fbpx
Lajme

Ibrahim Kelmendi befason: Gjenerali Klark protestoi kundër keqsjelljes së Milaim Zekës

Marrin një tjetër rrjedhë polemikat dhe debatet mbi rolin e politikanëve shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në luftën e UÇK, për çlirimin e Kosovës nga ushtria e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi, protagonist i luftës së UÇK dhe njeriu i ngarkuar për furnizimin me armë dhe çështje logjistike të UÇK, jep versionin e tij për një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe vendimtare në historinë e shqiptarëve. Gjatë një interviste për gazetën SOT, Ibrahim Kelmendi, ka deklaruar se ish-kryeministri Fatos Nano ka qenë sabotatori më i madh i luftës për çlirimin e Kosovës. Ndërsa duke u ndalur tek roli i Sali Berishës, Kelmendi thotë se në kulmin e luftës, Berisha nuk kishte as rol pozitiv dhe as negativ, pasi nuk ishte në pushtet. Por, Kelmendi deklaron se SHIK i Sali Berishës, që komandohej nga Beogradi dhe Shkupi, ka përndjekur luftëtarët e UÇK. Madje, Kelmendi kujton se për të kaluar armët nga Shqipëria në Kosovë, SHIK dhe policia kanë marrë ryshfet. Kelmendi ka rrëfyer edhe tre linjat kryesore të furnizimit me armë të UÇK nga depot në Shqipëri. Ai flet gjithashtu për rolin e Pandeli Majkos, Fatos Klosit dhe faktorëve të tjerë politikë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në luftën e UÇK. Kelmendi deklaron se rol kryesor në luftën e UÇK kanë patur amerikanët, ndërsa shton se Rugova, Mustafa dhe Bukoshi kanë qenë marioneta të Beogradi. 

Z. Kelmendi, në Tiranë ka nisur një debat mbi rolin e disa faktorëve dhe linjave politike në Shqipëri dhe Kosovë, në luftën e UÇK. A është i nevojshëm një debat i tillë mes shqiptarëve për protagonizëm, për një luftë tashmë të fituar nga shqiptarët me mbështetjen e amerikanëve?

  Po, jam në rrjedhë të debatit që po ndodh, i nxitur nga një intervistë të Prof. Fatos Klosit, emetuar në televizionin publik të Kosovës (RTK). Jam i mendimit se informacioni i bartësve dhe pjesëmarrësve të asaj Lufte Çlirimtare është i dobishëm, që historianët të kenë mundësi ti (ç)vlerësojnë. Patjetër, ofrimi i cilido informim nxit edhe debat, meqë secili njeri ka këndvështrimin dhe perceptimin subjektiv. Gjatë debatit mund të dalë në pah edhe protagonizmi. Ndoshta është njerëzore edhe kjo, meqë luftën çlirimtare nuk e kanë bartur jashtëtokësorët dhe nuk e kanë bartur as ata që nuk ishin bartës dhe pjesëmarrës, bile ishin kundër, dhe tani duan të imponohen si bartës e pjesëmarrës. Uroj që të kemi sa më shumë sinqeritet dhe sa më pak rrahagjokse, meqë janë të shumtë bartësit, pjesëmarrësit dhe përkrahësit, që kanë kontribuuar me aftësitë, mundësitë e mendësitë që kishin, siç kishte shumë që ishin kundër. – Ka një pretendim nga Milaim Zeka, por edhe nga të tjerë, se ka pasur një veprimtari të Pandeli Majkos për të bllokuar furnizimin me armë të UÇK nga depot në Shqipëri. Si qendron e vërteta sipas jush? 

Me sa mbaj mend, z. Milaim Zeka atëherë ishte një element tepër destruktiv dhe shpesh na ka shkaktuar vështirësi. Destruktiviteti i tij ka shtyrë edhe Komandantin e NATO-s, Gjeneralin Clark, që të protestonte kundër keqsjelljes së z. Zeka dhe të kërkoi që ky të disiplinohej. Tjetra, z. Zeka atëherë ishte marionetë e komplotistëve ndaj UÇK-së, Xhavit Haliti dhe Azem Syla, që imponoheshin se ishin krye-komandantë dhe bosa të UÇK-së. Këta të dy nuk e mirëpriten qëndrimin e Kryeministrit Majko, që UÇK-ja të furnizohej me armatim e municion falas dhe të ndërpritej praktika e deriatëhershme e kontrabandimit; në praktikë disa ushtarakë të Ushtrisë Shqiptare, duke pasur qasje në depo e kazerma, ia vidhnin ushtrisë se tyre dhe na i shisnin neve. Kjo kontrabandë kishte futur xhelozi mes ushtarakëve të Ushtrisë Shqiptare. Kryeministri Majko donte ti jepte fund edhe atij lloj kontrabandimi. Komplotistët Haliti dhe Syla nuk e mirëpriten këtë ofertë të kryeministrit Majko, meqë dëshironin të vazhdonin me praktikën e deriatëhershme, për të kamufluar vjedhjet e mjeteve financiare të UÇK-së. Fatkeqësisht, Prof. Klosi mbajti anën e komplotistit Xhavit Haliti, për arsyet që unë nuk i di, dhe u konfliktua me kryeministrin Majko. Thënë shkurt e shqip, aty e tutje strukturat e Shtetit Shqiptar u sollën më shqiptarisht në ndihmim e përkrahje të UÇK!

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close