Rimbursimi i policës kufitare, mërgimtarët e quajnë të kotë vendimin e Qeverisë Kurti
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vazhdon të mos tregojë numrin e aplikimeve për rimbursim për policën kufitare, teksa mërgimtarët shprehen të pakënaqur me mënyrën e aplikimit. Ata e cilësojnë procedurën e rimbursimit si ‘koklavitëse’ dhe të ‘kotë’.
E krejt ndryshe mendon ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ditë më parë theksoi se procedura është e thjesht dhe merr pak kohë.
Ankesat e diasporës
Për dallim nga viti i kaluar, Qeveria Kurti ka vendosur që kësaj radhe qytetarët të paguajnë vet polisën kufitare dhe pastaj të aplikojnë për rimburisim të mjeteve në mënyrë online.
Mirëpo, si duket kjo formë ka shkaktuar pakënaqësi tek mërgimtarët që vijnë në Kosovë me automjete nga vendet e ndryshme të Evropës.
Mërgimtarët për Nacionale treguan që ndryshimi i procedurave ka shkaktuar telashe tek ata dhe se nuk do të aplikojnë për rimbursim të mjeteve për polisën kufitare.
Armend Raci, mërgimtar nga Klina, thotë për Nacionalen se nuk ka asnjë informacion se si mund të bëhet aplikimi për rimbursimin e pagesës së policës kufitare.
“Kurrkush s’na ka tregu se ban m’i rimbursu”, tha Raci, teksa tregoi se ende nuk është rimbursuar për policën kufitare.
Tutje, ai ka thënë se ka paguar 20 euro për polisën kufitare për të cilën nuk do të rimbursohet.
“Mu m’thane parkoje kerrin, prit qaty përpara dhe ne të majtë shko bone sigurimin. Shkume, 20 euro tha osht pagesa per 1 muj”, ka thënë ai.
Në pyetjen e Nacionale nëse ka bërë kërkesën për rimbursim, ai u përgjigj i habitur.
“Jo. Pse, a ban?!”, ishte përgjigja plot habi e Racit.
Edhe mërgimtarë të tjerë më të cilët ka biseduar Nacionale janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e rimbursimit.
Mërgimtari tjetër, Fatlum Bajrami, na tha se procedurat që ka zgjedhur qeveria për rimbursim janë kolavitëse dhe marrin kohë.
“Po, e kemi bo pagesën për polisë kufitare. Megjithatë, nuk kemi asnji vullnet për ta bo kërkesën për rimbursim te parave. Njona prej arsyeve pse mendojmë të veprojme kesisoj, ka t’boj me faktin se procedurat janë tepër koklavitëse dhe e shohim si shpenzim të panevojshme të kohës sa jemi në pushim”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe mërgimtari tjetër, Driton Osmani që ka ardhur për pushime nga Gjermania u shpreh se është e kotë mënyra e rimbursimit.
“Jo, as qe e kam nermen me e bo kërkesën për me u rimborsu për 20 euro. Aih, krejt e kote. Çfarti”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Valon Berisha nga Byroja Kosovare e Sigurimeve [BSK] për Nacionale ka thënë se kanë blerë policën kufitare mbi 240 mijë persona.
“240 mijë e 802 polisa prej 1 janar deri me 1 korrik. Ndërkaq për përiudhën qershor-korrik janë 154 mijë e 580 ka blerë polisën kufitare”, theksoi Berisha.
Ministria nuk kthen përgjigje
Në anën tjetër, Ministria e Financave rrafsh që një muaj nuk ka kthyer përgjigje rreth numrit të mërgimtarëve që kanë aplikuar për rimbursimin e mjeteve për policën kufitare.
Nga kjo Ministri vazhdojnë me qasje jobashkëpunuese ndaj mediave dhe në mos-transparecë.
Meqë jemi te transparenca, Qeveria Kurti dhe ministritë, edhe për raste dhe tema të tjera nuk kanë kthyer përgjigje, pavarësisht insistimit tonë dhe kritikave për mungesë të transparencës dhe qasjes selektive ndaj mediave.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendimi që të rimbursojë edhe këtë vit polisën kufitare për diasporën.
Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte thënë se procedura është e thjeshtë dhe nuk merr kohë, teksa mërgimtrët janë ankuar për këtë mënyrë.
“Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk ju merr kohë, e madje mund të evitoni edhe pritjet në kufi kur e bleni online para se të niseni. Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të pagesës në formularin online të Ministrisë së Financave”, kishte thënë ministri Murati.
Kujtojmë që, Qeveria vitin e kaluar kishte ndarë 5 milionë euro për subvencionimin e policës kufitare për mërgimtarët ndërsa këtë vit nuk dihet ende shuma që është paguar apo do të paguhet nga buxheti i shtetit.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm për muajin qershor, në Kosovë, në të gjithat pikat kufitare kanë hyrë 1 milionë e 125 mijë persona.
Edhe të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës tregojnë për shifra më të mëdha të udhëtimeve këtë vit krahasuar me vitin 2021.