“Rreth Adem Jasharit: Nëna e një ministreshe të VV-së ka thënë se njeriu normal nuk e sakrifikon familjen për liri”
Shkruan: Kimete Berisha
Çfarë të duhet Heroi kur je i Lirë!
Te sheshi ‘Ibrahim
Rugova’ dëgjohej kënga ‘Mora fjalë’, dhe thirrja për ta nënshkruar peticionin për një shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë.
Kjo kënga ‘Mora fjalë’, mua m’i çon flokët n’hava, më bën të mërzitem, të këndoj, të qaj e të bërtas…
E nënshkrova peticionin dhe pyeta ‘sa nënshkrime i kanë siguruar’.
Rreth 6000 nënshkrime, deri tash.
Prishtina i ka gati gjysmë milioni banorë, që gjithë ditën lodrojnë, enden të pa punë e vegjetojnë, lëpihen me akullore, e nxjerrin gjuhën sa krahu, burra e gra, çoroditen sheshit, por nuk u lë përshtypje ‘Mora fjalë’, që bën fjalë për shfarosjen e një familjeje të madhe për lirinë e tyre.
E tmerrshme kjo indiferencë!
Indiferenca është ‘lloj’ i vdekjes.
Indiferenca të ‘mbush mend’ dhe të dekurajon ta duash atdheun.
Kur i sheh shqiptarët kah e paragjykojnë dhe injorojnë edhe Adem Jasharin, Ti e kap kokën me duar dhe pyet Zotin: Për kë u sakrifikua Heroi?
Për lirinë e kujt?
Të këtyre robërve që nuk kanë nevojë për Liri!
Unë e njoh një ministreshë në qeverinë Kurti që nana e ka ‘mësuar’ se njeriu ‘normal’ nuk e sakrifikon familjen për Liri.
Njeriu ‘normal’, sipas ‘mamicës’ e sakrifikon veç veten…
Thuajse, Adem Jashari u pyet nga armiku: ‘Se a pranon a jo ta sakrifikojë familjen e tij’.
Shteti serb kreu gjenocid ndaj familjes Jashari!
E sulmuan në shtëpinë e tij, në oborrin e tij, edhe bashkëluftëtarët e tij e lanë të vetmuar!
Vetmia e Adem Jasharit është biblike, është vetmi kozmike,
e sakrifica e tij është më e madhe se e Jezusit, se Jezusi e sakrifikoi veten (e tradhtuan shokët) për t’i shlyer mëkatet e njerëzimit, ndërsa Adem Jashari (e tradhtuan shokët) u shua familjarisht për Lirinë e popullit!
Me mëkate jetohet disi, ama pa Liri s’mund të jesh as mëkatar!
E shikuan nga larg kah shuhej familjarisht dhe ende nuk u gjet një shqiptar ‘normal’ që e ngre një padi kundër shtetit serb për shfarosjen e familjes Jashari.
Adem Jashari ishte hero, trim, krenar….dhe i pashëm!
E ju, lëpihuni, sepse Ju jeni robër të kënaqësive, anipse Adem Jashari ua solli Lirinë, Ju lirinë e ndërroni me kënaqësi, prandaj ndjeni dhimbje!
P.S. E veshur me fustan të kuq, hyra në dyqanin e basmave për ta blerë një basmë të kuqe.
Nganjëherë blej basma, nuk i blej për t’i bërë fustane, i blej veç për mallëngjim të fëmijërisë, se herë pas here e dëgjoj tingullin e makinës së qepjes ‘Bagat’, me të cilën nana ime punonte për bukë deri në mëngjes!
Në vend se ta takoj bukuroshim e këngës ‘Unë jam një djalë që shes basma…’, shitësja e basmave ishte një grua në moshë të madhe dhe cinike.
E pyeta për basmë të kuqe, që nuk rrudhet, që nuk ka nevojë të hekuroset dhe që nuk ka nevojë për astar.
Tha: Ti qenke e Drenicës, dhe buzëqeshi.
E pyeta: cili organ po më zbulon që jam e Drenicës.
Ngjyra e kuqe-u përgjegj.
Qesha, dhe u mundova të shtyhem me të, por dështova.
I thashë edhe ti boll merak i paske lulet. T’u paska bë bluza jsi bahqe, vveç me vaditë t’paska mbet.
Ama, ne drenicaket nuk kemi talent për fjala-mujtas, jemi mësuar ose të heshtim ose fjala jonë të jetë e fundit!
…basma ende nuk është bërë fustan!
E nana ime që i ka mërzi ngjyrat e ndezura, më tha:
Po valla, të vërtetën e paska thënë shitësja e basmave: drenicakët e kanë merak ngjyrën e kuqe!