Radoiçiqit iu revokua urdhërarresti pas fitores së LVV-së dhe iu dha tender rreth 600 mijë euro
Milan Radoiçiq deri vonë kërkohej nga institucionet e Kosovës për t’u arrestuar si kreu i dyshuar i grupit të organizuar kriminal përgjegjës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në janar të vitit 2018. Por, në tranzicionin e pushtetit, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje më 14 shkurt 2021, Radoiçiqit menjëherë i ishte revokuar urdhri për arrestim.
Ai ishte kthyer në shtëpi në pjesën veriore të Kosovës me shumicë serbe, pas arratisë për më shumë se dy vjet, pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës ia kishte anuluar atij urdhrin për arrestim më 1 mars 2021, transmeton Demokracia.com.
Si një prej kokave më të mëdha të krimit në veriun e Kosovës, biznesmen dhe nënkryetar i partisë Lista Serbe, Radoiçiq mbështetej gjithnjë nga qeveria e Beogradit.
Megjithatë, disa ditë pas tërheqjes së urdhrit për arrestimin e Radoiçiqit, Sylë Hoxha, tani prokuror në pension, i cili e kishte hetuar çështjen e vrasjes së Ivanoviçit, ishte shprehur i çuditur me lirimin e papritur të Radoiçiqit nga akuzat kundër tij.
“Unë kisha prova kundër tij. Revokimi i urdhrit të arrestit mund të dëmtojë procesin”, ishte shprehur Hoxha.
Aktakuza për vrasjen e Ivanoviqit, e ngritur në dhjetor 2019, pretendonte se Radoiçiqi dhe Veselinoviq ishin krerët e një grupi kriminal përgjegjës për vrasjen dhe akuzonte disa policë për asistim në kryerjen e krimit.
Ndonëse Qeveria Kurti ishte shprehur gjithnjë kundër përfshirjes së Listës Serbe në qeverisje, e cila defakto drejtohej nga Radoiçiq, për shumëkënd ishte tepër i dyshimtë emërimi i disa politikanëve të Listës Serbe si zëvendësministra në Qeverinë Kurti.
Në gusht të vitit 2021, Kurti kishte emëruar për zëvendësministër Tihomir Dimiq në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili ishte anëtar i strukturave paralele të Fushë Kosovës me vendim të Qeverisë së Serbisë. Ndërsa, Ksenija Bozhoviqin, dikur e afërt me politikanin serb Oliver Ivanoviq, e cila pas vrasjes së tij i ishte bashkuar Listës Serbe, me vendim të Kurtit ishte emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë.
Ndërsa, një muaj më vonë, në korrik të vitit 2021, ishte raportuar se Qeveria e Kurtit i kishte dhënë edhe tender një kompanie të lidhur me Radoiçiqin.
Ministria e Infrastrukturës i kishte dhënë tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik B CORP SH.P.K., Europa Partners SH.P.K., RAD D.O.O. Kjo kompani është futur në listën e zezë nga SHBA.
Kjo e fundit, Rad D.O.O, e cila figuron si pronë e njeriut të Radoiçiqit, Radule Steviç, pretendohet se është pronë e vetë Milan Radoiçiqit dhe kamionët e tij janë pare shpeshherë edhe në barrikadat e serbëve të veriut.
Kjo kompani kishte marrë tender për Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021-2022 të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale nga Ministria e Infrastrukturës.
Ky konzorcium, në fakt fitoi Lotin 2, në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale për qytetin e Mitrovicës. /Demokracia.com/