fbpx
Lajme

Ramiz Alia: Enveri e ngriti çështjen e Kosovës te Tito, ai i tha duhet pritur që të mos krijojmë problem me serbët

Më poshtë mund të lexoni pjesë nga intervista me Ramiz Alinë, trashëgimtarin e Enver Hoxhës, të dhënë në vjeshtën e vitit 2005, për gazetarin Mentor Nazarku, në të cilën flet për Mehmet Shehun dhe Kosovën.

Pas vdekjes së Mehmet Shehut, u mbajt një qëndrim i ftohtë, me një komunikatë zyrtare. Më pas, nisi një fushatë kriminalizuese ndaj tij si poliagjent etj. I qëndroni ju sot, pas 25 viteve, akuzave që ai ka qenë agjent i Jugosllavëve, amerikanëve, rusëve, etj.?

Alia: Vetëvrasja e Mehmetit e komplikoi problemin, pasi lindi pyetja se përse e bëri këtë? Pse vrau veten? Ishte pikërisht kjo pse. Mua, kur më njoftuan për vrasjen e Mehmetit, kam shkuar te Enveri për t’a lajmëruar. Gjëja e parë që tha Enveri: “Po pse vrau veten?”. I bëri pyetje vetes. Nuk deshi përgjigje nga unë. Pra, lindi kjo pyetje. E më vonë, pas një apo dy ditësh, në zyrën e Enverit, ai më bëri një pyetje: “I ke parë ti ato dokumenta që na kanë ardhur në vitin 1964 për Mehmetin”? Unë nuk kisha parë gjë dhe i thashë: “Jo, nuk di gjë”. U ngrit, ishin në kasafortën e Hysnin Kapos që kishte vdekur në atë kohë. Kasafortën e Hysniut e mbante Enveri në kasafortën e tij. E hapi atë kasafortë dhe më dha një zarf me kartela, të cilat ishin kartela të zbulimit të huaj. Autentike apo jo, unë nuk them dot gjë. Fakt është që ato i kishin parë në vitin 1964 Enveri dhe Hysniu, vetëm këta të dy, e kishin arritur në përfundimin se ky është një provokacion që na bëjnë rusët për të na ndarë me Mehmetin. E, për këtë arsye e kishin mbyllur për rreth 17 vjet (1964-1981). Meqënëse Mehmeti vrau veten, Enveri nisi të besojë se këto janë të vërteta. Unë nuk them dot gjë për këto dokumente. Me thënë të drejtën, kur i lexova, të dukej se kishe të bëje me një agjent të tyre të Intelligence Service. Në ishin apo jo të vërteta, nuk them dot gjë. Në vitin 1987, në ambasadën tonë në Argjentinë, një amerikan dorëzon një letër, ku thuhej se: “Ato dokumente që ju janë dhënë në vitin 1964, janë të vërteta”. Pra, kur kishte vdekur edhe Mehmeti, edhe Enveri. Unë e kam parë atë dokument, ia kam lexuar Komitetin Qëndror të Partisë dhe u kam thënë: “Nuk dua asnjë koment, por të futet në arkivë”. Ajo duhet të jetë në arkiv.

Ju duket disi qesharake…?

Alia: Mund të jetë qesharake, mund të jetë hiç. Unë sot nuk mund të prononcohem fare, pasi nuk kam asnjë të dhënë. Unë po flas atë që ishte reale.

Po me zemër?

Alia: Me zemër them këtë: Po të kishte qenë Mehmeti i tillë që nga viti 1942-43, kohë kur ishte në kampin e përqendrimit, deri në vitin 1981 kur vrau veten, i thonë 40 vjet. Çfarë ka pritur? Ishte në krye të vendit. Po të ishte agjent i amerikanëve apo i anglezëve, çfarë donin më tepër ata për ta shtruar Shqipërinë?! Mehmeti do të kishte vepruar. Por deri atëherë s’ka vepruar. Domethënë, kur them vepruar, një agjent i atij niveli bën përmbysje. Nuk thotë ai: …Ky është kështu, e ky është ashtu… Muhabet kot. Pra, ai një veprim të tillë nuk e bëri. E ka pasur raste të shumta, si për shembull në kohën e prishjes me sovjetikët. Nga kjo pikëpamje, janë të dyshimta konkluzionet mbi atë çështje.

Në vitin 1981, shtypi jugosllav e quajti “vrasje” atë që i ndodhi Mehmetit dhe ka thënë se “me vrasjen e Mehmet Shehut, irredentizmi shqiptar mori goditje të rëndë”. Ndërkohë, nga disa analiza që bëheshin në Amerikë rreth raporteve shqiptaro-jugosllave, Mehmet Shehu është konsideruar si përfaqësues i krahut të ashpër përsa i përket Kosovës. Kështu shikoheshin edhe shkrimet e iniciuara në gazetën “Bashkimi”, organ i cili ishte më afër qeverisë, pra më afër Mehmet Shehut….

Alia: Këto janë konkluzione që mund t‘i kenë nxjerrë amerikanët, për të cilat nuk jam në dijeni. Përsa i përket problemit të Kosovës, më kundërshtar i serbëve për Kosovën ka qenë Enver Hoxha. Në shkrimet e tij është fare evidente, por kjo nuk do të thotë se Mehmeti nuk ishte i tillë. Por unë besoj se shprehja e thënë nga jugosllavët për “…fundin e irredentizmit…” ka të bëjë me faktin se, duke pasur parasysh karakterin e egër dhe të fortë të Mehmetit, ata mund të mendonin se ky njeri mund të bënte aventurë në Kosovë, domethënë të hynte ushtarakisht në Kosovë.

Ka pasur ndonjë plan ushtarak rezervë për këtë?

Alia: Plane të tilla mund të ketë pasur në Shtatmadhori, por unë nuk jam në korent të atyre planeve. Nga kjo them që mund të jetë më shumë një supozim se sa një vërtetim. Kjo nuk vërteton gjë. Sidoqoftë të sulmoje Jugosllavinë do të ishte aventurë, sidomos duke pasur edhe peshën që kishte ajo në qarqet Perëndimore.

***

Nako Spiru ra viktimë edhe e mosmbështetjes së Enver Hoxhës në presionin jugosllav…

Alia: Mundet. Enveri nuk e mbështeti, por në ç‘pozita ishte ai në atë kohë? Kishte ndodhur Plenumi i Beratit dhe vetë Enveri ishte damkosur si antijugosllav. Sidoqoftë mund të diskutohet….

A ishte mungesë e kësaj mbështetjeje nga presioni i jugosllavëve që e çoi në vetëvrasje apo jo?

Alia: Jo, nuk është kjo mungesë që e çoi në vetëvrasje. Nako priste përgjigje nga sovjetikët. Sidoqoftë, ata që e çuan në vetëvrasje Nakon janë jugosllavët, është akuza që i bënë jugosllavët që ti je agjent i imperializimit, që ti po bashkëpunon me imperialistët kundër miqësisë shqiptaro-jugosllave. Kjo ishte kryesore, madje vendimtare. Në qoftë se kapemi te fakti nëse e priti apo nuk e priti iksi apo ypsiloni, do të largohemi nga ajo që është themelore. Ndryshe, dashur pa dashur, po e nxjerrim jugosllavin, Titon dhe shokët e tij, të pafajshëm. Kjo nuk është e drejtë. Unë nuk e di pse njerëzit duan ta rehabilitojnë Titon dhe Jugosllavinë në raport me Shqipërinë. Jo, vëllezër. Shqipëria ka qenë gjithmonë dhe sot është, mos e harro këtë, në tytë të pushkës së serbëve për arsyet e tyre. Ashtu siç ka qenë edhe për grekët. Tani duke kërkuar fajin e vetëvrasjes së Nakos tek të tjerët, përshtypja ime dhe këtë do t‘ia thoja edhe Liri Berishovës në sy, është që mbrohen Titoja dhe jugosllavët. Jo, ata janë që e vranë Nako Spirun, ata e shtynë në vrasje Nako Spiron. Dhe sikur t‘i jepnin kohën që kërkonte Nako për mbledhjen e Byrosë, pra edhe nëse Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe (Koçi Xoxe në atë kohë ka patur një pushtet të madh, madje më të madh se Enveri) do ta linin Nakon të fliste, fati i Nakos ishte përcaktuar prej jugosllavëve, pikë. Unë nuk e mbroj Enver Hoxhën. Jam dakord që Enver Hoxha ka gabuar, sepse duke e dëgjuar Nakon, mundet të mësonte edhe disa gjëra që mund të mos i dinte. Por prapë, edhe avokat i Enverit do të bëhem, sepse ka edhe rrethana lehtësuese. Mos harro situatën, jemi në vitin 1947. Enver Hoxha ishte viktimë i Beratit, i sulmit jugosllav në Berat. Pra edhe Enver Hoxha ishte në tytën e jugosllavëve, kështu që nuk ishte i lirë plotësisht në veprimet e veta. Thashë, Koçi Xoxe kishte pushtet të plotë.
Enver Hoxha dhe Josip Broz, “gjenerali” Tito

Nuk ishte i lirë, meqenëse ai kërkoi të emërohet Tito edhe sekretar i Partisë së Punës së Shqipërisë, apo jo? A ka kërkuar Enver Hoxha një gjë të tillë që rezulton nga dokumentet?

Alia: Unë nuk e di, nuk e di që të ketë kërkuar. Kam përshtypjen që këto të jenë abuzime me historinë.

Nuk janë retushime të historisë…

Alia: Jo, jo, janë abuzime.

E kanë hequr ata që e kanë shkruar historinë në kohën tuaj dhe tani rezulton nga një përmbledhje për marrëdhëniet me Jugosllavinë se ka kërkuar një gjë të tillë…

Alia: Nuk e di unë e kanë hequr apo e kanë vënë. S‘e kam dëgjuar, është e para herë që e dëgjoj këtë çështje.

Ata që kanë shqyrtuar dokumentet për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave e thonë këtë…

Alia: Mundet, por nuk kam lexuar vetë për këtë çështje. Problemi është që historia duhet parë duke patur edhe këmbët në tokë, pra duke gjykuar sipas kohës së caktuar. Në atë kohë të caktuar, mundet ta ketë thënë Enveri atë që thua ti, sepse dihet që në vitin 1947 edhe Enveri edhe Koçi Xoxe, në radhë të parë, ecnin drejt forcimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, drejt bashkëpunimit të ngushtë me jugosllavët, duke unifikuar doganat, deri edhe paranë (monedhën). Pra, ne do të bëheshim gjoja një dhe të bashkuar.

Konfederatë?

Alia: Gati te konfederata.

Ka qenë dakord me idenë e konfederatës…

Alia: Në atë kohë ai mund të ketë qenë dakord dhe mund të ketë thënë atë që thua ti. Por problemi është këtu që u duk sheshit që me vetëvrasjen e Nakos u zbuluan të gjitha kartat.

Meqë ju thoni që duhet të mbajmë qëndrim kritik ndaj Titos – unë jam nga ata që mbajnë – unë po ju pyes si shpjegohet mosmbajtja e qëndrimit tuaj në atë kohë ndaj një krimi të tmerrshëm që u konsumua ndaj një pjese të nacionalistëve shqiptarë, të cilët u morën nga Kosova dhe u vranë në Mal të Zi në një marshim që pati vdekje, vrasje gjatë rrugës dhe pastaj ekzekutim masiv në një vend rreth Ulqinit. Unë dua t‘ju pyes, për këtë: edhe ju jeni akuzuar pak…

Alia: Unë s‘kam patur lidhje me këtë fenomen, as nuk kam patur dijeni në atë kohë, sepse kur ka ndodhur kjo gjë unë kam qenë në Sanxhak me divizionin e pestë, kështu që s‘e di fare se ç‘është bërë poshtë. Por pavarësisht nga kjo…

Kur e keni marrë vesh?

Alia: Unë e kam marrë vesh pas çlirimit, pasi kishte kaluar shumë kohë.

Partia kur e ka marrë vesh?

Alia: Nuk e di kur e ka marrë vesh, por duhet ta ketë marrë vesh në atë kohë, sepse, në fund të fundit, ata kanë kaluar nëpërmjet territorit shqiptar për të shkuar në Tivar. Unë nuk di të të shpjegoj asgjë për atë fenomen, di vetëm që ata njerëz janë marrë si ushtarë, por edhe të dyshuar si njerëz të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë me pushtuesit. Me pretekstin se për t‘i çuar në divizionet e tyre e kishin më të lehtë duke kaluar nga Mali i Zi dhe më tutje për t‘u bashkuar me forcat, ato i morën dhe bënë masakër me ta. Pra, plani jugosllav praktikisht ishte që këta njerëz që quheshin si bashkëpunëtorë e t‘i vrisnin. Është ngjashmëri me atë që bëri Zerva me çamët. Zerva vrau atje sa deshi. Kurse 30 mijë çamë të tjerë i përcolli, i nxori nga kufiri, i solli në Shqipëri, domethënë i përzuri nga tokat e tyre.

Komunistët shqiptarë ndiejnë një lloj pendese ndaj këtij fakti që e injoruan këtë…?

Alia: Nuk mund të bënin asgjë komunistët shqiptarë në atë kohë. Dëgjova në një konferencë shkencore një referues që i thotë vetes shkencëtar, që tha se “divizionet tona duhet të qëndronin në Kosovë edhe t’a mbanin Kosovën të bashkuar me Shqipërinë”. Tani njerëz të tillë, ku e di unë, janë si ata kalamajtë e vegjël kur luftojnë luftërash dhe mund ta thonë një gjë të tillë, po të mendosh seriozisht një njeri i pjekur që e quan veten “profesor”, kur thotë që një divizion që përbëhej nga 5,000 veta të qëndronte në Kosovë dhe të thoshte se Kosova është e jona pa pasur parasysh asgjë. As edhe normat ndërkombëtare. Nuk duhet harruar që ekzistonin disa norma ndërkombëtare në atë kohë, si Karta e Atlantikut. Por, e dyta, përpara një force si ajo e Jugosllavisë që në luftën kundër fashizmit, pas aleatëve Francës dhe Anglisë në Evropë e kam fjalën, vinte Jugosllavia dhe të qëndronte divizioni ynë të “pushtonte” Kosovën, ishte e pamundur. Këto janë përralla dhe absurditete.

Po për Kosovën, a është ngritur zëri?

Alia: Është ngritur zëri që ç’ke me të. Puna është këtu, ju e keni lexuar, e ka shkruar Enver Hoxha takimin që ka patur me Titon, e ka shtruar problemin e Kosovës qysh në atë kohë. Tito i tha që ky problem duhet parë, por neve, tha ai, tani s‘mundemi sepse do të na krijonte problem me serbët etj., dhe u la për t‘u parë më vonë. Këto ishin problemet të cilat mund të diskutoheshin midis aleatëve siç diskutohet sot midis aleatëve. Ka shumë probleme sot që diskutohen dhe mbyllen. Sot amerikani i thotë atij të BE-së, OSBE-së dhe si urdhëron ai bëhet.

Po mirë, ju u thoshit atyre jugosllavë si urdhëron?

Alia: Po, sigurisht. Jugosllavët në atë kohë ishin aleatët tanë që kishin luftuar kundër fashizmit. Bashkimit Sovjetik mund t‘i hedhësh tani gurë sa të duash, por për Bashkimin Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore ngrije dolli. Edhe në Kolonjë ngriheshin dolli.

Qartë, qartë…

Alia: Shiko, unë po flas që për kohën që ka kaluar nuk është kollaj të flasësh, siç flet për hallet e sotme…

Ju tani jeni në një moshë që njeriu e shikon në mënyrë kritike atë çfarë ka bërë, domethënë pjesën aktive të jetës së vet. Për këtë pjesë pra, për marrëdhëniet me Jugosllavinë, cilat janë disa prej gjërave shkurtimisht që ju do t‘i shikonit në mënyrë kritike, domethënë i fus koefiçentët – mungesë e eksperiencës, konjuktura ndërkombëtare, dobësitë personale të njërit apo të tjetrit, punët agjenturore domethënë të jugosllavëve me njërin ose me tjetrin, po flasim tani si udhëheqës i Partisë së Punës. Tani po ju pyes disa prej momenteve që ju i konsideroni si gabime, si faje në qëndrimin ose raportet midis dy vendeve…

Alia: Shiko, unë do të t’a them kështu, që në qoftë se flasim për marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë në fazën e parë, flas gjithmonë për periudhën ‘45-‘48, ne nuk kishim eksperiencën që duhej dhe jugosllavët mund të na e kenë hedhur në çështjet e marrëdhënieve ekonomike. Këtu ne s‘kishim fare eksperiencë dhe jam i bindur për këtë. Ata na e kanë hedhur në ato planet që përpunoheshin, për unifikimin e monedhës, unifikimin e doganave e të tjera. Por Nako Spiru, dhe kjo është meritë e madhe e Nakos, e kuptoi këtë hile dhe prandaj iu kundërvu këtyre. Dhe duke iu kundërvënë Nakoja, ndodhi tërë ajo që u zbulua më pas, ajo politikë e jugosllavëve që synonte përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave. Për sa i përket problemit të Kosovës, unë e them me bindje se absolutisht nuk kemi bërë asnjë gabim. Ne gjatë tërë periudhës, madje deri në vitin 1990 që unë kam qenë i fundit në pushtetin e socializmit, kemi luftuar dhe kemi ngritur problemin e Kosovës edhe para opinionit botëror, në ato kushte që mund të ngriheshin. Luftë me Jugosllavët nuk kemi kërkuar, nuk kemi bërë dhe nuk mund të bënim. Ai që mendon kështu është aventurier. Por që ta ngremë problemin e Kosovës në të gjitha anët- dhe shtypi jonë po të marrësh ka me dhjetëra e dhjetëra artikuj që janë shkruar, domethënë për të krijuar opinionin publik botëror për Kosovën. Nuk është bërë asnjë tolerancë veçanërisht në periudhën prej vitit ‘48 e këtej për këtë çështje. /Konica.al/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close