Lajme
Reagon zv.ministri: Kur vëllau im u akuzua për fajde, unë isha në studime jashtë vendit
Reagim nga Blerim Sallahu – zv. ministri i Drejtësisë
Deklarim me shkas ndaj lajmeve të porositura që u publikuan në media gjatë ditës:
Lidhur me procesin gjyqësor ndaj vëllaut tim, e ndiej për obligim të sqaroj se:
- Rasti i përfolur është i vitit 2012;
- As atëherë e as sot unë nuk jetoj e nuk kam jetuar me vëllaun;
- Në periudhën në fjalë, madje nuk kam qenë fare as në Kosovë, me ç’rast kam qenë për studime jashtë vendit;
- Edhe sipas parimeve ligjore, kushtetuese e ndërkombëtare, unë jam përgjegjës vetëm për veprimet e mia personale dhe përgjegjësia është tërësisht individuale dhe vetëm individuale!
Për fund, si zv.ministër në Ministrinë e Drejtësisë, unë punoj me përkushtim të plotë për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë i cili duhet të veprojë ndaj çdo personi pa dallim, në mënyrë të pavarur dhe vetëm mbi bazën e provave, fakteve relevante dhe ligjeve në fuqi!
Nga ky mision, nuk mund të më ndalin as ata që përmes shantazheve e fabrikimeve tentojnë të na lëkundin nga lufta për ta bërë shoqërinë tonë të lirë nga krimi e korrupsioni!
Shantazhet që duan t’i manifestojnë edhe si kërcënime, në fakt vetëm më motivojnë për ta shtuar angazhimin edhe më shumë për ta çkapur sistemin prokurorial e gjyqësor, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për pronarët e portaleve të caktuara që në fakt janë pseudogazetarë e funksionojnë si sekserë të “pastrojnë figura”, siç po mësojmë nga përgjimet që janë motori i sulmeve të orkestruara ndaj meje!