Raporti i CIA-s: Si u masakruan shqiptarët nga çetnikët serbë në vitin 1943 (Dokument)
Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane CIA, ka bërë publike rreth 13 milionë faqe të dokumenteve që deri më tani kanë qenë të klasifikuara dhe të paaksesueshme për publikun e gjerë. Në to flitet edhe për shqiptarët. Një pjesë e këtyre dokumenteve përfshijnë edhe të dhëna për shqiptarët dhe për gjendjen e tyre në ish-Jugosllavi, dokument ky që përmban 33 faqe, e që titullohet ‘Minoriteti shqiptar në Jugosllavi’, i datës 7 janar 1953.
Në këto dokumente analizohen shumë aspekte të jetës politike e deri te ajo kulturore e shqiptarëve në Kosovë.Në kapitullin për situatën politike dhe historike deri më 1944, CIA shkruan: “Autoritetet jugosllave shfrytëzuan injorancën e shqiptarëve dhe nën pretekstin se ishin turq për shkak të besimit të tyre islam, ua refuzuan atyre të drejtën për të folur gjuhën e tyre dhe tentuan të asgjësojnë traditat dhe ndjenjën e tyre patriotike dhe kombëtare”, transmeton gazetametro.net. Më tej, raporti thotë se ‘serbët i kishin detyruar shqiptarët të braktisnin shtëpitë e tyre, për t’i mbushur po ato shtëpi me banorë serbë dhe malazezë’. Dokumentet sekrete në të cilat kishin qasje vetëm zyrtarët amerikanë, raportonin mes tjerash edhe për masakrat që kryenin nga çetnikët serbë dhe malazezë.
“Në dimrin e vitit 1943 pati masakra të mëdha ndaj shqiptarëve në Rozhajë. 500 persona ishin vrarë me thika dhe armë të rënda nga çetnikët dhe më pas partizanët”, thuhet në raport. Më tej inteligjenca amerikane shkruan edhe për disponimin politik të shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë, në një kohë kur ajo ishte nën sundimin e Enver Hoxhës.
“Grupet komuniste brenda kosovarëve të cilët dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë e Enver Hoxhës nuk janë më të mëdha se 5 përqind. Ata që dëshirojnë të kthehen nën sundimin e Karagjorgjevicit në Jugosllavi dhe kthimit në pushtet të Zogut në Shqipëri, sillen nga 10 në 15 për qind”, shkruan më tej inteligjenca amerikane.