Qeveria e shpërblen sërish Gani Jakupin, ia mbështet me 20 mijë euro festivalin, plus 7500 euro në muaj
Gani Jakupi, i cili së fundi është emëruar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës si “këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike” me pagesë 7,500 euro në muaj, së fundi është bërë përfitues i 20 mijë eurove nga Ministria e Kulturës.
Këto para, Jakupi i ka përfituar për qëllim organizimin e festivalit “Gran Fest 2024” që i dedikohet romanit grafik.
Lista e fituesve është publikuar më 29 nëntor të këtij viti, raporton sot Kallxo.com.
Organizata që është përfituese quhet Instituti Për Art – ProARTE, që sipas të dhënave në sistemin e Organizatave Joqeveritare, është themeluar në vitin 2021 nga Gani Jakupi dhe Majlinda Bregasi.
Për kallxo.com, Jakupi ka thënë se këto para janë ndarë nga Ministria e Kulturës për edicionin e festivalit për vitin 2024, kurse edicioni i këtij viti është financuar nga Komuna e Prishtinës, Ambasadës Italiane e asaj Franceze.
Jakupi tha që paratë nuk hynë në xhepin e tij, pasi “ato ndahen për nevoja të festivalit”.
Në nëntor të këtij viti, Gani Jakupi u emërua si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’, post për të cilin do të paguhet 7500 euro në muaj. Kontrata zgjat 11 muaj.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e kishte mbrojtur kontratën. Jakupin e kishte quajtur “ekspert” që punon për të mirën e vendit.