SHBA ia tërheq verëjtjen Kurtit: Ushtarët amerikanë do të reagojnë të parët në rast të trazirave në Urën e Ibrit
Ka disa muaj që ndërkombëtarët po përpiqen t’ia mbushin mendjen kryeministrit Albin Kurti që ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mos hapet në këtë kohë.
Qeveria e Kosovës po përsërit vazhdimisht se ura do të hapet, ndërsa ndërkombëtarët paralajmërojnë “rrezik të njëmendtë” për “dhunë dhe probleme tjera”.
Nuk dihet nëse Qeveria është bindur që të mos ndërmarrë veprime tjera pas konstatimit se ura është “stabile, e qëndrueshme dhe funksionale”.
Kryeministri Kurti pas mbledhjes së Qeverisë më 14 gusht nuk paralajmëroi veprime për hapjen e saj. Tha se konsultimet dhe koordinimi me partnerët do të vazhdojnë.
Ky qëndrim erdhi një ditë pasi diplomatët dhe ushtarakët ndërkombëtarë në Kosovë dhanë paralajmërime të qarta.
Gazeta Express merr vesh se porosia për autoritetet e Kosovës ka qenë e qartë. Në rast të trazirave mbi urën e Ibrit, ushtarët amerikanë do të ishin reaguesit e parë. Bëhet fjalë për ushtarë amerikanë të vendosur në Kampin Nothing Hill në Leposaviq. Atje janë të stacionuar pjesëtarë të gardës nacionale nga shteti amerikan i Georgia’s. Duke pasur parasysh se ky shtet është një ‘swing state’ (mbështetje e barabartë për dy partitë që garojnë në zgjedhjet presidenciale), çdo përfshirje e ushtarëve në trazira eventuale në veriun e Kosovës do të mund të kishte implikime në procesin zgjedhor në SHBA.
Se kjo porosi u është dërguar autoriteteve kosovare është konfirmuar nga disa burime për Gazetën Express.