Posta e Kosovës po “uzurpohet”, personi i afërt me pushtetin e ri emërohet sekretar
Një tjetër përkrahës i Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje është rehatuar në punë të shtetit. Bëhet fjalë për Florent Tahiraj, ish-anëtarin e LDK-së që i doli në përkrahje Vjosa Osmanit, i cili nga dhjetori do të shërbejë si Sekretar i Postës së Kosovës.
Demokracia.com përmes një letre që e posedon ka mësuar se Tahiraj e ka filluar punën e tij të re nga 1 dhjetori i vitit 2021.
Vendimi për këtë është marrë nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës, i cili po ashtu është emëruar nga Qeveria Kurti II dhe përbëhet nga persona të afërt me pushtetin aktual.
Sa i përket Florent Tahirajt, Demokracia.com merr vesh se i njëjti për vite radhazi ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky i fundit ishte edhe drejtor i Forumit Rinor të kësaj partie në Gjakovë.
Sidoqoftë, pas largimit të Vjosa Osmanit dhe krijimit të Listës Guxo, ky kishte vendosur që t’i përkrahte “guximtarët” e rinj që u shkëputen nga LDK-ja. Ndonëse pas “rehatimit” si sekretar është treguar aq i paguximshëm saqë e ka mbyllur edhe Facebook-un e vet nga frika e raportimeve mediale.
Siç duket përkrahja në zgjedhje ndaj Osmanit dhe LVV-së po i shpaguhet, pasi që bordi i emëruar pikërisht nga qeveria e krijuar prej tyre e ka rehatuar Florent Tahiraj në këtë pozitë të rëndësishme në Postën e Kosovës. I njëjti, siç mëson Demokracia.com, më herët kishte shërbyer në Ndërmarrjen Publike Lokale “Trafiku Urban”, ku edhe këtu kishte mbajtur pozitën e sekretarit.
Disa muaj më parë, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se ndërmarrjet publike, duke përfshirë këtu Postën e Kosovës, janë çliruar me ardhjen e tij në pushtet. Megjithatë, një gjë e tillë duket të ketë ndodhur vetëm për t’u “mbushur” me militantë e përkrahës të Listës Guxo dhe LVV-së, raporton Demokracia.com.
Në anën tjetër, Vjosa Osmani, para se të fitonte pushtetin kishte thënë se do të depolitizoheshin ndërmarrjet publike.
Gjatë vitit 2019, ajo e kishte kritikuar ashpër pushtetin e atëhershëm për punësimet nëpër këto ndërmarrje.
Demokracia.com gjatë ditëve në vijim do të publikojë edhe artikuj të tjerë që tregojnë për shkeljet dhe keqpërdorimet që po bëhen në ndërmarrjen publike “Posta e Kosovës”.
Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës drejtohet nga Safija Beseni.
Qeveria e Kosovës në maj të vitit të kaluar emëroi edhe tre anëtarët e tjerë të këtij bordi, Sebahate Krasniqi, Genc Rama dhe Naim Haliti.
Ky i fundit, për vite me radhë është edhe donator i partisë së kryeministrit Kurti. /Demokracia.com/