PROKURORIA NIS HETIME PËR PUNËSIMIN E PALIGJSHËM TË ZËVENDËSMINISTRIT
Hulumtimi i Gazetës Insajderi dëshmon se si zëvendësministri Shkodra është punësuar pa konkurruar si asistent i rektorit Bajram Kosumi, në Universitetin “Kadri Zeka”. Bazuar në burime të sigurta brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan, Policia e Kosovës veçse është autorizuar për hetimin e rastit.
Tetë ditë pas raportimit të Insajderit lidhur me punësimin e paligjshëm të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Abdulselam Shkodra, si asistent-profesor në Universitetin e Gjilan “Kadri Zeka”, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime për rastin.
Hulumtimi i Gazetës Insajderi dëshmon se si zëvendësministri Shkodra është punësuar pa konkurruar si asistent i rektorit Bajram Kosumi, në Universitetin “Kadri Zeka”.
Bazuar në burime të sigurta brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda veç ka autorizuar Policinë e Kosovës- Sektorin për Krime Ekonomike, për hetimin e rastit për të cilin ka raportuar Gazeta Insajderi.
Gjithashtu po njëjtat burime tregojnë se janë duke hetuar edhe keqpërdorime të tjera brenda këtij Universiteti, gjegjësisht edhe një profesori universitar, me dyshime për falsifikime brenda të njëjtit Universitet. Po ashtu bëhet fjale edhe për shumë punësime tjera pa kritere e pa konkurs, krejt të kundërligjshme në këtë institucion arsimor.
Insajderi ka kërkuar të dhëna lidhur me hetimin nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, i cili përmes telefonit ka thënë se janë duke u bërë hetime edhe në këtë institucion të lartë arsimor, pa specifikuar se për çfarë hetimi është fjala.
Shkodra, i cili dyshohet se është mik i afërt i rektorit të Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi, është emëruar asistent i tij në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor” dhe në lëndën “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale”.
Në konkursin e shpallur më 14 shtator të vitit 2018, kërkohej një asistent në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor”, mirëpo ne dokumentet të cilat i publikoi Gazeta Insajderi, emri i zëvendësministrit Shkodra nuk gjendej në listën e kandidatëve të pranuar në këtë universitet.
Ndërsa për lëndën, “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” nuk ka pasur konkurs fare. Pavarsisht kësaj, zv/ministri u punësua si asistent. /Insajderi.com