fbpx
Lajme

Shkarkimi i dyshimtë i anëtarit të Këshillit Drejtues të UPZ-së

Senati i Universitetit të Prizrenit e ka shkarkuar Soner Yildirim nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit. Shkarkimi i tij është bërë me propozim të kryetarit të Parlamentit të Studentëve, Arianit Berisha.

Rektori dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit kanë dhënë arsye të ndryshme për shkarkimin e tij. Derisa Rektori i UPZ-së, Ramë Vataj, thotë se i shkarkuari ka bërë shkelje statutore, në Ministrinë e Arsimit thotë se shkarkimi ishte veprim hakmarrës nga Vataj.

Ministria pretendon se arsyeja e vërtetë mbrapa shkarkimit të Yildirimit është supozimi se ai ka votuar kundër Vatajt me rastin e zgjedhjes së tij si rektor.

Vendimi i senatit të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për shkarkimin e një anëtari të Këshillit Drejtues, u bë mollë sherri në mes të rektorit aktual Ramë Vataj dhe Inspektoriatit të Arsimit.

Më 18 qershor të këtij viti, senati i UPZ me iniciativën e Parlamentit Studentor mori vendim për shkarkimin e Soner Yildirim nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit.

Ky vendim ka shkuar edhe në organe të drejtësisë.

Rektori aktual i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj ka thënë se senati e ka shkarkuar të lartpërmendurin për shkak të veprimeve anti-statutare si pjesë e Këshillit Drejtues.

“Është shkarkuar me kërkesë prej Parlamentit të Studentëve që në fakt aty ka pasur shumë ankesa, mirëpo ai është ndërruar sepse ka bërë shkelje statuare disa herë dhe për atë është ndërruar, është shkarkuar”, ka thënë Vataj.

Ai e ka përmendur edhe pjesëmarrjen e të shkarkuarit në procesin e votimit për rektor.

“Është një rast kur kanë qenë zgjedhje të rregullta për dekan, një dekan nuk e ka marrë votën e mjaftueshme në fakultet dhe ky është bërë pjesë e bordit dhe ka votuar kundër statutarisht dhe për këtë fakulteti ka bërë ankesë në gjykatë. Mandej është bërë pjesë edhe e zgjedhjes së rektorit, pjesë e procedurave anti statutare”, tha Vataj, duke shtuar se vetë nuk kishte qëndruar në sallë kur u mor ky vendim.

Në anën tjetër, KALLXO.com merr vesh se lidhur me këtë shkarkim, Inspektorati i Arsimit kishte nxjerrë një vendim duke e quajtur shkarkimin të jashtëligjshëm. Këtë vendim e ka konfirmuar, kryeinspektori Dëfrim Gashi.

Por, rektori Vataj këtë vendim e quajti të jashtëligjshëm po ashtu, pasi sipas tij ka ardhur ende pa u nënshkruar vendimi për shkarkim, duke shtuar se ky inspektorat po tejkalon kompetencat e tij që nuk përfshijnë arsimin e lartë.

“Me 18 qershor është mbajtur mbledhja, me 19 ata e kanë dërguar vendimin, me të 20 unë e kam nënshkruar vendimin që e ka shkarkuar senati. Inspektorati nuk ka të drejtë të përzihet, sepse senati është sovrani për zgjedhjen e anëtarëve të bordit që ja garanton ligji. Për këtë kemi bërë kallëzim penal sepse inspektorati e ka lëshuar një vendim. Kemi bërë edhe ankesë, ka kallëzim penal edhe kryeinspektori edhe Kryetari i Këshillit Drejtues”, tha Vataj.

Në anën tjetër, Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri që në UPZ është emëruar nga Ministria e Arsimit tha se për ta vendimi për shkarkim është jo legjitim dhe në mbledhje vazhdon të thirret anëtari i shkarkuar.

“Senati e ka bërë shkarkimin e profesor Yildirim. Senati ka marrë vendim, mirëpo arsyeja për të cilën është bërë shkarkimi, Këshilli Drejtues e konsideron të paarsyeshme, sepse është bërë me kërkesën e Kryetarit të Parlamentit të Studentëve të UPZ-së, me motivacionin se profesor Sunneri ka votuar kundër rektorit aktual. Duhet pasur parasysh se ky është paragjykim, sepse votimi është i fshehtë. MASHT përmes organeve ka marrë vendim që një shkarkim i tillë nuk është i ligjshëm, jashtë kushtetues”, tha Muhadri.

Vataj tha se anëtari i shkarkuar është zëvendësuar me një anëtar tjetër me datën 20 qershor, por i njëjti nuk po pranohet nga Këshilli Drejtues.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në përgjigjen për KALLXO.com shtoi se ky anëtar, sipas informatave të tyre, ka qenë edhe i shantazhuar dhe kërcënuar.

“MAShT nuk toleron asnjë shkelje ligjore apo kushtetuese, ose çfarëdo forme të presioneve me qëllim të shkatërrimit të Institucionit të Arsimit të Lartë, siç është rasti i shkarkimit të njërit nga anëtarët e Këshillit Drejtues, me qëllimin e vetëm pse nuk ka votuar për një kandidat pretendent për rektor. Madje, ky anëtar në bazë të informacioneve që na kanë ardhur disa herë ka qenë i kërcënuar dhe shantazhuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Valmir Gashi.

KALLXO.com ka provuar të marrë komente nga vetë anëtari i shkarkuar, por që me të njëjtin nuk ka mundur të vijë në kontakt.

Kryetari i Parlamentit Studentor në UPZ, Arianit Berisha konfirmoi kërkesën e këtij parlamenti për shkarkimin e anëtarit të KD-së.

Në kërkesën zyrtare të këtyre studentëve nuk përmenden votime specifike për të cilat kërkohet shkarkimi i Porfesorit Yildirim, mirëpo përmenden shkelje statuare të përgjithshme.

“Brenda një kohe shumë të shkurtër, Këshilli Drejtues ka nxjerrë tre vendime që janë në kundërshtim të qartë me Statutin dhe Ligjin mbi Arsimin e Lartë. Vendime këto që favorizojnë palë të përfshira në procese respektive”, thuhet në një pjesë të vendimit.

Berisha tha se nuk kanë përmendur rastet specifike për shkak se senatorët kanë qenë të njoftuar me situatën.

“Ne kemi konsideruar që profesori në fjale nuk e përfaqëson më vullnetin e Senatit në Këshillin Drejtues dhe është bërë pjesë e grupacioneve politike të dirigjuar nga MASHT”, tha Berisha.

Në këtë kërkesë studentët po ashtu kishin bërë thirrje që MAShT të shkarkojë anëtarët e emëruar nga ky institucion në Këshillin Drejtues të UPZ-së.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar lidhur me problemet në zgjedhjet e rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj që është tani po kundërshtohet nga Ramë Vataj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close