Rugova në vitin 1999: Dhuna në Kosovë nuk është shprehje e hakmarrjes, por janë raste individuale
Ish-presidenti Ibrahim Rugova vazhdimisht kishte komentuar zhvillimet politike gjatë periudhës së luftës dhe pas luftës në Kosovë. Në Këshillin e Përkohshëm Administrativ, ai së bashku me Hashim Thaçin, vazhdimisht e kishin dënuar dhunën që ndodhte në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare.
Demokracia.com ka siguruar një intervistë të vitit 1999, ku ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte folur për situatën në Kosovë në mediumin polak, Zecpospolita. E njëjta intervistë ishte publikuar edhe nga mediumet serbe. https://www.vesti.rs/Vesti/Rugova-Nezavisnost-Kosova-jedino-realno-resenje.html
Ibrahim Rugova qartazi kishte treguar se dhuna në Kosovë nuk është shenjë e hakmarrjes, por janë akte individuale të njerëzve të frustruar.
“Në të njëjtën kohë, Rugova vlerësoi se dhuna aktuale në Kosovë nuk është shprehje e hakmarrjes, por është rast individual i shqiptarëve të frustruar“, kishte deklaruar ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Po ashtu, administratori i OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, ishte prononcuar për mediumet e Kosovës në lidhje me situatën e krijuar pas luftës në Kosovë.
Ai kishte treguar për gatishmërinë e Thaçit për të promovuar tolerancën dhe bashkëjetesën brenda të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Kam shkuar në shtëpi të serbëve të Prishtinës ku isha bashkë me z. Thaçi ku kam parë gra që ishin sulmuar dhe dhunuar”, kishte treguar Kouchner.
Administratori Kouchner në librin e këshilltarit të tij, “Lindja e një demokracie”, kishte treguar se Thaçi vazhdimisht ka bërë përpjekje për ta bërë Kosovën, atdheun e të gjithëve.
“Fatmirësisht, nuk pati eksod dhe shumica e familjeve serbe preferonin të qëndronin në tokën e paraardhësve të tyre. Kjo ishte gjithashtu dëshira dhe vullneti i Hashim Thaçit. Ai dhe unë punuam krah për krah. Dhe ai nuk kursente asnjë përpjekje gjatë gjithë prezencës sime në vend për ta bërë Kosovën atdheun e të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia etnike e secilit“, kishte shkruar Bernard Kouchner në parathënien e librit të Jacques Baudouin. /Demokracia.com/