fbpx
Lajme

Ish kreu i LPK-së: Pas rrethimit të Prekazit, kush ishte plagosur dhe kush ofroi ndihmë

Shkruan: Bedri Islami

A është lënë vetëm Adem Jashari?

Në rrethimin e 5 marsit, në orët e para të pasmesnatës, Adem Jashari, i sapo kthyer në shtëpi,me dajën e tij, Osman Geci, nga një takim me bashkëluftëtarë në Açarevë, u ndodh i rrethuar nga më shumë se 4.000 ushtarë specialë serbë, njësi të posaçme, mbi 200 makina të blinduara e tanke, dhe 15 gryka zjarri, të cilat, që nga vendi sipër kullave të tij, që quhej fabrika e Municionit, qëllonin pa ndërprerje. Ishte nën rrethim jo vetëm lagja e Jasharëve, por edhe e Lushtakëve dhe e Kodralive.

Njëkohësisht janë rrethuar dhe kanë filluar luftimet edhe në Vojnik, ku ishte drejtues Abedin Rexha, në Açarevë, Siçevë dhe Kopiliq. Llausha kishte nisur të bombardohej nga qendrat e forcave serbe në Polac. Nga drejtimi i Klinës drejt Vojnikut shkuan dhjetëra automjete të blinduara, pasi në Vojnik disa javë më parë ishte zhvilluar një betejë e ashpër kundër forcave serbe. Në Tushilë kishte po ashtu luftime.

E megjithatë disa forca nga zona jashtë luftimit, si ato të drejtuara nga Ilaz Kodra, Musë Jashari, Jetullah Geci që ishte i plagosur, forcat e drejtuara nga Mujë Krasniqi, forcat e drejtuara nga Rasim Kiçina, Jahir Demaku me vëllezerit dhe shokët e tij të Drenasit,  etj shkuan në ndihmë, por nuk mundën të çanin dot rrethimin ku ishin përqendruar forcat speciale serbe dhe grupi i Arkanit.

Pra, duke u përqendruar tek shtëpia e Jasharëve, në fakt ishte rrethuar e gjithë ajo pjesë e Drenicës, e cila prej disa muajve kishte qenë si zonë e lirë.

Ata që e lanë vetëm ishin krijuesit e lëvizjes “paqësore”, si Bukoshi, i cili, sipas pohimit të Rifat Jasharit, vëllait të Ademit e Hamzës, edhe kur i kërkuan ndihmë, i përcolli me përbuzje. Vetëm pasi ata ranë, u kujtuan të organizonin aksionin “Gjithçka për Drenicën”, ku grumbulluan dhjetëra milionë marka gjermane, të cilat, si do të thonte më pas numri 2 i qeverisë Bukoshi, Xhafer Shatri, “ndërkohë që në kufi vriteshin si qëngjat njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e fondit të Republikës së Kosovës ruheshin për “ditë të zeza“. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët institucionalistë duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me pare të popullit veprimtari kundër tij“.

Shatri duhet ta ketë ditur mirë këtë punë,.sepse ka qenë luga brenda vekshit.

Në fakt, si e kam shkruar në librin “Përjetësia e dyfishtë”, mjetet e përcaktuara për të shkuar në Drenicë dhe për të cilat ishte bërë një marrëveshje mes Ramiz Lladrovcit, në atë kohë përfaqësues i emëruar me shkrim nga Adem Jashari për Drenicën, Lulzim Jasharit dhe nga ana tjetër, Azem Sylës, që ishte asaj kohe pjesëtar i Sektorit të veçantë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk u realizua asnjëherë, edhe për shkak të rrjedhës së shpejtë të ngjarjeve.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close