fbpx
Lajme

“Me e gjetë se ku është Sami Lushtaku, thuaj se gjallë a vdekë, duhet me i prue trupat e Fehës, Xhevës dhe Fatimes tek shtëpia

Baca Tush (babai i heroit Fehmi Lladrovci)”

…Kah ora një e gjysëm dy, kanë fillue disa ushtarë të rinj me ardhë. Janë tërheqë prej lufte, megjithëse lufta hala vazhdonte. Isha aty, u dëgjoshin disa fjalë se është vra Fatimja. Pyesja se ku po shkoni, çfarë ka ndodhë, por më thonin se nuk e dinin. Kah e vona, shumë kah e vona, serbët kanë dalë në maja. Shkoi ora nëntë e mbrëmjes dhe po baheshim gati me shkue, se serbët mund të vinin edhe në katund. Pyeta disa ushtarë, a dini gja për Fehën. Disa më thanë se nuk e dinë, disa se kanë kanë prej Dobrashefcit. Nuk isha kërrkund. Kam shkue kah ora dy-tre e natës në një vend, kemi pushue pak dhe kam pa disa ushtarë. I dëgjoja se thonin diçka, por nuk e dija. E kam ditë se është e pamundur se Feha me e lëshue pozicionin, veçse në është vra.

Para se me dalë drita, filloi ofensiva serbe me hi nëpër fshat, nëpër lugun e Beranit. Ne ishim në mal. Atë ditë kemi ndjejë gjithë ditën aty, në mbrëmje, më datë 23, i them hallës: Hallë, Feha është vra. (Në shtëpi, nënën e Fehmiut e quajnë të gjithë “hallë” – shënim i autorit.)

Halla më tha se ku po e din ti, ku e more vesh ti. Më bërtiti. I thashë se nuk këtu gja. Njerëzit e dinin se Feha është vra, por nuk më tregoshin. Më datë 24 kam dalë prej asaj ane dhe thërras Ramizin në telefon. I tham, Ramiz a ka ndonjë send, bre? Më thotë, po babë. Çka ka? po e pyes. Më thotë se Feha dhe Xheva janë vra. Më thotë se bani gajret.

Pak jam mërzitë. Më thotë Ramizi, qëndroni. Ju qëndroni, i thashë, se ne do të qëndrojmë. Hallën e përcolla tek një vend tjetër. I thashë se baba e ka ditë. Ramizi atëherë ka lajmërue edhe tek halla, i ka thënë se Feha dhe Xheva janë vra, mos u mërzitni.

Halla i ka thënë, mos u mërzitni ju. E ka ditë nana. Më ka pas thënë në Abri, nanë, kam ardhë me vdekë për vend tem. Feha ka qenë i qetë. Edhe me vdekë, thoshte, po vdes për vend tem, mos u ligshtoni. Atëherë çikat, kur e kanë mësue, kanë fillue me qa. Halla u ka bërtitë: pushoni e mos ua ndiej zanin. Kërrkush nuk ka me qa. Atëherë i ka thënë Ramizit, “qëndroni ju, do të qëndrojmë edhe ne”.

Më datën 25 kam dalë prapë në Gradicë dhe kam folë prapë me Ramizin. “Babë, më thotë, me e gjetë se ku është Sami Lushtaku. Thuaj se gjallë a vdekë, duhet me i prue trupat e Fehës, Xhevës dhe Fatimes tek shtëpia. Kishin shkue katër ditë. Jan vra ditën e martë, më datën 22 shtator, kishte shkue 23-ta, pastaj 24-ta, kishte ardhë data 25 shtator. Tash po vinte dita e pestë.

Ndërkohë ka ardhë Sami Lushtaku përnjëherë aty ku isha. Erdhi në Gradec. Ka ardhë me Ilaz Kodrën, me Nuredin Lushtakun e shumë shokë të tjerë. Edhe biseduam. Ka qenë pasdite, ora gjashtë. I them se Ramizi më ka thënë, se ja i gjallë, ja i vdekur, merr kë të duash dhe duhet me i sjellë trupat në shtëpi. “Hajr qoftë”, më ka thënë Sami Lushtaku. Sonte e kryejmë këtë punë. Ose i ke në shtëpi sonte, ose nuk jemi as na”. I kam thënë se po vij edhe unë, por nuk kanë pranue. Shkijet ishin tërheqë nja dy orë pa shkue këta, por nuk e dinim. Ka qenë edhe djali i vëllait, Meti. Janë shkue dhe i kanë tërheqë trupat. Xheva ka qenë e dëmtuar shumë. Fatimja ka pasë vetëm një plumb, në ballë, Shefqet Zeka ishte po ashtu.

Ka qenë vështirë me i varrosë. Nuk ka pasë njerëz. Njerëzit i kishin lëshue shtëpitë krejt. Mërzia ime më e madhe ka qenë tek trupat, se mos i djegin, i çartin, se po m’i humbin, po i kallin. Se mërzi se u vranë për Kosovën nuk kam pasë. Varret i ka hapë një komshi i yni, e falenderoj shumë se ka qenë kohë e vështirë. Veç kam shkue tek ai, Abdush i kam thënë, se me cilët e ban e qysh e ban, nuk më duhet gjë. I kam treguar vendin dhe i kam thënë se këtu duhet të hapen pesë varre. Kur i kam varrue, atëherë nuk kam pasë më mërzi.

Të nesermen që është vra Feha, është djegë edhe shtëpia jonë. Disa shtëpi janë djegë në fillim, por më 23 shtator, e gjithë lagjja jonë ka qenë e djegun. Nuk ka pasë se çfarë me djegë ma.

Fatimja ka ndejë tre muaj në shtëpinë tonë. Ajo ka ardhë një javë a dy pas ardhjes së Fehës dhe të Xhevës. Ka ardhë prej Likocit. Tanë kohën ka ndjejë në shtëpi tek na, derisa janë vra. Kam dalë për punë, kanë ardhë në gjysmë të natës e kanë shkue para sabahut, si e kanë pasë punën, por këtu e kanë pasë vendin. Fatimja ishte gjithë kohën me Xhevën.

Më shumë se të gjithë vinte Ilazi, Sami Lushtaku, gjithëherë kanë ardhë. Ilaz Kodrën e kam njohë qysh herët, e kam njohë si shok të Ramizit, edhe Ilazin, edhe Sami Lushtakun, edhe Nuron. Edhe Hashim Thaçin e kam njohë kështu. Adem Jashari vinte gjithëkohë. Kur kanë qenë djemtë jashtë, nuk e kam pritë se do të vinte aq shpesh. Nuk e kam pritë bile se do të vinte, ishte ilegal. Ka pasë ardhë edhe kur ishte Ramizi këtu, por më shpesh kur ikën djemtë. Gjatë kohës së lëvizjes dhe të ilegalitetit krah të djathtë Feha ka pasë Ali Ahmetin, por në kohë të luftës, krah të djathtë ka pasë Bekim Berishën, AB-në. Jo se flas unë, por kjo dihet prej të gjithëve, e kanë pa njerëzit, janë dëshmitarë, e kanë pa se kush është AB-ja, kush është Feha, e kam dashtë shumë AB-në.

Sa herë e ka thye kufirin, sa armët i ka sjellë, çfarë punësh të mira ka bërë me Bedri Shalën. Veç kush nuk e ka njohë ose nuk e ka dashtë, nuk e ka ditë se sa burrë i fortë është AB-ja. E kena pasë djalë shtëpie AB-në. Isha krenar me gjithë ata njerëz, shokë të djemve, edhe të ilegales, edhe të luftës, si Iliri, Zahiri, Rasim Kiçina, se për Jasharët nuk kam se çka të them. Jasharët janë maja, unë e ndjej veten ndaj Jasharëve si kërrkushi. Djem si Jasharët nuk i vijnë kësaj toke. Sa ishte gjallë Feha më thoshte se në vritem, nuk dua grumbull njerëzish, nuk dua njerëz shumë, sepse kur ka shumë njerëz, vjen armiku dhe nuk dihet se çka bahet. As të pame e as send mos ban. Në mund të më varrosësh, më ka thënë, mirë. Kur e varrosa, më zuni shpirti qetë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close