Përmbytjet në Shqipëri, në terren janë 2200 forca policore
Në terren janë 2200 forca policore, të cilat janë duke punuar për të ndihmuar qytetarët në përballimin e situatës së përmbytjeve.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj të dielën në mëngjes ka shkuar në Novoselë në Vlorë, për të monitoruar situatën e përmbytjeve tek Ura e Mifolit, nga ku bëri me dije se janë 2 200 forca policore në terren në ndihmë të qytetarëve.
“Le të shpresojmë që deri në fund të vazhdojmë kështu që të kemi sa më pak dëme. Është rasti për të falënderuar policinë dhe të themi që kjo është fytyra e vërtetë e policisë. Detyra numër 1 e forcave speciale është që të shpëtojnë jetët njerëzore. “Së dyti të shpëtojnë bagëtitë dhe së treti të shpërndajnë ndihma”, tha Xhafaj.
Ka vetëm një mesazh, vijoi Xhafaj, ne jemi në shërbim të njerëzve. “Ndoshta në vlerësimin tim, është ndër përcjelljet më të mira mediatike që i është bërë një situate të tilla. Keni një meritë të veçantë. Zakonisht merrni pjesën e keqe për të bërë lajm, por këtë herë keni marrë edhe pjesët e mira”, tha Ministri i Punëve të Brendshme, duke iu drejtuar mediave.