“Qosja tha pushka e UÇK-së na solli në Rambuje e jo mënyra paqësore, Thaçi të udhëheq delegacionin”
Konferenca e Rambujesë konsiderohet si një nga momentet kyçe drejt çlirimit dhe më pas rrugës për pavarësi për shtetin e Kosovës, shkruan GazetaDemos.
Në një nga momentet e rralla kur përfaqësues kryesor politik e ushtarak u bënë bashkë për të vendosur fatin e shtetësisë së Kosovës, e që në fund dha edhe rezultat, ku si pasojë e asaj Marrëveshje ndodhi edhe bombardimi i Serbisë nga NATO.
Një nga përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës i ftuar “n’Demos” ka treguar disa nga prapaskenat e udhëtimit të delegacionit kosovar për në Francë.
“Në fakt ka qenë një problematik në veti kjo çështja e udhëtimit në Rambuje, pasi u shty një natë, por patë thënë njëherë Hydajet Hyseni se pa Ramë Bujën nuk ka Rambuje se ndoshta që koicidonte edhe emri. Nga Aeroporti i Prishtinës kemi udhëtuar unë Jakup Krasniqi dhe Azem Syla, ndërsa Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti kanë udhëtuar nga Tirana për në Paris. Hashimi ishte në Tiranë atë ditë ku ndodhi udhëtimi, pasi ai bukur shpesh ka kaluar kufirin me detyrat që ka pasur“, ka thënë Buja.
Buja ka përgjigje edhe për një çështje që pothuajse gjithmonë diskutohet se si u vendos Hashim Thaçi në krye të delegacionit, ku në atë ekip bënte pjesë edhe Ibrahim Rugova e Rexhep Qosja.
“Në fillim kishte pak rezistencë se kush do ta printe delegacionin, aty u tha se të mos jetë Hashimi por të jetë Rugova. Por me kontributin edhe të Rexhep Qosjes që tha se ju e dini se kush na solli në Rambuje, a do të na sillte mënyra paqësore, apo pushka e UÇK-së, dhe pati ndikimin e vet. Pati më pas edhe rezistenca pse të jetë Hashimi e jo Rugova, më pak se dy ora më pas ka zgjatur ai takim, përfaqësuesit ndërkombëtar më pas u habitën se si kaq shpejt u konsiliduam si delegacion“, ka pohuar ai. /GazetaDemos/