fbpx
Lajme

Raporti që dërgoi Jusuf Gërvalla: Riza Salihu tha për mua që isha i dërguari special i UDB-së

JUSUF GËRVALLA:

[mbi GKZK-në, Riza Salihun, Hysen Gegën, Maksut Saramatin… (fragment nga raporti që Jusufi ia ka dërgua udhëheqësit të tij, rrobaqepësit Sabri Novosella, më 31 korrik 1981):]

(…) Me përfaqësuesin kryesor të Grupit komunist “Zëri i Kosovës” jam njohur, pra, në fund të dhjetorit 1979. Quhet Riza Salihu, nga fshati Mushtisht. Ra fjala për organin e LNÇK “Zëri i Kosovës” dhe ai, me një ton të ashpër, shprehu dyshimin jo vetëm në ekzistencën e këtij organi dhe të LNÇKVSH, por edhe në besnikërinë time. Arsyeja ishte se ai qëndronte vetë në krye të Grupit me të njejtin emër dhe, meqë, siç del logjikisht, nuk dinte për ekzistimin e LNÇKVSH dhe kishte edhe vetë një logjikë të kufizuar, kurrsesi nuk ia kapte rradakja të bënte dallimin në mes një organizate me emrin “Zëri i Kosovës” dhe një organi me titull “Zëri i Kosovës” që i takonte koinçidentalisht një organizate krejt tjetër. Po atë natë, ai më njohu mua dhe vëllaun tim me dy shokët e tij, Hysen Gega (tani i burgosur në burgun e Prishtinës) dhe Maksut Saramati, me punë të përkohshme në RFGJ. Që në fillim ra në sy kapadaillëku në rigorozitetin prej një shefi bande i Riza Salihut dhe natyrshmëria e zgjuarsia e dy shokëve të tij (anëtarë të KQ të “Z.K.”).

Me Hysenin e Maksutin u pamë dhe ndjenjëm disa herë me radhë dhe e pritëm bashkë Vitin e Ri 1980. Hyseni lente të kuptohej se kishte diku në Gjermani një shok më të mirë se Rizanë, një student. Ai fliste dendur për të dhe vëllaut tim, Bardhit, që kishte njohur kohë më parë një person të tillë, i shkoi mendja mos ishte fjala për njëfarë Ibrahim Kelmendin. Por Hyseni e fshehte, prandaj nuk ngulëm këmbë për t’u njohur. Pak ditë më vonë vijnë te Hyseni e Maksuti dhe na tregojnë se si Rizai kishte ardhur, që në takimin e parë me mua, në përfundim se unë jam “i dërguar special i UDB-së” dhe se u kishte propozuar haptazi Hysenit e Maksutit të më likuidonin bashkë me vëllaun, Bardhin. Ata u hapën në “muhabet” për dy arsye, sipas pohimit të tyre: e para, lidhur me Rizanë kishin pasur disa dyshime më përpara, dhe e dyta, tashmë ishin takuar me Ibrahimin dhe ai i kishte këshilluar të më afroheshin se gjoja ai e ditka kush jam dhe se jam “i mirë”.

Këto ishin dyshimet e shokëve më të ngushtë të Rizasë lidhur me veprimtarinë dhe me personalitetin e tij:

– Rizai jetonte me vite në Gjermani, por as punonte as kishte zënë banesë të përhershme. Me se mbahej, pos me paratë e punëtorëve tanë?

– Rizai e kishte theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e moralitetit, te çdo patriot e revolucionar. Vetë jetonte me një serbe dhe kishte me te një djalë me emër sllav. Këtë e kishin zbuluar shokët, e nuk ua kishte thënë ai vetë.

– Ç’është më me rëndësi, mënyra e organizimit të Grupit “Z.K.” ishte bërë e dyshimtë edhe për bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rizasë. Sipas kësaj mënyre, në organizatë mund të hynte çdo shqiptar që “do të luftoj për atdhe”. Çdonjëri që hyn në organizatë duhej të jepte shënimet e sakta biografike (emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, vendi i punës) dhe, mbi të gjitha, këto shënime si dhe betimin ta bënte me shkrim, me dorë të vet. Nga listat me të dhëna të tilla të hollësishme, një mbahej nga shokët e tyre në atdhe dhe një tjetër nga Rizai në RFGJ. Para se të arrija unë këtu, pothuaj të gjithë njerëzit e organizuar prej Rizait (kryesisht në Ferizaj e në Prizren) ishin burgosur pa mundimin më të vogël nga policia, sepse arrestimet ishin bërë në bazë të listave të përmendura. (Mërgimi mund ta dij për çfarë të burgosurish është fjala: kur ishim në atdhe, ne gjatë takimeve kemi pas biseduar me të disa herë lidhur me një grup të rinjsh ferizajas, që vepronin demonstrativisht nëpër qytet nën hundët e policisë. Unë këtu kur kuptova hollësitë lidhur me organizimin e “Z.K.”, supozova se ishin pikërisht ata të arrestuar.) Edhe Rizai, më vonë, e H. dhe M. që në fillim, i thoshin edhe me emra shokët e tyre të burgosur, kryesisht në dy qytetet e përmendura. Tre apo katër prej tyre përmenden në artikullin e parë të “Lajmëtarit” Nr. 1.

Nga bisedat që kam pasur me H. e M. kam kuptuar se puna e Grupit komunist të tyre konsistonte në radhë të parë në botimin e disa trakteve (nëse më bie në dorë ndonjë prej tyre do t’jua dërgoj) dhe në shfaqjen e disa filmave të huajtur nga shokët gjerman, miq të RPSSH. (Kur unë vetë mora kontakt me këta shokë gjermanë, më thanë se pas një kohe janë detyruar ta largojnë Rizanë nga lokalet e partisë së tyre, për shkak të arrogancës së tij.)

Përafërsisht katër muaj pas takimit të parë me Rizanë, u takuam edhe njëherë, në banesën e H. Ishim prezentë unë e vëllau, pastaj Ibrahim Kelmendi (ishim njohur me të ndërkohë), Hyseni e Maksuti dhe Rizai. Ne u fjalosëm keq me të, sepse patëm rastin të hetojmë që të gjithë se ai kishte prirje të gënjejë dhe t’i shmanget bisedës parimore. Këto ishin pikat që rrahëm: Pse ai, pa verifikuar dyshimet e veta, që në takimin e parë kish kërkuar nga shokët e vet të më likuidonin mua dhe vëllaun; pse, me muaj të tërë, në stacionin hekurudhor të Shtutgartit, ku dalin e rrinë punëtorët tanë, kishte agjituar kundër meje (pa i vërtetuar akoma dyshimet) me fjalët: “Ruajuni se këndejpari vepron filan fisteku, i dërguar special i UDB-së; Pse ai vetë (edhe pse ia kisha tërhequr vërejtjen që në takimin e parë), vazhdonte kontaktet me njëfarë Adem Povataj nga Strellci, i cili, pasi kishte marrë më qafë disa punëtorë stinorë në Titograd, më 1978, duke i ngashënjyer së pari për punë patriotike e pastaj duke ua dorëzuar komplet UDBsë (që Rizai kishte kontaktuar dhe vazhdonte të kontaktonte me këtë njeri, ia thoshin ndërsy shokët H. e M.); pse ai, si komunist që i thoshte vetes, edhe pasi kishte parë rezultatet e hidhura të mënyrës së organizimit me lista të anëtarëve të organizatës, vazhdonte punën me të vjetrën dhe merrte njerëzit më qafë. Gjatë gjithë bisedës ai mbajti një qëndrim qyqar, që s’kishte aspak të bënte me qëndrimin e një komunisti shqiptar. Në fund ai pranoi se kishte gabuar sa u përket shpifjeve të pabazuara rreth meje e vëllaut dhe premtoi se nuk do ta përsëriste. Por, që të nesërmen ai e përsëriti, në Stacionin e Shtutgartit.

Nga gjysma e gushtit të vjemë te unë erdhi në banesë policia kriminalistike gjermane (po atë orë Bardhi ndodhej në qendrën e kësaj policie në Shtutgart, ku e kishin marrë nga puna). Ata na morën në pyetje veç e veç. Çështja kishte të bënte me Riza Salihun. Ai kishte hapur në postën e Shtutgartit 14 fah-postale në emër të 14 njerëzve të ndryshëm, ku ndalte letrat e këtyre dhe i lexonte për nevojat e veta. Mes të 14, kishim qenë unë e vëllau, Hysen Gega, Ibrahim Kelmendi etj. Policia e kishte zënë, e kish hedhur në burg dhe dyshonte se është agjent i UDB-së. Ndërkohë që Rizai kishte shpallur ndër punëtorë sesi ka kërkuar azil politik në Gjermani, ai kishte qenë pesë herë, në prag të burgimit, në konsullatën jugosllave në Shtutgart. Këto i kishte të shënuara në bllokun e shënimeve. Për mua, vëllaun dhe Ibrahim Kelmendin kishte dhënë te policia deklarata shumë të liga me shkrim, me plot gënjeshtra edhe për dy takimet që kishim pasur e ku kishim shumë dëshmitarë. Policia në fjalë kërkonte prej nesh: të thoshim edhe ne se Rizai është spiun jugosllav. Natyrisht, ne s’bënim dot një gjë të tillë pa qenë të sigurt, dhe insistimet e policisë, të bazuara nga ana e saj në disa fakte që ne s’na e mbushnin mendjen, i kthenim mbrapshtë me arsyetimin se UDB-ja ka mundësi të mëdha të kurdisë gracka, e kështu ka mundur të veproj edhe me R. S. Pastaj tërë vjeshtën dhe tërë dimrin s’dëgjuam gjë për të. Të tretën herë u takuam me të në demonstratat e punëtorëve tanë në Shtutgart. Ishte vënë në bisht të kolonës, me duar në xhepa dhe pas asnjë shok me vete. Pas demonstratës m’u afrua. Përshëndeste punët e mia, lavdëronte (ishim më këmbë dhe s’pata si ta pyesja për çfarë punësh e kishte fjalën) dhe thoshte se do të kish qenë mirë të bisedonim. Aty për aty ishin zënë me Ibrahim Kelmendin dhe Ibrahimi ia kishte ndaluar pjesëmarrjen në demonstratat e ardhshme. Unë e qortova Ibrahimin, se s’bënte ashtu, dhe Rizait, ndërsy Ibrahimit, i thashë që e kish derën hapur për ta thënë mendimin e vet. Ai tha se më ka diçka borxh dhe se do të bënte një autokritikë. Unë i shpreha gatishmërinë se do ta dëgjoja kur të ketë qejf, por atë ditë e sot as më kërkoi më dhe as e kërkova unë. Tani po dëgjoj se paska ndërruar mendje lidhur me mua dhe nëpër njerëz nuk flitka më keq.

Lidhur me këtë person ka edhe një të dhënë me rëndësi. Diku nga viti 1976, Rizain e ka plagosur me thikë një kroat. Kroati i ofron një hartë dhe Rizai e refuzon me fjalët “Nuk e pranoj një Jugosllavi të tillë, e cila s’e ka edhe Kroacinë brenda.” Në spitalin e Shtutgartit pastaj e kanë vizituar njerëzit e konsullatës jugosllave dhe e kanë mburrur për patriotizëm jugosllav. Disi pas këtij rasti fillon edhe veprimtaria partiotike (?) e Rizait.

(…)

SOKOLI

[Publikuar për herë të parë në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011 nga Faridin Tafallari; Xhafer Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250.]

***

Fatkeqësisht, tolerancën dhe mirëkuptimin e Jusufit, ndaj Riza Salihut, për të cilin hetuesia, prokuroria dhe trupi gjykues gjerman, ishin të bindur se ishte vrasës i Jusufit, Kadriut e Bardhoshit (për këtë jam informuar si dëshmitar në procesin gjyqësor që i është bërë Rizait në gjykatën Landgericht Stuttgert në vitin 1991, pas 16 muaj burg hetues), Riza Salihu ia ka këthye me akuzime e shifje arrogante edhe në vitin 2012, në intervistën e emetuar ng TV Klan Kosova. Por askush në Kosovë nuk ka ndërmarrë ndogjë kundër asaj interveste, pos meje që e kam demaskuar e diskreditua në media dhe e kam denoncuar në Prokurori të përgjithshme dhe Prokurori sepciale në Prishtinë.

Këtu e keni mundësi ta përcjellni intervistën e Riza Salihut, që të bindeni për cilin vrasës është fjala:

Mirëpres pyetje për këto fragmente të atij raportimi (dez)informues.

Ju lutëm, pa sharje e ofendime.

(ibrahi Kelmendi)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close