimin jo-objektiv që është bërë nga anëtarët e komisionit vlerësuses nga radhët e zyrës së BE-së në Kosovë. Ne jemi informuar nga zyra ‘’OLAF’’, që është agjencia evropiane për kundërmashtrim. Unë nuk kam qenë menaxher i kompanisë por aksionar. E kemi pasur drejtorin menaxhues në atë kohë. Sidoqoftë jam thirrur në intervistë nga OLAF në atë kohë dhe përgjigja e OLAF se kompania MDA nuk ka bërë asnjë shkelje në lidhje me procesin e tenderit”, ka shtuar Luan Dalipi dje në seancë.
Shefi i kabinetit të Kurtit ka treguar rolin e tij në gjithë procesin e këtij tenderi.
“MDA si një partnere në konsorcium, si kompani private, synon të hulumtojë tregun, të përgatisë oferta të suksesshme dhe të bëjë implementimin e suksesëshëm të projekteve. Firma jonë ka qarkulluar mesatarisht rreth 1 milion euro në vit”, ka treguar tutje ai.
Më e ashpër në pyetjet e saj ishte edhe prokurorja speciale, Drita Hajdari. Ajo e ballafaqoi Dalipin me pozitën që kishte në kompani, në kohën kur ishte dhënë ky tender.
“Edhe pse jam prokurore që nga fillimi i rastit, kam drojë që roli juaj brenda kompanisë MDA nuk është sqaruar dhe ky element ishte edhe një prej elementeve që jeni liruar nga aktakuza sepse u vërtetua se nuk e keni pasur statusin e personit zyrtar. Sot thatë se ishit aksionar në MDA, mua nuk më intereson përqindja e aksioneve por më intereson ajo që pyeti gjyqtari dhe nuk morëm përgjigje”, u shpreh Drita Hajdari në seancë.
Pas disa orësh marrje në pyetje, seanca në këtë rast përfundoi.Nga i akuzuar në dëshimtar – shefi i stafit të Kurtit e kaloi ditën në gjykatë
Luan Dalipi ka qenë shef i stafit të Kurtit edhe në mandatin e parë, dhe këtë detyrë vazhdon ta mbajë edhe aktualisht./nacionale, Besian Beha/