Qeveria propozon Veton Surroin për Sekretar të Përgjithshëm të RCC-së
Publicisti Veton Suroi është i propozuari i Qeverisë së Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024, ka raportuar sot portali Kosovo-Online bazuar në burime diplomatike.
Në një shënim zyrtar, në të cilin ka siguruar qasje portali Kosovo-Online, Qeveria e Kosovës ia ka dërguar propozimin Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës.
Në dokument thuhet se Surroi është i njohur në rajon për përkushtimin e tij ndaj paqes, si dhe për aspiratat evropiane e euroatlantike të popujve të Evropës Juglindore, transmeton Paparaci.
Gjithashtu thuhet se në tri dekadat e kaluara, ndër të tjera, Surroi ka treguar kapacitetet e tij si themelues dhe publicist i gazetës “Koha ditore”, si dhe pjesëmarrës në procesin e negociatave në Rambuje në vitin 1999.
Surroi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2004 deri në vitin 2007, ndërsa nga prilli i vitit 2021 është këshilltar qeveritar në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Zyra e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal drejtohet nga një këshilltar politik i emëruar nga Kryeministri dhe njëkohësisht shërben si Koordinator Kombëtar për RCC. /Paparaci.com