PDK: Vetëvendosje po mbulon dhunën e saj me propagandë e linçime
Partia Demokratike e Kosovës, në një deklaratë për media, ka thënë se Vetëvendosje po përpiqet që me propagandë ta mbulojë dhunën të cilën ua ka shkaktuar qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Ky qëndrim i PDK-së vjen pas një reagimi të Vetëvendosjes lidhur me gjyqin për gazin lotsjellës, për ç’gjë tre deputetë të saj nuk janë paraqitur në Gjykatë dhe Policia i ka kërkuar dhe nuk i ka gjetur ata në shtëpitë e tyre.
“Deputetët dhe krerët e kësaj partie edhe sot nuk iu përgjigjën drejtësisë, për veprimet e tyre të dhunshme, që kanë rrezikuar edhe jetë njerëzish, që kanë bërë në Kuvendin e Kosovës, duke përdorur metoda dhe armë të rrezikshme”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media të lëshuar nga PDK.
Komunikata e plotë e PDK-së:
Partia Vetëvendosje qenka përpjekur edhe sot ta mbulojë dhunën e saj, të cilën ia bën sistematikisht qytetarëve dhe shtetit, duke vazhduar me propagandë dhe etiketime ndaj individëve e institucioneve të vendit.
Deputetët dhe krerët e kësaj partie edhe sot nuk iu përgjigjën drejtësisë, për veprimet e tyre të dhunshme, që kanë rrezikuar edhe jetë njerëzish, që kanë bërë në Kuvendin e Kosovës, duke përdorur metoda dhe armë të rrezikshme.
Pa dyshim se nuk mund të pritet nga këta njerëz që t’i përgjigjen ligjit e t’i përgjigjen shtetit, sepse ata nuk e njohin shtetin e Kosovës, ata e fyejnë dhe e përdhosin flamurin e Kosovës, fyejnë e injorojnë sportistët e Kosovës. Janë ata që bëjnë veprime terroriste ndaj shtetit të Kosovës, djegin institucionet e Kosovës, dëmtojnë pronat e shtetit, shkatërrojnë pronat private të qytetarëve, maltretojnë familjet e deputetëve dhe ministrave, frikësojnë e sulmojnë gazetarë dhe linçojnë në vazhdimësi këdo që nuk mendon si ata.
Nuk mund të pritet asgjë e mirë nga një grup që ka depo me armatim dhe ka brigada të dhunës.
Nuk mund të pritet asgjë nga një grup si Partia Vetëvendosje që ligj të vetin e ka vetëm dhunën. Prandaj, ata refuzojnë të respektojnë ligjet e Kosovës, refuzojnë të përballen me të vërtetën, siç bënë pikërisht edhe sot, kështu që strehohen e fshihen pas propagandës boshe dhe linçimit të rrezikshëm.
Sistemi i drejtësisë është evidente se ka nevojë për përmirësime dhe ky është synim i gjithë neve. Njëjtë ka nevojë të jetë i mbrojtur nga promovuesit e dhunës dhe konflikteve që publikisht kërcënojnë e shantazhojnë prokurorët e gjykatësit.
Askush nuk duhet t’i frikësohet çfarëdo veprimi të gjykatës. Kushdo që i frikësohet dhe i ikë drejtësisë dëshmon për urrejtjen që ka ndaj shtetit të Kosovës dhe e legjitimon dhunën dhe shkeljen e përditshme të ligjit në Kosovë.
Në Kosovë do të ketë sundim të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë kushdo qofshin ata e pavarësisht përkatësisë së tyre politike.