fbpx
Lajme

Rrëfimet e rralla të reporterit nazist Vogel, pse Hoxha dhe Shehu i urrenin anglezët. E vërteta mbi kapjen rob të gjeneralit Dejvis sipas gjermanëve dhe Julian Emery-t

Nga Marenglen Kasmi 

Botuar në DITA

(Vijon nga numri i kaluar)

Kjo duket si diçka e lehtë, por për mua ky episod pati pasoja fatale. Më mbytën shqiptarët duke kërkuar favore nga më të ndryshmet, të cilët si shqiptarë që ishin, thoshin: Sonderführer-i z. Dr. Vogel [Sonderführer – gradë e veçantë për specialitetet joushtarake, shën. im – M.K] është më i fortë se SS-Sturmführer-i, i cili kishte qenë i plotfuqishëm deri asokohe. Është e vetëkuptueshme që deri në fund të pushtimit marrëdhëniet e mia me Gruppenführer-in dhe Obersturmführer-in e tij nuk ishin veçanërisht të përzemërta.

Ndër shumë ndërhyrje të kësaj natyre që bëra, njëra rezultoi jo edhe aq e pakëndshme: drejtori de Vita, “bujtësi im” te “Banca del Lavoto” kishte një shok të ngushtë, që ishte importuesi më i madh i verërave italiane në Shqipëri, i cili ishe zhdukur. De Vita m’u lut ta ndihmoja. Nga kërkimet e mia rezultoi që ai mbahej në xhandarmërinë fushore, nën akuzën e zakonshme asokohe. Ishte një lojë e vjetër presioni. Gjatë terrorit komunist, para se ne të marshonim në Shqipëri, tregtarët shqiptarë dhe para së gjithash ata italianë, ishin vënë pak a shumë nën presion, duke u kërcënuar me vdekje nëse nuk paguanin te komunistët një “taksë kombëtare”. Ai që nuk paguante, ekzekutohej sipas stilit komunist. Edhe ky tregtar i madh verërash duhej të paguante për të shpëtuar jetën e tij. Por, konkurrentët e tij shqiptarë e denoncuan dhe atë e futën në birucë, duke e akuzuar si mbështetës të qëllimeve komuniste. Unë arrita që pas disa takimesh me komandantin e xhandarmërisë ta nxjerr atë nga burgu. Ai erdhi menjëherë në zyrën time te “Banca del Lavoro” për të më falënderuar. Pak orë më vonë, më erdhi në zyrë një arkë e madhe me verën më të mirë, Orvieto secco-n. Sa kohë që unë isha në Tiranë, ai nuk harroi kurrë të vinte të më përshëndeste çdo javë dhe t’i hidhte një sy arkës nëse ajo ishte bosh dhe duhej mbushur.

Kjo ishte një nga kënaqësitë e pakta të të shijuarit në Shqipëri. Me rrogën tonë ne nuk mund të blinim asgjë. Ne kishim një ushqim pak a shumë të mjaftueshëm, por vera ose pijet alkoolike ishin për ne thuajse të papërballueshme.

***

Pjesa më interesante e jetës sime në Tiranë ishin padyshim bisedat në mbrëmje me politikanët shqiptarë në hotel “Dajti”. Ata jetonin dhe punonin në hotel. Korridoret ruheshin nga kosovarë të armatosur deri në dhëmbë dhe hyrja e hotelit ishte barrikaduar me thasë rëre. Secili nga kosovarët mbante veshur një xhaketë në ngjyrë të hapur, të bërë nga lëkura e qengjit, pantallona që u vareshin poshtë belit, këpucë shqiptare dhe të ashtuquajturën “qeleshe gjysmë vezë” në kokë. Municionin e mbanin në gjerdanë të kryqëzuar mbi gjoks, sipas modelit të kazakëve. Pjesa më me vlerë e këtyre pajimeve ishte automatiku, nëse e kishin atë. Disa mitraloza qëndronin në pozicionet e përgatitura gjithmonë në gatishmëri për të thyer ndonjë sulm të mundshëm.

Në sallat  madhështore të hotelit, të zbukuruara me mermer mblidhej çdo mbrëmje një shoqëri shumëngjyrëshe. Shqiptarët rrinin ditë e natë ulur duke biseduar pa ndërprerje për mundësitë e tyre politike, nëse ne do të tërhiqeshim. Prej aty kanë fillimin një numër i pafund intrigash. Besoj se ata të gjithë llogarisnin me humbjen e Gjermanisë dhe donin të ishin mjaftueshëm të fuqishëm në kohën kur anglezët do të zbarkonin në bregdetin shqiptar. Në këto ditë të qëndrimit së bashku lindnin shoqëri e miqësi të reja. Meqenëse isha i vetmi oficer gjerman që i lejohej të banonte në hotel “Dajti” isha paraprakisht i veçantë.

Shoku im, ministri i Informacionit, kujdesej që qeveria shqiptare të paguante një monedhë ari në natë për dhomën time. Kjo gjë shkaktoi një ditë situatën e mëposhtme: një mesditë dola nga hoteli dhe i dhashë portierit çelësin e dhomës, ndërkohë që një kolonel i Wehrmacht-it hyri brenda dhe kërkoi një dhomë. Portieri iu përgjigj me edukatë që nuk kishte asnjë dhomë të lirë. Koloneli protestoi me të madhe, duke thënë që sapo më kishte parë mua, një Sonderführer të vogël që sapo doli nga hoteli. Prandaj ai duhej me çdo kusht të merrte një dhomë. Më kot. Pas disa ditësh erdhi në mënyrë të zhurmshme komandanti i qytetit të Tiranës dhe kërkoi shpjegime si e kisha siguruar një dhomë në hotel “Dajti”, ku ishin edhe zyrat e qeverisë, pavarësisht se komanda më kishte caktuar një banesë në qytet.

Iu përgjigja: “Unë banoj në hotel ‘Dajti’ si i ftuar i qeverisë shqiptare. Komanda e qytetit nuk paguante asgjë, prandaj atij nuk kishte pse i interesonte se ku banoja unë!”

Ai u nxi edhe më shumë dhe u largua nga zyra ime duke kërcënuar. Ditën tjetër u thirra nga shefi im, majori von Thüngen, shefi i shtabit i gjeneralit komandues.

“Komanda e qytetit është ankuar për ju. Prandaj duhet të dilni nga hotel ‘Dajti’ dhe të shkoni të banoni në vendin që ajo ju ka caktuar!”, më tha ai.

“Zoti major, atëherë më duhet që duke filluar që nesër të ndërpres informacionet e mia mbi politikën e brendshme shqiptare, sepse unë çdo gjë e marr vesh gjatë mbrëmjeve të gjata me qeveritarët shqiptarë në hotel ‘Dajti”, i thashë.

Kur ai m’u përgjigj se “Kjo gjë nuk pranohet, informacionet na duhen!”, unë ia ktheva: “Atëherë duhet të paguani”!

Kur majori im dëgjoi se qeveria shqiptare bënte kurban për mua çdo ditë një monedhë ari, u çudit shumë. Dhe ndodhi më groteskja: Ai e konsideronte të papranueshme që qeveria shqiptare të vazhdonte të paguante për mua. Kësisoj, nga rezerva e vogël e arit gjerman paguhej për mua një monedhë, meqë nevojiteshin informacionet. Gjithsesi, nga kjo gjë kuptova që kisha njëfarë vlere.

***

Një nga takimet më interesante të kësaj kohe ishte intervista që i mora gjeneralit britanik Davies, komandant i misionit ushtarak britanik te partizanët, i cili ra rob në duart tona.

Davies dhe shtabi i tij ishin zënë në befasi nga një grup antikomunist i Ballit Kombëtar. Davies e skicoi tragjedinë e tij si më poshtë: “Balli Kombëtar erdhi aq papritur, saqë nuk patëm kohë të marrim masa për t’u mbrojtur. Për mbrojtje kishim një njësi të plotë të komunistëve të Enver Hoxhës, (shefit të mëvonshëm të Shqipërisë). Komunistët ‘ja mbathën si lepujt’ duke lënë mbrapa, pa luftuar, stacionin tonë të radiondërlidhjes, ushqimet e shumta, municionin dhe para së gjithash sasinë e madhe të arit, ndërkohë që ne vetë mundëm të largoheshim!”

Më mirë po vazhdoj me përshkrimin e kapiten Amery-t nga libri i tij “Bijtë e Shqipes”, në faqen 68: “Gjenerali kishte afërsisht një muaj që kishte ardhur në Shqipëri, kur filloi dimri. Dimri më i ashpër i luftës. I pajisur keq, sidomos pa këpucë dhe tesha të ngrohta, ai mundohej t’i qëndronte sa më afër të ishte e mundur Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Për të përkeqësuar edhe më shumë situatën gjermanët filluan me vendosmëri një seri operacionesh për të asgjësuar guerilasit. Ushtarakisht, drejtuesit e LNÇ-së ishin në shumë pikëpamje joefektivë. Por qëndresa e tyre ishte pa kufij dhe falë lëvizshmërisë marshonin nga njëri vend në tjetrin me racione të vogla. Gjenerali Davies ishte një burrë më i vjetër se Enver Hoxha. Shtabi i tij ishte më i fortë dhe i ngarkuar me pajime të rënda. Ai mundohej të qëndronte në kontakt me LNÇ-në. Duke qenë se kontakti mbahej vetëm me korrier dhe me takime të herëpashershme, ai vendosi të marshonte për në jug të vendit dhe të udhëtonte në Itali, për të bërë personalisht një raportim të situatës së Shqipërisë. Filloi dëbora. Këpucët e gjeneralit ‘dhanë shpirt’ pas një marshimi të gjatë dhe nuk mund të zëvendësoheshin. Shefit të tij të shtabit, kolonelit Nicols, i ngrinë këmbët dhe për dhjetë ditë nuk guxoi të hiqte këpucët nga frika se nuk do të mund t’i vishte dot më.

Ndërkohë, lakthi gjerman shtrëngohej më shumë rreth tyre. Kolona e tyre u plaçkit, kafshët e ngarkesës, stacioni i radiondërlidhjes dhe ushqimet u vodhën, ushqimi po mbaronte, njësia partizane që duhej t’i mbronte po shkoqej dhe gjenerali humbi çdo kontakt me drejtuesit e LNÇ-së dhe me vartësit e tij brenda vendit. Ai planifikoi të çante rrugën drejt jugut në një vend më të sigurt, por më 7 janar filloi një stuhi e madhe dëbore. Misioni i tij u strehua në një stan delesh pranë fshatit Kostenjë. Mëngjesin tjetër ata u zbuluan nga një bandë kuislingësh shqiptarë (anëtarë të Ballit Kombëtar). Armiku i rrethoi nga tri anë dhe hapi një zjarr të dendur mbi muret e stanit, të thurura me purteka. Të qëndroje më gjatë brenda, do të thoshte vdekje e sigurt. Shpresa e tyre e vetme për të shpëtuar ishte të çanin rrethimin dhe të mundoheshin të ngjiteshin në një kurriz mali të mbuluar nga dëbora e madhe. Dhe kështu bënë. Gjenerali u qëllua tri herë, dy prej tyre, në stomak. Po ashtu, dy anëtarë të shtabit të tij u plagosën. Të tre u kapën dhe u dërguan në Tiranë, ku iu dorëzuan gjermanëve.

Koloneli Nicols me pak njerëz arriti t’i ngjitej kurrizit malor dhe shpëtoi pas një marshimi 16-orësh. Por, ai vdiq nga stërmundimi disa javë më vonë, ndonëse simpatizantë shqiptarë arritën ta strehonin pranë Tiranës, në shtëpinë e beut Toptanas” [Ihsan, shën. im- M.K].

Oficerët dhe burrat e tjerë të komandës së Davies-it u endën pa orientim për javë të tëra nëpër malet e larta. Disa prej u kapën, të tjerët u vodhën dhe plaçkitën nga vendësit. Katastrofa e gjeneralit shkaktoi një rënie të theksuar të imazhit të britanikëve. Si pasojë e frikës së reprezaljeve nga gjermanët, malësorët shqiptarë morën një qëndrim armiqësor ndaj britanikëve dhe u mbyllën atyre dyert. Vetëm disa prej tyre arritën në zonën e kontrolluar nga Abaz Kupi, ku gjetën strehë dhe mbrojtje.

Ndërkohë, në kushte shumë të vështira dhe në rrezikun e asgjësimit, forcat kryesore të LNÇ-së e kishin çarë rrethimin dhe vazhduan rrugën drejt jugut. Ato u rigrupuan në malet pranë Beratit dhe mblodhën forcat falë ndihmës britanike…

Vëzhguesve në Londër dhe Kajro iu krijua bindja se kryengritja shqiptare ishte shuar. Forcat e LNÇ-së duhej të ishin reduktuar në 7000 burra, të shpërndarë gjithandej në malet e jugut. Pritej që gjatë verës 1944, gjermanët do të tërhiqeshin nga Ballkani dhe komanda e lartë britanike mendonte se guerilasit do të dëmtonin gjermanët gjatë tërheqjes (Cituar sipas “Bijtë e Shqipes).

Pasi luftëtarët e Ballit Kombëtar “e ropën mirë gjahun e tyre” dhe i mbushën xhepat me sasinë e madhe të arit, e dorëzuan gjeneralin te Wehrmacht-i. Ai dhe një oficer tjetër britanik ishin plagosur, ndërkohë që dy oficerë të tjerë britanikë u vranë gjatë përpjekjes. Dy oficerë të tjerë arritën të largohen. Sipas thënieve të Davies-it, komunistët nuk kishin hedhur asnjë fishek për t’i mbrojtur: meqenëse statusi i tyre sipas ligjeve të luftës nuk ishte i qartë, meqë ata ishin të atashuar te partizanët, të cilët nuk ishin të parashikuar në ligjet e luftës, britanikët mendonin se gjermanët do t’i pushkatonin. Megjithatë, ne e respektuam uniformën e tyre.

Davies-i i indinjuar dukshëm nga tradhtia dhe sjellja e pabesë e komunistëve tregoi shumë gjëra rreth tyre. Oficerët britanikë e kishin kuptuar qysh në fillim se partizanët komunistë, para së gjithash nuk donin të luftonin ndaj trupave gjermane. Synimi i tyre kryesor ishte asgjësimi i kundërshtarëve nacionalistë, me qëllim që pas tërheqjes se gjermanëve dhe përfundimit të luftës të merrnin të vetëm pushtetin – çka edhe e arritën. Qendra drejtuese ushtarake në Londër nuk nxori asnjë konsekuencë si nga tradhtia që iu bë misionit ushtarak britanik, ashtu edhe nga tradhtitë e turpshme që ndodhën më vonë. Njëri nga oficerët parashutistë britanikë, shkrimtari Peter Kemp shkroi më vonë në kujtimet e tij se pozicionet kyçe në komandat britanike në Kajro të Egjiptit dhe në Londër mbaheshin nga simpatizantë të komunistëve, të cilët punonin në mënyrë sistematike për Titon dhe Moskën, për të mos lejuar britanikët të futeshin në Ballkan.

Është botuar një numër i konsiderueshëm kujtimesh për aktivitetin e misionit britanik të atashuar te partizanët komunistë, në Shqipëri dhe Jugosllavi. Botimin e Peter Kemp-it, “No colours or crest” e përmenda pak më sipër. Tepër interesant është ende sot edhe botimi i Julian Amery-t “Sons of the Eagle”. Për fat të keq, të dy librat nuk janë përkthyer ende në gjermanisht.

Kujtimet e gjeneralit Davies-it me titull “Illyrian Ventures”, i cili njihet shumë edhe me pseudonimin “Trocki”, ende nuk janë përkthyer në gjermanisht. Jam pyetur shpesh pas lufte, se cili ishte aspekti më i suksesshëm në qëndresën shqiptare. Shpesh i jam përgjigjur kësaj pyetjeje se partizanët komunistë në jug ishin grupi më i organizuar dhe më i fuqishëm, sepse në të ishte mbledhur inteligjenca rinore e Shqipërisë dhe fshatarësia shpresonte që me ndihmën e tyre t’u merrte pronat gjithë pronarëve të mëdhenj.

Në gjithë kujtimet britanike të shkruara për aktivitetin e operacioneve parashutiste britanike në prapavijat gjermane, theksohet me unanimitet se komunistët u shmangeshin luftimeve me gjermanët sa herë të ishte e mundur dhe gjithë vëmendja e tyre ishte përqendruar në eliminimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare, çka e arritën falë mosmarrëveshjeve dhe përçarjes që shqiptarët nacionalistë kishin ndërmjet tyre. Shumë tipike për njohuritë angleze është një citat nga libri “No Colours or Crest” i kapitenit Peter Kemp, në faqen 230: “Në sytë e sunduesve të rinj të Shqipërisë kolaboracionizmi me britanikët përbënte një krim më të madh se kolaboracionizmi me gjermanët. Zemërimi i qeverisë së re komuniste drejtohej në mënyrë specifike mbi gjithë shqiptarët që shikoheshin si aleatë të britanikëve. Këta njerëz u shkatërruan, sepse lufta e tyre kundër gjermanëve e mohonte pretendimin e komunistëve se ata ishin përfaqësuesit e vetëm të popullit shqiptar… disa nga drejtuesit shqiptarë me të cilët bashkëpunova mbijetuan, erdhën në pushtet dhe përfituan privilegje. Të tjerë, u gllabëruan nga përbindëshat, të cilët i kishin ndihmuar të vinin në pushtet. Mehmet Shehu, kryeministri i ardhshëm dhe Enver Hoxha, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, siguruan së bashku një pozicion drejtues. Intrigat dhe egërsia e njërit u kombinuan me shkathtësinë tradhtare të tjetrit”.

Le t’i kthehemi edhe njëherë bisedës sime me gjeneralin Davies: partizanët komunistë kishin kryer gjëra të pabesueshme kundër britanikëve. Ata mbaheshin gjithmonë nën përgjim, posta e tyre kontrollohej dhe mbuloheshin me kërkesa të pabesueshme, si edhe kërcënoheshin. Enver Hoxha, shefi i mëvonshëm komunist i kishte garantuar vetë britanikët për sigurinë e tyre dhe që do t’i ruante ata me posta shërbimi të përhershme prej çdo sulmi të papritur të Ballit Kombëtar ose gjermanëve. Biseda ime me Davies-in konfirmoi shumë gjëra, të cilat deri atëherë vetëm i kisha dëgjuar. Në mënyrë më kritike i ka prezantuar ngjarjet Peter Kemp në librin e sipërpërmendur, në faqen 211: “Shqipëria ishte veçse një degë ndër satelitët sovjetikë dhe përbënte për ne një viktimë totalisht të panevojshme përkundrejt imperializmit sovjetik. Iniciativat britanike, armët, municioni dhe ari britanik ushqeu qëndresën shqiptare në vitin 1943, dhe megjithatë ishte politika britanike, e cila në vitin 1944 i dorëzoi një fuqie armike ndikimin tonë, nderin dhe shokët tanë.”

Unë parashikoj këtu shumë gjëra, por nuk dua të shkruaj kronologjinë e ngjarjeve të Shqipërisë në vitet 1943-1944, por të jap disa konsiderata. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë një dashamirës i impresionizmit. Këto janë impresione shqiptare.

Historianët arrijnë që nëpërmjet dokumenteve dhe ditarëve ushtarakë të japin një kuadër të zhvillimeve luftarake, por në të mungon substanca plotësuese. Njoh historianë që i shikojnë me shumë dyshim kujtimet personale. Por ky vit i çmendur dhe plot ngjyra mes shqiptarësh, dhe Zoti e di, që unë nuk e kisha harruar Karl May-in, u ngulit në kujtesën time në mënyrë të paharrueshme.

Gjithçka filloi në vitin 1943 në Beograd dhe jo në Shqipëri. Komandanti i njësisë së Propagandës për Juglindjen, një njeri i shëndoshë dhe fanatik nacionalsocialist, i cili shkruante vjersha dhe himne për Hitler-in dhe për të cilin unë isha gjithmonë “një derr i zi”, siç i pëlqente të më thërriste, më la të prisja tri ditë para derës së zyrës së tij dhe më urdhëroi të hyja brenda vetëm kur i erdhi rastësisht një urdhër për transferimin tim në zyrën qendrore të përkthimit të Canaris-it në Berlin. “E paskeni menduar me kujdes dhe i paskeni përgatitur gjërat. As më bie ndër mend t’ju lëshoj. Do të niseni menjëherë për në Tiranë. Se çfarë do të kryeni atje është ende e paqartë. Nëse do të thyeni qafën atje, nuk do t’ju mbuloj krahët”. Ky ishte gjithë instruktazhi i shërbimit për mua, për të cilin duhej të prisja tri ditë. Këto tri ditë i përdora për t’u informuar në legatën gjermane në Beograd, ku punonte si referent i Hermann Neubacher-it kolegu im dhe ambasadori i mëvonshëm gjerman në Paris, Kleiber. Po ashtu, u përpoqa të merrja këshilla edhe nga Neubacher-i vetë, i cili nuk përshtatej aspak me kornizën nacionalsocialiste dhe ishte një krijesë imponuese me një sharm të shkëlqyer, të vjetër vjenez! Ai mori kohë mjaftueshëm për të biseduar me mua e për të skicuar situatën tejet të komplikuar në Shqipëri dhe me anë të një letre rekomandimi më drejtoi te Martin Schliep-i, i cili sapo ishte ngritur në nivelin e ambasadorit në Tiranë. Kujtimet e publikuara në vitin 1957 të Neubacher-it me titull “Detyrë e posaçme në Juglindje” përbëjnë një nga burimet më cilësore të shkruara për pushtimin gjerman të Shqipërisë.

Martin Schliep-in dhe bashkëshorten e tij Erika, e cila ishte një grua trime, besnike dhe një mikpritëse e rrallë nuk do t’i harroj gjatë gjithë jetës sime. Qëndrimin e saj madhështor ndaj sulmit partizan gjatë rrugës së kthimit në atdhe, në vjeshtë, para se trupat gjermane të tërhiqeshin, para së gjithash edhe për fatin e tmerrshëm të grave gjermane që e shoqëronin atë, të cilat mbijetuan në tmerrin komunist për 14 vjet, deri në vitin 1957, do t’i tregoj më pas në detaje.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close